Një instalacion i ri i përkohshëm do të ndërtohet këtë verë në qendër të Londrës, për t’u dhënë vizitorëve një perspektivë të re mbi Hyde Park dhe Marble Arch.
I projektuar nga John Nash në vitin 1928, Marble Arch është zhvendosur pranë Speaker’s Corner nga pozicioni i tij në fillim përballë Buckingham Palace në vitin 1851. Marble Arch Hill do të jetë një strukturë e lartë 25 metra, që do të ripërcaktojë një lidhje mes Oxford Street dhe Hyde Park, duke u ofruar vizitorëve panorama unike të parkut dhe të Marble Arch. Vendimi u mor ndërsa Këshilli i Westminster City dëshiron të rikthejë interesin në zonë, pas kushteve të vendosura nga pandemia e COVID-19.
Instalacioni u projektua nga MVRDV dhe është një peizazh i ngjashëm me një park, me bar dhe pemë. Marble Arch Hill do të ketë një strukturë të ngjashme me një skelë në bazë, e cila do të mbështesë kompensatën dhe shtresat e terrenit të nevojshëm për të rritur barin në pjesën e sipërme. Struktura do të përshtatet në pika strategjike për të mbajtur vendet ku do të vendosen pemët.
Vizitorët mund të ngjiten deri lart përmes një shtegu që gjarpëron përgjatë shpatit jugor, pas së cilës ata mund të zbresin në zemër të kodrës, e cila është një hapësirë boshe që do të përdoret për evente, ekspozita dhe ngjarje të tjera. Sipas projektuesve, instalacioni synon të rrisë rëndësinë e Hyde Park dhe të forcojë lidhjen midis Oxford Street dhe parkut përmes Marble Arch.
“Ky projekt është një mundësi e mrekullueshme për t’i dhënë impuls një vendi shumë të njohur të Londrës” – tha Winy Maas, partneri themelues i MVRDV. “Është një vend me shumë kontradikta dhe projekti ynë e nxjerr në pah. Duke i shtuar një element peizazhit, bëjmë një vëzhgim mbi planin urbanistik të Marble Arch, dhe duke parë historinë e sitit, shohim drejt së ardhmes së zonës”.
Burimi: Lonely Planet