Prodhimi vendas i duhanit pa një goditje të fortë vitin e kaluar si rezultat i luftës ndaj informalitetit që qeveria mori ndaj prodhuesve të bimës.
Për pasojë prodhimi i duhanit vendas dhe eksporti i tij shënuan rënie.
Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e duhanit dhe zëvendësuesve të tij arritën në 482 milionë leke me një rënie 33 për qind në krahasim me vitin 2014, ku të ardhurat nga eksporti i duhanit në ekonominë shqiptare ishin 715 milionë leke (6 milionë dollarë). Sipas të dhënave të INSTAT, eksporti i duhanit shënoi vlerën më të ulët që nga 2011.
Edhe importet e cigareve u reduktuan vitin që shkoi me gati 20% duke u konsideruar si shkaku kryesor për deficitin e lartë në të ardhurat doganore. Autoritetet e Financave arsyetuan se shkak për importet e ulta u bë prodhimi vendas i duhanit.
Në inspektimet e përbashkëta me Crown Agent, doganat zbuluan se duhani vendas paketohej në cigare dhe shitej për konsum në tregun vendas pa paguar taksa. Në pamundësi për të kontrolluar zinxhirin e evazionit, tatim-taksat nisën një aksion vitin që shkoi në zonat më prodhuese të duhanit në vend. Në Elbasan dhe Shkodër u shkulën mijëra rrënje pak para pjekjes.
Aksioni ka bërë që prodhuesit dhe tregtarët e duhanit vendas të kenë më pak aktivitet dhe për rrjedhojë më pak eksporte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.