Lufta e rrjeteve sociale me autocensurën

14/11/2020 10:02 PM 0 komente

Kompanitë e mëdha teknologjike dhe fjala e lirë. Gjigantët e teknologjisë po heqin më shumë postime, por a po bëjnë zgjedhjet e duhura?

 

Brenda disa orësh nga publikimi i një artikulli të ‘New York Post’, më 14 tetor, përdoruesit e Twitter filluan të merrnin mesazhe të çuditshme, shkruan The Economist. Bëhej fjalë për “ekspozimin” e email-eve të dyshimta nga laptopi i Hunter Biden, djali i kandidatit presidencial demokrat.

Nëse përdoruesit përpiqeshin të ndanin historinë me të tjerët, lajmëroheshin se postimi i tyre nuk mund të dërgohej, pasi linku ishte identifikuar si i dëmshëm. Shumë përdorues të Facebook-ut nuk po e shihnin fare këtë histori: rrjeti social e bllokoi si lajm për 2.7 miliardë përdoruesit, ndërkohë që kontrolluesit e fakteve e analizonin, shkruan The Economist.

Nëse kompanitë shpresonin se duke e varrosur ose bllokuar historinë, do t’i pengonin njerëzit për ta lexuar, kjo nuk ndodhi. Artikulli u kthye në historinë më të diskutuar të javës në të dyja platformat – dhe historia e dytë më e diskutuar ishte fakti që rrjetet sociale ishin përpjekur ta bllokonin atë. ‘Post’ e quajti atë një akt të totalitarizmit modern, të kryer “jo nga burra në qelitë e errëta që fusnin gozhda nën thonjtë e disidentëve, por nga mashtruesit e Silicon Valley”. Senatorët republikanë u zotuan për të marrë dëshmi mbi paragjykimet antikonservatore nga Mark Zuckerberg dhe Jack Dorsey, drejtuesit e Facebook dhe Twitter.

Kjo ngjarje reflekton problemin që hasin rrjetet sociale kudo. Ato zotohen të jenë platforma neutrale, që do t’ia lënë në dorë përdoruesve përmbajtjen dhe do t’i mbajnë duart larg vendimeve editoriale. Drejtuesit e Twitter thoshin me shaka se ishin “krahu i fjalës së lirë të partisë së fjalës së lirë”.

Megjithatë, teksa janë bërë më aktivë në renditjen algoritmike të përmbajtjes që hedhin në rrjet përdoruesit dhe moderimin e gjërave të padëshirueshme, ata kanë filluar t’u përngjajnë më tepër botuesve. Zoti Zuckerberg thotë se ai nuk dëshiron të jetë një “arbitër i së vërtetës”. Artikulli i ‘The Post’ ushqeu dyshimin e shumë njerëzve se, me dëshirë apo jo, ai është pikërisht i tillë.

Fushata elektorale zgjedhore e Amerikës vetëm e ka bërë më urgjente nevojën për t’iu përgjigjur pyetjeve të pazgjidhura rreth fjalës së lirë në internet. Çfarë fjalimi duhet të lejohet? Dhe kush duhet të vendosë? Rasmus Nielsen, nga Institutit Reuters, në Universitetin e Oksfordit, e përshkruan këtë si një “moment kushtetues” për mënyrën e rregullimit të infrastrukturës private për të përkrahur fjalën e lirë në të gjithë botën.

 

 

Rrjetet sociale kanë qenë në krye të spastrimeve. Heqja e gjuhës ofenduese nga Facebook është dhjetëfishuar në dy vjet (shih grafikun 1). Platforma eliminon rreth 17 milionë profile fals çdo ditë, më shumë se dyfishi i shifrës së tre viteve më parë. YouTube, një platformë me video në pronësi të Google, me rreth 2 miliardë përdorues në muaj, hoqi 11.4 milionë video në tremujorin e kaluar dhe 2.1 miliardë komente të përdoruesve, krahasuar me vetëm 166 milionë komente në tremujorin e dytë të vitit 2018.

Twitter, me një bazë më të vogël prej 350 milionë përdoruesish, eliminoi 2.9 milionë postime në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, më shumë se dyfishi i sasisë së një viti më parë. Platforma kineze TikTok, ku postohen video të shkurtra, hoqi 105 milionë klipe në gjysmën e parë të këtij viti, dy herë më shumë se në gjashtë muajt e mëparshëm (një rritje pjesërisht e shpjeguar nga rritja e firmës).

Inteligjenca Artificiale ka ndihmuar në mundësimin e një pastrimi të tillë. Shumica e përmbajtjes ofenduese hiqet përpara se përdoruesit ta vënë në dukje atë. Disa postime eliminohen në mënyrë automatike: më shumë se 99% e postimeve të lakuriqësisë së fëmijëve të eliminuara nga Facebook, hiqen përpara se t’i raportojë dikush, por shumica e ngacmimeve sinjalizohen nga përdoruesit dhe jo nga robotët.

Dy vjet më parë, Inteligjenca Artificiale e Facebook hoqi një postim ku përmendeshin fjalët “merciless Indian Savages”, para se moderatorët të kuptonin se ishte një citim nga Deklarata e Pavarësisë. Facebook tani punëson rreth 15,000 njerëz për të moderuar përmbajtjen. Në maj, kompania ra dakord për të paguar 52 milionë dollarë për 11,250 moderatorë të cilët zhvilluan çrregullime të stresit post-traumatik, duke parë imazhe të errëta në internet.

Diskutimet rreth fjalës së lirë, që dikur mund të dukeshin abstrakte, janë bërë tepër praktike – vrasja e Samuel Paty në rrethinat e Parisit javën e kaluar, ishte kujtesa më e fundit tronditëse. Rrjetet sociale shtrënguan politikat e tyre kundër terrorizmit pas sulmeve islamike në Europë në vitin 2015 dhe një sulmi të ngjashëm në Zelandën e Re vitin e kaluar, i cili u transmetua drejtpërdrejt në Facebook dhe u shpërnda në YouTube. Zgjedhjet amerikane dhe referendumi i Brexit i vitit 2016, i detyroi rrjetet të mendonin sërish mbi komunikimin politik. Twitter ndaloi të gjitha reklamat politike vitin e kaluar dhe Facebook dhe Google kanë thënë se do t’i ndalojnë ato rreth kohës së zgjedhjeve të këtij viti.

Kompanitë gjithashtu kanë përmirësuar qëndrimin ndaj vendeve të largëta, pas kritikave të neglizhencës së tyre të hershme në vende si Mianmari, ku Facebook është akuzuar se ka luajtur një “rol vendimtar” në dhunën kundër myslimanëve të Rohingya. Këtë javë, Facebook njoftoi se kishte punësuar më shumë vlerësues të përmbajtjes që flasin rrjedhshëm gjuhën Suahili, Amharic, Zulu, Somali, Oromo dhe Hausa, përpara zgjedhjeve afrikane. Inteligjenca e tij Artificiale po mëson gjuhë të reja dhe po grumbullon përmbajtje për shkeljen e rregullave.

 

Vendi ku ndodh

Disa shefa të kompanive të teknologjisë e kanë rimenduar qasjen e tyre ndaj shkëmbimit ndërmjet fjalës së lirë dhe sigurisë. Tetorin e kaluar, në një fjalim në Universitetin Georgetown, Zuckerberg mbrojti me vendosmëri fjalën e lirë, duke paralajmëruar: “Më shumë njerëz në të gjithë spektrin besojnë se arritja e rezultateve politike që ata dëshirojnë, është më e rëndësishme se liria e shprehjes së individit. Mendoj se kjo është e rrezikshme”.

Megjithatë këtë vit, teksa lulëzoi informacioni i rremë në lidhje me Covid-19, Facebook mori një qëndrim më të ashpër ndaj lajmeve të rreme në lidhje me shëndetin, duke përfshirë ndalimin e reklamave antivaksinuese. Dhe këtë muaj, ai ndaloi mohimin e Holokaustit dhe grupet që promovonin QAnon, një grup që hedh teori konspirative pa asnjë bazë.

Presioni nga media është “hiqni më shumë, hiqni më shumë, hiqni më shumë”, thotë një ekzekutiv i lartë i teknologjisë. Por nga ana tjetër, po rritet shqetësimi se firmat po heqin së tepërmi. Në Amerikë, kjo kritikë vjen kryesisht nga e djathta, e cila e sheh Silicon Valley si një fole liberalësh. Është ndryshe të heqësh postimet e racistëve dhe propagandës ruse; dhe të bllokosh ‘New York Post’, një nga gazetat me shitjen më të lartë në Amerikë, themeluar nga Alexander Hamilton (i cili në fakt mund të mos e kishte pranuar orientimin aktual të gazetës, nën Rupert Murdoch).

Diku tjetër, liberalët shqetësohen se përmbajtje të caktuara, po hiqen gabimisht. YouTube eliminoi pamjet që vinin nga përdoruesit në Siri me pretendimin se po thyenin rregullat e tij mbi dhunën, por këto mund të ishin gjithashtu prova të mundshme të krimeve të luftës. Deri vitin e kaluar, rregullat e TikTok ndalonin kritikat ndaj sistemeve të qeverisjes dhe “shtrembërimin” e ngjarjeve historike, duke përfshirë masakrën pranë Sheshit Tienanmen.

Të dyja kampet pajtohen mbi përgjegjësinë e madhe që po bie mbi rrjetet sociale për të vendosur se çfarë fjalimi është i pranueshëm. Si kompani private, ato mund të vendosin rregullat e tyre në lidhje me atë që publikojnë (brenda kufijve të ligjeve të shteteve ku veprojnë). Por këto rrjete kanë nisur të luajnë një rol të madh në jetën publike. Vetë Zuckerberg e krahason Facebook-un me një “shesh-qytet”.

Rrjetet sociale rivale që premtojnë liri të madhe të fjalës nuk kanë arritur të kenë efektin e dëshirueshëm. Një platformë me emrin Gab, tërhoqi neonazistët. Një tjetër e quajtur Parler, është promovuar nga disa politikanë republikanë, por deri tani nuk ka arritur sukses. (Ajo gjithashtu po përballet me dilema të fjalës së lirë, duke vendosur me ngurrim rregulla, përfshirë ndalimin e dërgimit të fotove të lëndëve fekale.)

Jashtë Kinës, ku Facebook nuk funksionon, katër në dhjetë njerëz në të gjithë botën e përdorin platformën; WhatsApp dhe Instagram, që zotërohen gjithashtu nga Facebook, kanë rreth 3 miliardë llogari. “Sinqerisht, nuk mendoj se ne duhet të marrim kaq shumë vendime të rëndësishme mbi të drejtën e fjalës”, tha Zuckerberg në fjalimin e tij në Georgetown.

 

Thoni “jo”

Bill Clinton, një herë tha se të përpiqesh të rregullosh botën online, me miliona faqe të ndryshme, është “si të përpiqesh të gozhdosh xhelatinën në mur”. Por përqendrimi i tregut të rrjeteve sociale në disa kompani, e ka bërë punën më të lehtë.

 

 

Twitter është përballur me një rritje të madhe në numrin e kërkesave ligjore për heqjen e përmbajtjes, si nga individët dhe qeveritë (shih grafikun 2). Vjet, Google pranoi 30,000 kërkesa nga qeveritë për të hequr pjesë të përmbajtjes, krahasuar me dy mijë kërkesa dhjetë vjet më parë (shih grafikun 3). Dhe Facebook hoqi 33,600 postime në përgjigje të kërkesave ligjore. Midis tyre ishte një fotografi e manipuluar me Photoshop e presidentit Emmanuel Macron me të brendshme ngjyrë rozë, të cilën policia franceze donte të hiqej, sepse shkelte një ligj të vitit 1881 që kufizonte lirinë e shtypit.

 

 

Në Amerikë, qeveria e ka të ndaluar nga Amendamenti i Parë që të ndërhyjë shumë në fjalimin online. Seksioni 230 i Aktit të Kompetencave të Komunikimeve u jep platformave online mbrojtje të lartë, duke i çliruar nga përgjegjësia për përmbajtjen që publikojnë. Por kufizimet në këtë përjashtim po rriten. Firmat nuk mund të shmangin përgjegjësinë për shkeljen e së drejtës së autorit, postime që shkelin ligjin penal federal, ose që lidhen me trafik seksi.

Në Europë, kufizimi ka shkuar edhe më tej. Në vitin 2014, Gjykata Europiane e Drejtësisë (ECJ) vendosi pro “së drejtës për t’u harruar” në favor të një burri spanjoll që donte që Google të hiqte referencat e vjetra në historinë e tij të borxhit. Që nga ajo kohë, Google ka shqyrtuar kërkesa për rreth gjysmë milion URL që duhet të hiqen çdo vit, dhe ka pranuar rreth gjysmën e tyre.

Vitin e kaluar, ECJ vendosi që shtetet europiane mund ta urdhëronin Facebook-un të hiqte një përmbajtje të caktuar në nivel global, jo vetëm për përdoruesit brenda kufijve të tyre. Direktiva Europiane e Shërbimeve të Mediave Audiovizive kërkon që shërbimet video në internet të marrin “masat e duhura” për të mbrojtur shikuesit nga përmbajtja e dëmshme ose e paligjshme, duke përfshirë vendosjen e kontrolleve të moshës. Komisioni Europian do të publikojë një Ligj për Shërbimet Dixhitale, që pritet të vendosë detyrime të mëtejshme për kompanitë e internetit.

Qeveritë kombëtare gjithashtu kanë vendosur rregullat e tyre individuale, veçanërisht Gjermania, ku Akti i Zbatimit të Rrjetit 2017, kërcënon platformat me gjobë deri në 50 milionë € (60 milionë dollarë) nëse nuk arrijnë të heqin një përmbajtje të paligjshme brenda 24 orëve nga njoftimi. Në përgjigje, Facebook hapi një qendër të re moderimi në Gjermani.

Problemi me privatizimin e zbatimit të ligjit, thekson zoti Nielsen, është se kompanitë mënjanojnë nga kujdesi i tepërm. Një gjykatës mund të përdorë diskrecionin për të injoruar rregullat e fjalës së lirë që zbatohen rrallë (si një ligj gjerman që deri vonë ndalonte fyerjen e një kreu të huaj të shtetit). Por një kompani e rrjeteve sociale nuk ka asnjë arsye të rrezikojë për të injoruar një ligj.

 

Kush e tregon historinë tënde

Disa qeveri mbështeten në rrjetet sociale për të hequr përmbajtje që mund të jenë të ligjshme. Platformat e rrjeteve sociale kanë rregullat e tyre që shkojnë më larg se shumica e qeverive. Një ndalim i materialit që mund të ndërhyjë në “integritetin qytetar” mund të tingëllojë si diçka që e imponon Kina komuniste; në të vërtetë është pjesë e rregullave të Twitter. Policia Metropolitane e Londrës ka një njësi që kërkon platforma për përmbajtje të lidhura me terrorizmin, të cilat “urdhëron” të hiqen për shkelje të kushteve të shërbimit të platformës – edhe pse materiali mund të mos shkelë ndonjë ligj.

“Qeveritë autoritare po përfitojnë nga biseda e lirshme rregullatore midis demokracive”, shkruan David Kaye, një ish-raportues i posaçëm për fjalën e lirë. Vitin e kaluar, Singapori miratoi një ligj kundër lajmeve të rreme, duke ndaluar publikimin online të gënjeshtrave që mund të dëmtojnë interesin publik. Tajlanda ka zbatuar ligjet e saj lèse-majesté online, në gusht, duke urdhëruar Facebook të bllokojë një grup kritik të quajtur Royalist Marketplace, i cili ishte një nga më të mëdhenjtë në platformë, me më shumë se 1 milion anëtarë. (Facebook u pajtua, por po padit qeverinë tajlandeze për shkeljen e ligjit për të drejtat e njeriut.)

Nëse as qeveritë dhe as drejtuesit ekzekutivë nuk mund të jenë kujdestarë të besueshëm të fjalës së lirë, çfarë mund të bëhet për ta mbajtur internetin një vend të tolerueshëm, duke mbrojtur lirinë e shprehjes? Një përgjigje gjithnjë e më e zakonshme në Silicon Valley është të vendoset një dallim midis lirisë së fjalës dhe “lirisë së arritjes”: të lihen postimet, por të bëhen më pak të dukshme dhe virale.

Vitin e kaluar, YouTube ndryshoi algoritmin në mënyrë që videot që ishin duke u shqyrtuar për fshirje, të rekomandoheshin më rrallë. Pas bombardimeve të kishave dhe hoteleve në Sri Lanka ditën e Pashkëve në vitin 2019, Facebook parandaloi shpërndarjen e postimeve nga miqtë e miqve, për të ndaluar përhapjen e postimeve inflamatore shumë larg ose shumë shpejt; ky rregull është në fuqi në Etiopi dhe Mianmar. Twitter është përpjekur t’i ndalojë njerëzit që të ndajnë lajme të rreme në mënyrë të pakontrolluar, duke i nxitur ata të lexojnë artikuj para se të bëjnë retweet. Platformat po shtojnë më shumë etiketa në përmbajtje, duke i paralajmëruar përdoruesit se një postim mund të jetë mashtrues.

Një ide tjetër popullore është që firmat të bëjnë të dhënat e tyre të disponueshme për auditim, ashtu si kompanitë e listuara duhet të jenë transparente për llogaritë e tyre. Proceset e brendshme mund të jenë gjithashtu më transparente. Në Facebook, ekziston një tension i çuditshëm midis qasjes së sinqertë ndaj politikëbërjes, me dy seanca “mini-legjislative” për dy javë, dhe faktit që çdo muaj, zoti Zuckerberg merr personalisht vendime të vështira për moderimin e përmbajtjes.

Trajtimi i çështjeve të mëdha si “vendime të brendshme zyrash” është një gabim, thotë zoti Kaye. Është më mirë që kompanitë të thonë: “Ne i kemi këto rregulla, ne do t’i zbatojmë ato në mënyrë neutrale. Dhe nuk duam që ky proces të korruptohet nga presioni politik”.

Facebook bëri një hap drejt një sistemi të tillë më 22 tetor me krijimin e Bordit të Mbikëqyrjes, një grup vëzhgues i përbërë nga 20 anëtarë që do të shqyrtojnë me kujdes vendimet e tij të moderimit dhe do të nxjerrin vendime detyruese. Synimi i bordit është më i ngushtë nga sa kishin shpresuar disa. Ai mund të konsiderojë vetëm nëse postimet e fshira duhet të rikthehen.

Bordi thjesht zbaton rregullat e Facebook, në vend që t’i krijojë ato. Nuk mund të marrë në konsideratë postimet që janë ulur algoritmikisht, në krahasim me ato të fshira. Pra, disa nga polemikat më të spikatura të kohëve të fundit – vendimi i Facebook për të lënë një post polemik nga Donald Trump, heqja e QAnon, ndryshimi i qëndrimit mbi mohimin e Holokaustit dhe heqja e artikullit të ‘The Post’ – janë jashtë juridiksionit të bordit.

 

Historia po ju vëzhgon

Megjithatë, siç shprehet Alan Rusbridger, një ish-redaktor i ‘Guardian’ dhe anëtar i bordit të ri, ky veprim është një “mendim revolucionar”. “Një kompani që historikisht ka ngurruar për të dorëzuar kontrollin… ka deleguar pushtetin për të marrë disa vendime mjaft thelbësore në emër të saj”, thotë ai, i cili shpreson se bordi do të marrë më shumë kompetenca me kalimin e kohës. Facebook thotë se kjo është e parakohshme. Por Sir Nick Clegg, shefi i çështjeve globale, shpreson se kompetencat e bordit një ditë mund të zgjerohen për të shqyrtuar çështjet e paraqitura nga rrjetet e tjera sociale.

Të tjerë kanë ide të ngjashme. Artikulli 19, një grup për lobimin e fjalës së lirë, ka sugjeruar që platformat mund t’i transferojnë vendimet e tyre të moderimit te “këshillat e rrjeteve sociale” joqeveritare, të ngjashme me rojet e shtypit që në shumë vende janë përgjegjës që të kontrollojnë gazetat për t’iu përmbajtur një kodi të caktuar me vullnetin e tyre.

Tani për tani, rrjetet sociale duhet të kalojnë ndoshta dy javët më të vështira në historinë e tyre të shkurtër. Ato përballen me mundësinë e vendosjes së mjeteve të moderimit të përmbajtjes për demokracitë e brishta dhe në zhvillim. Facebook hoqi 120,000 postime, që synojnë shtypjen e votuesve në Amerikë në tremujorin e kaluar. Konflikti me ‘New York Post’ nuk parashikon mirë se si kompanitë mund të trajtojnë pasojat e një zgjedhjeje të kontestuar.

“Kur janë larguar nga politikat e tyre, rrjetet sociale janë përballur me akuza njëanshmërie”, thotë Evelyn Douek nga Shkolla e Drejtësisë në Harvard. Ndërsa zgjedhjet po afrohen, ato duhet t’i përmbahen ngushtë rregullave të qarta, thotë ajo. Po afrohet një stuhi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of