Është si të luash me Lego, vetëm se në fund, ju keni një makinë të vërtetë. Kompania kineze Xev ka prezantuar në Shangai, Lsev, një makinë të vogël urbane e realizuar nëpërmjet printimit 3D, që pritet të vijë edhe në Europë.
Falë materialeve të printueshme gjithnjë e më të qëndrueshme dhe ekonomike, teknologjia që krijon pjesë makinash duke nisur nga polimeret dhe pluhurat – mund të bëhet një zgjedhje e besueshme edhe në ndërtimin e mjeteve rrugore.
Kjo është të paktën ajo që beson Xev, dhe kërkon ta tregojë nëpërmjet një mjeti me linja futuristike dhe me një çmim të leverdishëm, bëhet fjalë për një shifër mes 7 – 8 mijë euro.
Mes Smart dhe Twizy
Shumë e vogël, Lsev është e gjatë 2,5 metra, e gjerë 1,3 metra dhe e lartë 1,5 metra. Ajo është shumë e lehtë, peshon vetëm 450 kilogramë. Falë motorit elektrik makina arrin 70 km në orë, me një autonomi prej 150 kilometrash. Nga këto të dhëna mund të arrijmë në përfundimin që Lsev nuk është tamam një veturë, por një mjet mes një Smart dhe një Twizy, i përshtatshëm për të lëvizur në qytet, por nuk mund të përshkojë autostrada.
E projektuar në 12 muaj
Sipas kompanisë prodhuese, projektimi i Lsev zgjati më pak se 12 muaj, një kohë jashtëzakonisht e vogël krahasuar me makinat tradicionale që kërkojnë 3-5 vjet. Printimi 3D ka kursyer kaq shumë plastikë, sa e ka ulur peshën në 450 kg.
Duhen vetëm tre ditë për ta krijuar
Klienti kërkon veturën dhe Xev e printon dhe e dërgon atë tek blerësi, një proces i cili zgjat vetëm tre ditë. Sipas kompanisë kineze, deri tani kanë ardhur 7000 kërkesa nga Europa, një treg të cilin kompania e sheh me vëmendje. Kontinenti i Vjetër dhe qytetet e tij relativisht të vogla dhe infrastruktura për karikimin elektrik është një treg i zgjedhur për këtë makinë të vogël.
Marrë me shkurtime: Corriere della Sera