Lufta e vaksinave

19/02/2021 10:02 PM 0 komente

Vonesat e Europës në shpërndarjen e vaksinave COVID-19 po shkaktojnë tensione. Britania dhe BE, përsëri në mosmarrëveshje

 

Fillimi i vitit 2021 në Europë duhej të përqendrohej në injektimet e vaksinave. Por në vend të kësaj, vetëm sa po drejtohen gishtërinj dhe po hidhen kërcënime majtas-djathtas. Vonesat në shpërndarjen e vaksinave COVID-19 në vendet e BE-së kërcënojnë të pengojnë planet e vaksinimit, tashmë të ngadalta.

Lajmet për ngecjen e prodhimit kanë shkaktuar zemërime ndërsa politikanët, eurokratët dhe firmat e ilaçeve përpiqen të hedhin fajin gjetiu. Thirrjet për proteksionizëm vaksinash për të rregulluar problemin – për Europën – mund të ndalojnë vendet e tjera për të siguruar vaksina.

Fushata e vaksinimit të BE-së është ndër më të ngadaltat në botën e pasur: vetëm dy doza janë administruar për çdo 100 europianë, krahasuar me 7 në Amerikë dhe 11 në Britani. Gjërat dukej se po përmirësoheshin, ndërsa qeveritë rritën përpjekjet për shpërndarjen dhe administrimin e vaksinave.

Pastaj, më 22 janar, AstraZeneca njoftoi Komisionin Europian në Bruksel se fabrikat e saj në Europë po përballeshin me vështirësi në prodhimin e sasive të mjaftueshme të vaksinës që ajo kishte zhvilluar së bashku me Universitetin e Oksfordit. Përveç kësaj, para disa kohësh, Pfizer-BioNTech, një tjetër prodhues i vaksinave, shtyu për disa javë dërgesat e premtuara.

 

Konflikti

Ajo që AstraZeneca ishte përpjekur të portretizonte thjesht si një rregullim logjistik, shkaktoi shpërthim tërbimi të rrallë në komision. Krahu ekzekutiv i BE-së ka qenë i ngarkuar me sigurimin e vaksinave për 27 vendet anëtare të klubit. Politikanët kishin akuzuar se eurokratët ishin treguar shumë të ngadaltë në blerjen dhe miratimin e vaksinave. Lajmi se dërgesat e AstraZeneca do të ulen me dy të tretat ose më shumë në tremujorin e parë të vitit, e rriti edhe më shumë zemërimin në Bruksel.

Komisioni u përgjigj duke ricikluar zemërimin dhe duke e devijuar atë drejt firmës anglo-suedeze. Stella Kyriakides, komisionerja e shëndetësisë në BE, vuri në dukje pagesat paraprake të mëdha që kishte ofruar Europa për të vënë në punë linjat e saj të prodhimit dhe kërkoi kthimin e investimit. Qarkullojnë zëra se komisioni mendon se AstraZeneca e ka dërguar Europën në fund të radhës, ndoshta për të kënaqur klientët e tjerë. Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, kërkoi që Europa të kufizonte eksportet e dozave të prodhuara në BE.

Më 26 janar, Britania, e frikësuar se mos një politikë e tillë mund të ndërpriste importet e vaksinës Pfizer nga Belgjika, paralajmëroi për rreziqet e “nacionalizimit të vaksinave”. Më vonë, u zbulua se BE-ja donte që AstraZeneca të kompensonte mungesat në fabrikat europiane duke marrë nga fabrikat e saj britanike; që nga ajo kohë, Britania nuk i ka përsëritur më thirrjet për solidaritet ndërkufitar.

 

Në pritje të Soriot

Vonesa e AstraZeneca nuk u prit aspak mirë në Europë. Megjithëse vaksina e saj nuk pritej të miratohej nga rregullatorët e BE-së deri më 29 janar (dhe fillimisht mund të rezervohet për personat nën 55 vjeç), kompania kishte premtuar shumë vaksina brenda një kohe të shkurtër. Një publikim i orarit të dërgesave të pritshme në Francë, i lëshuar më 7 janar, tregoi se 62% e të gjitha vaksinimeve në shkurt, do të kryheshin me AstraZeneca.
Vendet e tjera të BE-së do të jenë në një pozitë të ngjashme.

Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e prodhimit të vaksinave Pfizer tani duhet të rezervohet për doza të dyta për ata që kanë marrë vaksinën e parë Pfizer, disa pjesë të Europës, si Rumania dhe pjesë të Italisë, kanë ngadalësuar vaksinimet. Vlerësimet tregojnë se shumë më pak vaksinime mund të administrohen sesa në javët e fundit, pikërisht në kohën kur Europa shpresonte t’i rriste ato. Kjo mund të nënkuptojë bllokime më të gjata, dëme më të thella ekonomike dhe votues më të zemëruar (si në Holandë, ku shpërthyen trazira për tre net radhazi kundër masave të karantinës).

Vonesat në shpërndarje e përqendruan vëmendjen në rolin e komisionit si blerësi qendror për vaksinën. Nëse çdo vend do të negocionte i vetëm, kjo mund të kishte lënë disa europianë të pavaksinuar, në varësi të shteteve. Por nga ana tjetër, Komisioni Europian u ngarkua me përgjegjësinë e një kontrate blerjeje që zakonisht merret përsipër nga shtetet anëtare. Ndryshe nga ata, burokracia e Brukselit nuk është e përgatitur mirë për ndërlikimet në kryerjen e porosive me vlerë miliarda euro për aeroplanë luftarakë dhe spitale të reja. Si rezultat, marrëveshjet e BE-së për të siguruar vaksina u nënshkruan disa muaj pas atyre në Britani dhe Amerikë.

 

Pak reagim

Sado që është revoltuar dhe ka bërë zhurmë, BE-ja nuk ka pasur shumë përgjigje nga AstraZeneca. Kontrata që ajo nënshkroi nuk është publike, por është një tjetër, që mendohet të jetë e ngjashme. Kjo përcakton që furnitorët e vaksinave kanë në dorë të gjitha kartat në rast vonesash. Pascal Soriot, shefi i AstraZeneca, tha se marrëveshja e firmës së tij të nënshkruar me BE-në, nuk ishte “një angazhim” për Europën, por një premtim i thjeshtë për t’u përpjekur të furnizonte doza shpejt.

Në një intervistë për gazetat europiane, ai tha se BE-ja po trajtohej në mënyrë të drejtë – por se ajo duhet të kishte zbutur pritshmëritë dhe duhej ta kishte kryer porosinë më herët.

Pasi hodhi paraprakisht tërë ato para tek AstraZeneca dhe mbeti me gisht në gojë, Europës i kanë mbetur pak mundësi. Nuk ka të ngjarë se do të anulojë porosinë e vaksinave – një dozë e vonuar është më mirë se asgjë. Çdo para që komisioni mund të rimarrë, do të ishte jo domethënëse dhe ndoshta për këtë do të duheshin vite.

Prandaj zoti Spahn hodhi idenë polemike për të frenuar eksportet. Një qasje e tillë do të zhvlerësonte pretendimet europiane për rëndësinë e tregtisë së lirë dhe shpërndarjen e furnizimeve të vaksinave përtej botës së pasur. Të tjerë u dëshpëruan. Si mundet BE-ja të luftojë në mënyrë të besueshme kundër proteksionizmit, për shembull nga vende si India, nëse ajo vetë do t’i përdorte kontrollet e eksportit si një mjet parësor për mbajtjen e vaksinave, vuri në dukje një diplomat.

“Ne i druheshim idesë Singapor-mbi-Tamis (duke iu referuar Britanisë pas Brexit); por këto ide po na kthejnë në Kubë-mbi-Senë”. Teksa fërkimet u ulën, komisioni dukej i gatshëm të zbatonte një “mekanizëm më të butë transparence”, i krijuar jo për të bllokuar dërgesat, por për t’i gjurmuar ato. Por mosmarrëveshja nuk ka mbaruar ende dhe nëse vonesat vazhdojnë ose përkeqësohen, rreziku i kufizimeve të eksportit duket se do të rishfaqet. Në fund të fundit, në kohë krize, shpesh secili sheh, në radhë të parë, interesin personal./ Përktheu: Lira Muça

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of