Zgjedhja midis një të sotmeje më të varfër dhe një të nesërmeje më të nxehtë. Pa disa triliona dollarë shtesë, politikanët përballen me një vendim të tmerrshëm, shkruan The Economist
Përfytyroni për një çast, sikur jeni një ministër i Financave në një vend në zhvillim. Në fund të një viti zhgënjyes nga pikëpamja e të ardhurave tatimore, ju keni mbetur pothuajse pa para.
Ato pak para që ju mbeten, mund t’i derdhni në sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit: paratë e shpenzuara nga klinikat ndihmojnë në kontrollin e sëmundjeve infektive dhe shumica e ekspertëve pajtohen se kjo do të ishte një nga format më të mira të përdorimit të parave. Por gjithashtu mund t’i shpenzonit për të ndërtuar një rrjet elektrik që është në gjendje të sigurojë kalimin në energji të pastër.
Në planin afatgjatë, kjo nënkupton më pak ndotje, tokë bujqësore më produktive dhe më pak përmbytje. Cili do të ishte përdorimi më i mençur i parave të pakta të një vendi: zbutja e varfërisë akute të menjëhershme, apo kontributi i vendit për të ndaluar mbinxehjen e planetit?
Ky eksperiment i përfytyruar është një version i thjeshtuar i një dileme me të cilën po përballen tani institucionet globale dhe vendet në zhvillim. Së fundmi, politikanët u mblodhën në Paris për një samit ku do të hartonin “një pakt të ri financiar global”. Qëllimi ishte të gjendej mënyra se si mund të shpërndahej kostoja e ndryshimeve klimatike.
Erdhën një numër i madh udhëheqësish nga vendet e varfra; por përveç presidentit francez Emmanuel Macron, nuk u shfaq asnjë udhëheqës i një vendi perëndimor.
Pra nuk ishte çudi, që mbledhja përfundoi pa kontributin shtesë të asnjë shteti të pasur për klimën. Në vend të kësaj, të pranishmit u përplasën me Bankën Botërore dhe FMN-në, agjencitë shumëpalëshe më të mëdha në botë që synojnë të ulin varfërinë. Mungesa e veprimit nënkupton se priten kompromise të dhimbshme në të ardhmen.
Nevojitet një shumë e madhe parash për të ndihmuar vendet e varfra në këtë drejtim. Në vitin 2000, të gjitha vendet në zhvillim, duke përjashtuar Kinën, përbënin më pak se 30% të emetimeve vjetore të karbonit.
Deri në vitin 2030, ato do të përbëjnë shumicën. Instituti Grantham, në London School of Economics, vlerëson se tani, vendet e varfra duhet të shpenzojnë 2.8 trilionë dollarë në vit, në mënyrë që të pakësojnë emetimet dhe të mbrojnë ekonomitë e tyre kundër ndryshimeve klimatike.
Instituti mendon se këto vende duhet gjithashtu të shpenzojnë 3 trilionë dollarë në vit, në sektorë si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, për të luftuar varfërinë. Kjo shifër mund të rritet.
Që nga Covid-19, treguesit e zhvillimit kanë ngecur në fusha të ndryshme, duke filluar nga vdekjet e shkaktuara nga virusi HIV, deri te numri i njerëzve në varfëri të skajshme.
Bota nuk po shpenzon
Bota nuk po shpenzon sa duhet për të luftuar këtë dukuri. Në vitin 2019, viti i fundit për të cilin ka të dhëna të besueshme, vetëm 2.4 trilionë dollarë shkuan për klimën dhe zhvillimin.
Sipas Institutit Grantham, vendet e pasura dhe bankat duhet të shtojnë të paktën 1 trilion dollarë (pjesa tjetër duhet të vijë drejtpërdrejt nga sektori privat dhe nga vetë vendet në zhvillim).
Në vitin 2009, vendet e pasura ranë dakord që të siguronin 100 miliardë dollarë shtesë në vit deri në vitin 2020. Ata e kanë humbur objektivin çdo vit që nga ajo kohë, duke arritur vetëm në 83 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe një pjesë e madhe e parave kanë ardhur nga bankat e zhvillimit.
Duke përjashtuar financimin për klimën dhe shpenzimet për refugjatët, ndihma nga vendet e OECD-së, ka qenë e pandryshuar gjatë dekadës së fundit.
Në një artikull të fundit, një sërë udhëheqësish botërorë, duke përfshirë Joe Biden nga SHBA-ja, William Ruto nga Kenia dhe Muhammad bin Zayed nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan se ishin të bindur se “ulja e varfërisë dhe mbrojtja e planetit janë objektiva konvergjente”. Disa politika ofrojnë me të vërtetë rregullime të dobishme për të dyja.
Bujqësia e qëndrueshme shkurton emetimet, mbron furnizimin me ushqim dhe ul rrezikun e urisë. Ruajtja e bimëve tropikale thith karbonin, mbron nga stuhitë dhe ndihmon në sigurimin e jetesës për peshkatarët.
Në përgjithësi, dëmtimi nga ndryshimet klimatike e bën zhvillimin më të shtrenjtë dhe ndalimi i ndryshimeve klimatike e bën atë më të përballueshëm.
Por megjithëse pajtimi është i mundur, ai ndodh rrallëherë. Shpenzimet për të ulur emetimet do të shkojnë drejt vendeve me të ardhura mesatare, të cilat ndotin më shumë; ndërsa shpenzimet për uljen e varfërisë do të shënjestrohen drejt vendeve me të ardhura të ulëta, ku jetojnë të varfrit.
Studiuesit e FMN-së, të cilët kanë analizuar të dhënat nga 72 vende në zhvillim që nga viti 1990, zbulojnë se ekziston një model fatkeq: një rritje prej 1% e PBB-së vjetore, ndiqet mesatarisht nga një rritje prej 0.7% në emetime.
Arsyet për këtë janë të thjeshta. Industritë në rritje kërkojnë shumë energji. Bujqësia e madhe dhe e mekanizuar kërkon shumë hapësirë; rritja e saj është arsyeja kryesore e shpyllëzimit. Banka Afrikane e Zhvillimit (AFDB), llogarit se Afrikës i nevojiten 160 gigavat (GW) kapacitet shtesë deri në vitin 2025.
Kontinenti tani gjeneron vetëm 30 GW energji të rinovueshme. Në takimin e fundit vjetor të Bankës Afrikane Exim në Akra, po zhvilloheshin bisedime se si mund të minohen metalet për tranzicionin e gjelbër, pa pasur shumë shqetësim për ndotjen që kjo do të sillte.
Në teori, brezi i ardhshëm i vendeve që po industrializohen mund ta fuqizojë rritjen ekonomike duke përdorur rrjete të rinovueshme, në vend të atyre që funksionojnë me naftë dhe gaz. Afrika ka më shumë potencial diellor se çdo kontinent tjetër, si dhe shumë minerale që mund të përdoren për bateri.
Megjithatë, pavarësisht se rritja e gjelbër është e mundur, kjo nuk po ndodh. Për më tepër, zëvendësimi i rrjeteve të vjetra dhe instalimi i teknologjisë së re, është shumë i shtrenjtë për vendet në zhvillim.
Për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2050, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, mendon se vendet në zhvillim duhet të shpenzojnë të paktën 300 miliardë dollarë në rrjetet e rinovueshme deri në vitin 2030, pesë herë më shumë se shpenzimet e tyre të tanishme.
Ëndrrat “e gjelbra”
Kështu që nuk ka një rrugëdalje në fushën e financave e cila nuk përfshin rritjen e shpenzimeve. Dhe siç tregon përparimi i pakët në Paris, nuk ka gjasa që vendet e pasura të rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme shpenzimet e ndihmës për vendet më të varfra.
Pas konferencës, vendet donatore dhe Banka Botërore planifikojnë të shpërndajnë më shumë pagesa në rast të fatkeqësive të skajshme natyrore, dhe kanë ricikluar nga vendet e pasura një sasi modeste të “të drejtave të veçanta të tërheqjes”, një instrument financiar që e cakton FMN-ja në bilancin e bankës qendrore të çdo vendi. Nuk është zbuluar ende se nga do të vijë një pjesë e financimit të premtuar dhe nuk dihet as mekanika e shpenzimit.
Politikanët afrikanë bënë disa propozime më ambicioze. Ato përfshinin ide për taksat globale dhe krijimin e një institucioni të ri financiar ndërkombëtar “që nuk është peng i aksionerëve të tij”, siç u shpreh zoti Ruto. Këto propozime u trajtuan si skandaloze. “Të taksohet nga kush?
Dhe për kë?” kërkoi të dinte zoti Macron. Edhe një taksë mbarëbotërore mbi transportin, të cilën Macron e mbështet, përballet me vite të tëra mosmarrëveshjesh politike. “Ne do t’i harrojmë të gjitha këto për disa muaj”, psherëtiu një ministër Financash. “Ka një përplasje midis së mirës globale dhe interesit kombëtar”, tha zoti Ruto. “Dhe interesi kombëtar fiton gjithmonë”.
Kjo tregon se duhet të bëhen dy shkëmbime të papëlqyeshme. I pari ka të bëjë me prioritetet për qeveritë kombëtare. Duke pasur parasysh mungesën e përgatitjes së tyre dhe temperaturat e larta, vendet në zhvillim janë ndër më të cenuarat nga ndryshimet klimatike.
Në dy dekadat e ardhshme, ndotja dhe nxehtësia e skajshme do të përkeqësojnë shëndetin e njerëzve. Fatkeqësitë natyrore do të bëjnë kërdinë dhe do të shkaktojnë kosto të mëdha rindërtimi.
Por në një periudhë afatshkurtër, qeveritë nuk janë të sigurta se si mund të zhvillohen vendet e tyre pa lëndë djegëse fosile. Ekonomitë pengohen nga rrjetet elektrike të meta dhe energjia e pamjaftueshme, që do të thotë se zyrtarët janë në kërkim të energjisë.
Nafta, gazi dhe mallrat e tjera të papërpunuara janë burime të vlefshme të këmbimit valutor për vendet eksportuese. Pa të ardhurat nga karburantet fosile, të paktën një duzinë vendesh të varfra, duke përfshirë Ekuadorin dhe Ganën, do të përballeshin me një barrë borxhi të pakontrollueshme, sipas raporteve të FMN-së.
Qeveritë nuk janë gjithmonë përgjegjëse për rritjen e karburanteve fosile, por edhe duke kontribuar në mënyrë të tërthortë nëpërmjet pagesave për tregtinë, ato kanë rritur emetimet.
Ka një trysni të madhe për të gjetur fonde për shërbimet publike. Vitin e kaluar, pasi pagoi kreditorët dhe nëpunësit civilë, Zambias i kishte mbetur vetëm 13% e buxhetit. Ky vend është një rast i skajshëm, por shumica e qeverive të vendeve në zhvillim, kanë pak hapësirë për manovrim.
“Si mund ta justifikoj përpara votuesve heqjen e subvencioneve, financimit të shkollave dhe kujdesit shëndetësor, për të ndërtuar një fabrikë të përpunimit të mbetjeve ose një mur të madh detar?” pyet një ministër financash.
“Në 20 vjet, sigurisht që do të jetë e dobishme, por kostoja e tanishme është shqetësuese”. Ai pretendon se kostoja e ndërtimit të një shkolle në kryeqytetin e tij, është dyfishuar në dekadën e fundit, për shkak të nevojës për t’i bërë ndërtimet ekologjike.
“Si mund të zgjedhim midis spitaleve që trajtojnë sëmundjet e mushkërive dhe përdorimit të autobusëve elektrikë?”
Si rrjedhojë, vendet në zhvillim janë shumë larg objektivave kombëtare të klimës të caktuara për herë të parë në takimin COP21 në vitin 2015. Impiantet e reja të qymyrit do t’i ofrojnë Indonezisë 60% të energjisë elektrike, të paktën deri në vitin 2030. Çlirimi i karbonit që do të vijë nga ky proces, do ta shtyjë vendin edhe më larg objektivit.
Midis viteve 2019 dhe 2027, politikanët brazilianë, duke kërkuar të shmangin mungesat në hidrocentrale që vijnë për shkak të thatësirave gjithnjë e më të shpeshta, planifikojnë të shpenzojnë 500 miliardë dollarë për naftë dhe gaz. “Vendet afrikane kanë nevojë për një plan të drejtë daljeje nga lëndët djegëse fosile”, thotë Mavis Owusu-Gyamfi nga Qendra Afrikane për Transformimin Ekonomik.
Efekti Mathew
Kjo na çon te kompromisi tjetër që duhet të kryejnë financuesit ndërkombëtarë. Nëse qëllimi është të shkurtohen emetimet sa më shpejt të jetë e mundur, ose të “zbuten” ndryshimet klimatike, atëherë mënyra më e mirë për të shpenzuar është duke ofruar kredi dhe grante të lira për vendet me popullsi të madhe dhe të ardhura të mesme.
Vitin e kaluar, industria indoneziane e energjisë me qymyr, lëshoi më shumë dioksid karboni se Afrika Nënsahariane, pa përfshirë Afrikën e Jugut. Uzinat e qymyrit të vendit do të jenë fitimprurëse deri në vitin 2050, përveç rastit nëse qeveria nxitet që t’i tërheqë ato para përmes kredive dhe granteve të lira.
Sipas studiuesve të FMN-së, rreth 357 miliardë dollarë duhet të derdhen në tre vende të mëdha me të ardhura mesatare (India, Indonezia dhe Afrika e Jugut) çdo vit deri në vitin 2030, në mënyrë që të heqin dorë nga termocentralet e tyre me qymyr deri në vitin 2050.
Mia Mottley, kryeministrja e Barbadosit, e cila mirëpriti së bashku me Macron-in pjesëmarrësit në konferencën e Parisit, po e nxit Bankën Botërore që t’u ofrojë vendeve me të ardhura mesatare, kredi të lira që zakonisht i rezervon për më të varfrit.
Dollarët arrijnë më shumë rezultat në vendet me të ardhura mesatare, pasi është më e lehtë për të tërhequr para private. Në Paris, presidenti i ri i Bankës Botërore, Ajay Banga, drejtoi një grup që hodhi ide të reja rreth garancive dhe skemave të sigurimit që kanë nevojë për financim koncesionar.
Shumica do të zbatohen në vendet me të ardhura mesatare, ku ka sektorë të mëdhenj privatë dhe ku të bërit biznes është relativisht e thjeshtë. Vendeve të tilla gjithashtu u pëlqen më shumë energjia e pastër, e cila do të sjellë një kthim fitimi, se sa përshtatjet e kushtueshme për t’u mbrojtur nga ndryshimet klimatike, të cilat nuk sjellin para.
“Çdo muaj, në derën time trokasin kompani të naftës dhe gazit. A e dini sa kompani nga sektori privat kanë ofruar për të mbrojtur pyjet e mia? Asnjë”, thotë një ministër afrikan.
Kenia dhe vendet e pasura organizuan një mbledhje fondesh humanitare për Afrikën në maj. Ekonomitë e përparuara kanë premtuar vetëm 2.4 miliardë dollarë, nga një objektiv prej 7 miliardë dollarësh.
Projektet më të mëdha të financimit të klimës, deri tani janë paketat “Tranzicioni i pastër i energjisë”, që përfshijnë kredi dhe grante nga bankat, shtetet e pasura dhe firmat private, të cilat synojnë të nxisin vendet me të ardhura mesatare që të kalojnë nga karburantet fosile, në energji më të pastër.
Paketa e Indonezisë vlen 20 miliardë dollarë, ku rreth 10 miliardë vijnë nga qeveri të tjera me norma të lira. Afrika e Jugut ka fituar 8.5 miliardë dollarë në financime koncesionare. Plane të tilla janë fitimprurëse.
Nëse Indonezia i qëndron besnike premtimeve të saj, ajo do të kufizojë emetimet vjetore të energjisë në 290 megaton në vitin 2030. Kjo do të përfshijë mbylljen e shumë impianteve të qymyrit dhe Indonezia do të bëhet një nga vendet e pakta me emetime që i afrohen objektivave për një botë që ngrohet me vetëm 1.5°C.
Grantet janë pjesa më e rëndësishme. Duke pasur në dispozicion një shumë të kufizuar, shqetësimi është se do të dalin të humbura vendet me të ardhura të ulëta, të cilat kanë filluar të mbështeten në financime të lira. Ministrat në vende të tilla janë të shqetësuar për mungesën e financimit për tranzicionin energjetik.
Pa mbështetje, ata do të mbeten me asete të bllokuara nga investimet në objektet e karburanteve fosile, për të cilat do të ketë pak kërkesë. Por ata janë më të shqetësuar se duhet të pakësojnë shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin. Në fund të fundit, mund të kenë pak zgjedhje. Në vitin 2021, më pak se një e katërta e granteve dhe kredive të lira shkuan në vendet më të varfra, nga pothuajse një e treta një dekadë më parë.
Tetëdhjetë vende të varfra, duke përfshirë Nigerinë dhe Pakistanin, morën së bashku vetëm 22 miliardë dollarë ndihmë për zbutjen e efekteve negative dhe përshtatjen ndaj klimës në vitin 2021. Vitin e kaluar ndihma dypalëshe për Afrikën Nënsahariane ra me 8%.
Në Paris, presidentët e Kenias dhe Çadit kritikuan vendet e pasura për mungesën e veprimit në lehtësimin e borxhit. “Do të vlerësonim pak mirëkuptim”, u ankua zoti Ruto. Nga ana tjetër, ata nuk e mbështetën fushatën e zonjës Mottley për huadhënie me kushte më bujare për vendet me të ardhura mesatare.
Në mënyrë private, ata u ankuan edhe për hipokrizinë perëndimore, duke i akuzuar udhëheqësit europianë se u kërkojnë vendeve të varfra që të ndalojnë subvencionimin e lëndëve djegëse fosile dhe të anashkalojnë përdorimin e gazit dhe qymyrit si burime vendase të energjisë, dhe nga ana tjetër, ndërtojnë termocentrale me qymyr në atdhe dhe rritën importet e gazit nga Afrika pas pushtimit rus të Ukrainës.
Banka Botërore, ofruesi më i madh në botë i financimit për klimën dhe zhvillimin, ka ngecur midis dy qëllimeve. Janet Yellen, e cila si sekretare e Departamentit të Thesarit të Amerikës ka ndikim të jashtëzakonshëm mbi institucionin, e kaloi pjesën më të madhe të një turneu në Afrikë vitin e kaluar, duke u ankuar për cilësinë e financimit për klimën nga ana e bankës.
Hulumtimi nga Qendra për Zhvillimin Global zbuloi se 2500 projektet e financimit të klimës që banka ka krijuar që nga viti 2000, nuk kanë pasur pothuajse asnjë ndikim të dukshëm në emetimet, ose në përgatitjen e shteteve për një botë më të nxehtë. Pavarësisht projekteve me synime ekologjike, shumica e parave të shpërndara, shkuan për punë që i shërbenin synimeve të bankës për zbutjen e varfërisë.
Një nga arsyet pse banka has probleme kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike është se ajo është e orientuar drejt zbutjes së varfërisë. Banka po planifikon të krijojë një sistem të ri për të gjurmuar ndikimin e parave që shpenzon në ndryshimet klimatike. Dhe ka një sërë sugjerimesh se si mund të përparojë më tej në këtë drejtim.
Këto përfshijnë dhënien e huave shtesë për ndryshimet klimatike, të cilat përbëjnë më shumë se një të tretën e totalit dhe ndryshimin e kritereve me të cilat stafi merr shpërblime.
Propozime të tilla ushqejnë frikën midis vendeve me të ardhura të ulëta, se ndryshimet e Bankës Botërore rrezikojnë të pakësojnë fluksin e fondeve për zbutjen e varfërisë.
Probleme financiare
Prapa skenave në Paris, dolën në pah ndarjet. Disa persona në financat ndërkombëtare, mendojnë se klima është tani përparësi. Ata argumentojnë se nëse nuk ka një planet në të cilin njerëzit mund të jetojnë, atëherë zbutja e varfërisë bëhet e kotë. “Ne kemi folur për zhvillimin për 40 vjet”, thotë Vera Songwe nga Instituti Grantham.
“Por ky është një luks që nuk e kemi me klimën”. Ka shpresa që disa vende mund të pasurohen nga tranzicioni i gjelbër. Sidoqoftë, sipas këtij mendimi, të gjitha shtetet duhet të eliminojnë emetimet neto, duke përfshirë ato në Afrikë, disa prej të cilave nuk emetojnë pothuajse asgjë.
Shuma të mëdha financimi duhet të shkojnë drejt vendeve që emetojnë më shumë. Duhet të bëhen kompromise për të përfshirë kapitalin privat. Bankat e zhvillimit kanë nevojë për kritere të reja për të gjykuar huadhënien e tyre dhe qeveritë kanë nevojë për ndihmë për të shpenzuar në mënyrë efektive financat e tyre për klimën.
Të tjerë nuk janë dakord. “Ju lutem, mos i bëni financat e klimës në kurriz të investimeve bazë në kapitalin njerëzor”, thotë Mark Suzman, shefi ekzekutiv i Fondacionit Gates. Sipas këtij grupi, tranzicioni i gjelbër do të funksionojë vetëm nëse ndodh një rritje e produktivitetit nga investimet në shëndetësi dhe arsim për punëtorët e kualifikuar.
Anëtarët e grupit kanë dyshime se vendet me të ardhura mesatare nuk kanë nevojë për aq shumë ndihmë sa ç’pretendojnë. Ata argumentojnë se vendet më të varfra duhet të marrin financim klimatik për t’u përshtatur, jo fonde parash për të kufizuar emetimet.
Një grup propozon shpenzime për të rritur “qëndrueshmërinë ndaj klimës”, që përfshin sigurimin e shkollave me kanalizime në rast stuhie, dhe edukimin e fëmijëve rreth teknologjisë së gjelbër.
Të tjerë i konsiderojnë këto si kërkesa të fryra. Ministrat e vendeve në zhvillim janë të zemëruar nga ideja se financuesit ndërkombëtarë po e bëjnë këtë debat mes tyre, në vend që t’u japin fjalën kryesore vendeve në zhvillim se çfarë të bëjnë me këto para të gatshme. Edhe institucionet më të vogla po mbajnë anë.
Banka Aziatike e Investimeve dhe Infrastrukturës, një grup i udhëhequr nga Kina, po mendon që të zhvendosë të gjithë huadhënien e saj në financimin e klimës. Ndryshe nga Banka Botërore, ajo nuk është përgjegjëse për zbutjen e varfërisë. “Kjo do të bëhet një prioritet i rendit të dytë për ne”, ngre supet një zyrtar.
The Economist bisedoi me më shumë se 20 ekonomistë, financierë dhe politikëbërës të përfshirë në debat. Kur u pyetën nëse klima apo zhvillimi ekonomik duhet të jetë përparësi, ata ishin të ndarë në mënyrë të barabartë. Ndërsa bota bëhet më e nxehtë dhe varfëria nuk bëhet më pak e ngutshme, përçarja vetëm sa do të zgjerohet.
Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.