Projektligji “Për lojërat e fatit” ka nisur të diskutohet sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, duke respektuar procedurën e përshpejtuar të rënë dakord një javë më parë. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shpjegoi para deputetëve arsyen e këtij projektligji, i cili ndalon përfundimisht aktivitetin e kazinove elektronike, sikurse pritej, por shton edhe pjesën e basteve sportive. Ahmetaj tha se Lotaria Kombëtare do të vijojë aktivitetin e saj si një koncesion, por pa asnjë element VTL (kazino elektronike).
Kreu i Financave sqaroi se paralelisht me ndryshimet në biznesin e lojërave të fatit po ristrukturohet edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në përshtatje të situatës së re ku do të hyrë sektori. Pezullimi i aktivitetit të këtij institucioni është parashikuar me një vendim të veçantë në të njëjtën kohë, kur u propozuan edhe ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”
“Qeveria ka një pozicion zyrtar, më 31 dhjetor 2018 mbyllen kazinotë, bastet sportive, gara sportive dhe me kafshë, sallat e bingove dhe lojërat e fatit elektronike online (në distancë)”, tha Ahmetaj.
Ministri shtoi se, lidhur me ata që do të mbeten pa punë, do t’u ofrohen rikualifikime nga zyra e punës. “Industria do të krijojë një diferencë në të ardhurat buxhetore, por kjo nuk ka pikë rëndësie për ne”.
Sipas Ervin Bushatit, relator i pr.ligjit në komision, Ervin Bushati, relator i Komisionit, pr/ligji ka si synim pezullimin e aktivitetit të subjekteve në këtë sektor.
“Situata aktuale tregon se lojërat e fatit, bastet sportive, kanë ndikuar te të rinjtë, për mosangazhim të brezit të ri te sektori privat. Sipas KLSH, informaliteti mbetet i lartë. Nga ana tjetër, 15.5 miliardë lekë janë shpenzuar në kazino, sipas të dhënave në bilancet në QKB.
Të ardhurat nga taksimi i këtyre kompanive kanë rënë. Nuk ka vlerë të shtuar për ekonominë. Ky pr/ligj bazohet te gjykata europiane, që lejon një qeveri të kufizojë lojërat e fatit në të mirë të shoqërisë”, – ka përfunduar Bushati.
Sipas kryetarit të Komisionit, në këtë formë i japim fund veprimtarisë së tyre, si dhe përfundojmë varësisë e brezave të ri, si dhe veprimtarinë e paligjshme.
Braçe ka shtuar se do t’i kërkojë Parlamentit që të përcaktojë barrën fiskale të re për subjektet që do të mbeten në treg.
“Do të doja të ndalesha te barra fiskale për lojërat e fatit që do të mbeten për t’u ushtruar aktivitetin në të ardhmen. Kam bërë një analizë prej disa prej modeleve fiskale të vendeve të BE-së, që nuk na lidh religjioni apo tendencat, por përkatësia si europian. Në Austri: 35-80 % të të gjithë të ardhurave, Danimarkë 40-70%; Greqi 20-35% të të ardhurave bruto nga loja, Holandë 40-85% të të ardhurave neto nga loja, 2.5-40% Britania e Madhe për të ardhurat bruto nga loja. Franca nuk ka tatim sepse e ka monopol shteti, por 12% kur fitimet janë më shumë se 1 mln për qytetarët.”- ka përfunduar Braçe.
Braçe propozoi edhe një shtesë në nenin 1 të ligjit që përcaktonte se organizimi dhe zhvillimi i kalojnë shtetit, çka është në të njëjtën linjë me një variant të diskutuar edhe më herët gjatë këtyre javëve. Ky propozim mori edhe miratimin e komisionit, duke i hapur rrugë shtetëzimit të sektorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.