Komiteti Organizativ Olimpik Tokio 2020 raportoi sot, se buxheti për lojërat e ardhshme arrin në 15.4 miliardë dollarë, duke përfshirë kostot e shtyrjes dhe masat shtesë që po merren si kundërpërgjigje e Covid-19.
Buxheti ka shënuar një rritje nga parashikimi i mëparshëm i Olimpiadës, prej 12.6 miliardë dollarësh.
CEO i “Tokyo 2020” Toshiro Muto, i quajti kostot shtesë një “investim pozitiv” dhe tha se lojërat do të ishin një “model” për ngjarjet e mëdha ndërkombëtare gjatë pandemisë.
Të gjithë 68 sponsorët olimpikë kanë rënë dakord, në parim, për të zgjatur marrëveshjet e tyre deri në vitin 2021 dhe mund të kombinojnë sponsorizimin me mbështetje shtesë, sipas Muto.
Sipas disa vlerësimeve pritet që lojërat të gjenerojnë rreth 4-5 trilionë jen (37-46 milionë dollarë) në aktivitetin ekonomik në Japoni, shtoi ai.
Muto përsëriti se detajet e lojërave, duke përfshirë shkallën e ceremonive, numrin e spektatorëve të huaj dhe masat e parandalimit të virusit do të përcaktohen këtë pranverë.
Lojërat Olimpike Tokio 2020 duhet të zhvilloheshin në muajin korrik të këtij viti, por u shtynë për shkak të pandemisë. Komiteti Organizativ rivendosi një datë të dytë, mbajtjen e lojërave më 23 korrik të vitit 2021 deri më 8 gusht, ndërsa ato Paraolimpike do të zhvillohen nga 24 gushti deri më 5 shtator të vitit të ardhshëm./CNN