Lotaria Kombëtare e pafat, thelloi humbjen në 2017 në 2.7 mln euro, kompania: Nuk do mbyllim aktivitetin

19/07/2018 11:00 AM 0 komente

Lotaria Kombëtare e cila ka licencën ekskluzive për organzimin e lojrave me një afat 10 vjeçar nuk po rezulton me fat në aktivitetin e saj në Shqipëri. Kompania ka thelluar në vitin 2017 humbjen e saj duke e çuar në 356 milionë lekë (rreth 2.7 mnl euro) nga 263 milionë lekë që ishte në vitin 2016. Referuar të bilancit të vitit 2017 bërë publik nga kompania, totali i humbjes gjithëpërfshirëse u rrit me 33 për qind në raport me vitin paraardhës.

Të ardhurat totale ishin 288 milionë lekë në 2017-n, me një tkurrje prej 4%. I njëjti raporton një rënie me 8.4 për qind të të ardhurave nga lotaritë që do të thotë se më pak individë kanë luajtur në lojërat që ofron Lotaria Kombëtare. Në vitin 2016 totali i të ardhurave nga lotaritë regjistronte nivelin 272 milionë lekë.

Rezultati nga veprimtaria operative është në një vlerë negative prej 331 milionë lekësh apo 46.1 për qind më i lartë se një vit më parë, pra se 2016. Shpenzimet financiare neto kanë pësuar një tkurrje me 32 për qind.

Por pavarësisht rezultateve negative duket se Lotaria Kombëtare e cila në 3 maj 2016 u shit tek Novomatic Gaming Industries GmbH nga kompania ÖsterreichischeLotterien Gesellschaft m.b.H do të vijojë të qëndrojë e hapur pasi ka mbështetjen e kompanisë mëmë madje në vitin 2019 ajo pret që të ketë një ecuri pozitive të aktivitetit.

“Në dhjetor të vitit 2017, ka ndodhur një injektim tjetër i kapitalit në shumën prej 133,380,000 Lek. Në vijim të ndryshimit të pronësisë, Shoqëria pret të ndryshojë dhe rishikojë strategjinë e biznesit dhe strukturën operacionale, duke e përshtatur atë më shumë me nevojat e tregut lokal dhe duke optimizuar portofolin e produkteve. Shoqëria Mëmë nuk ka për qëllim likuidimin apo mbylljen e aktivitetit në një të ardhme të afërt dhe Mëma do vazhdojë ta mbështesë aktivitetin në Shqipëri financiarisht. Drejtimi beson se Shoqëria do jetë në gjendje të gjenerojë të ardhura brenda vitit 2019 dhe aftësia e saj për të vazhduar mbi parimin e vijimësisë nuk do të rrezikohet” thuhet në dokumentin ku përfshihet edhe bilanci.

Lotaria Kombëtare nisi aktivitetin në vitin 2012 kur në atë kohë ÖsterreichischeLotterien Gesellschaft m.b.H fitoi garën e hapur nga Ministria e Financave për të drejtën e organzimit të Lotarisë Kombëtare për të paktën 10 vjet. Por Lotaria Kombëtare deri tani nuk ka arritur të gjenerojë fitime.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of