Vitin e kaluar, anijet e peshkimit reduktuan daljen në det nga çmimet e larta të naftës, ndërsa rezervatet ulën sasitë e mbarështimit të peshkut nga çmimet e larta të drithit dhe sojës të nxitura nga lufta në Ukrainë. Prodhimi i peshkut në total shënoi rënie, por sasitë janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, sidomos nga akuakultura. Peshkatarët kanë rritur investimet në anije dhe rezervate, por mungesa e punonjësve është kthyer në një pengesë serioze. Perspektiva e bizneseve të peshkimit është optimiste nga zhvillimet pozitive prej rritjes së kërkesës nga eksporti, turizmi dhe ndryshimi i stilit të jetesës, ku peshku po gjen përparësi. Si po dëmtohet sektori nga ndryshimi në biodiversitet. Sfidat me të cilat po përballet sektori
Blerina Hoxha
Peshkimi është dega më produktive e bujqësisë për shkak të vlerës më të lartë dhe perspektivës nga kërkesa që po nxit turizmi, por peshkatarët, si në të gjithë sektorët e tjerë, janë duke vuajtur mungesën e punonjësve dhe kostot e larta të aktivitetit që janë rritur ndjeshëm pas luftës në Ukrainë.
Flota e peshkimit në ujëra të thella uli ditët e lundrimit në det, për shkak të çmimit të lartë të naftës, ndërsa fermat e kultivimit të peshkut në ujërat detare u përballën me kosto të larta të bazës ushqimore, drithë dhe sojë. Kjo situatë uli fitimet e bizneseve të peshkimit dhe çoi në rënien e nxënies dhe kultivimit të peshkut në vitin 2022.
Të dhënat e INSTAT referuan se, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore ishte rreth 17,700 tonë vitin e kaluar, me rënie vjetore me 3.8% në sasi. Tkurrjen më të madhe me 16% e kishte peshku i detit.
Klodian Kapiti, i cili drejton Shoqatën e Peshkimit në Durrës, tha se vitin e kaluar, anijet e peshkimit kufizuan gjuetinë për shkak të çmimit të lartë të naftës.
Ai tha se investimet në marinën detare të peshkimit janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, por rritja e kostove të operimit dhe mungesa e punonjësve krijuan vështirësi në fitimet e biznesit. Teksa kostot e aktivitetit u shtuan, çmimet e peshkut në tregje janë shtrenjtuar me ritme më të ulëta se artikujt e tjerë ushqimorë.
Roland Kristo zv.ministri i Bujqësisë për Peshkimin, tha se çmimi i karburantit u rrit në nivele rekord dhe solli rënie drastike të ditëve të peshkimit dhe të prodhimit vitin e kaluar.
Vetëm në periudhën shkurt – prill 2022, numri i ditëve të peshkimit ishte 1300 më pak se e njëjta periudhë e vitit 2021. E njëjta tendencë ishte edhe për periudhën maj – qershor, duke sjellë pothuajse ndalimin total të peshkimit detar, tha z. Kristo.
Nga ana tjetër, fermat e peshkut që kultivojnë lloje të ndryshme të tij në ujërat e ëmbla dhe në det u përballën me çmime të larta të bazës ushqimore.
Muharrem Jazo, një nga aksionerët e kompanisë “Alb-Adriatico, tha se kultivimi i peshkut është para një perspektive të mirë nga shtimi i kërkesës, por vitin e kaluar kostot u rritën ndjeshëm nga çmimi i sojës dhe drithit, baza e ushqimit për peshqit, të cilat ishin gati 60% më shumë se në vitin 2021.
Vitin e kaluar prodhimi i peshkut në fermat e akuakulturës arriti në 7,986 tonë, me rënie vjetore 1%. Sasia e peshkut të kultivuar në ferma ka shënuar rritje të fortë vitet e fundit duke u barazuar me sasitë peshkut të zëna, por politikat e BE për mjedisin po rregullojnë vit pas viti gjuetinë e peshkut të egër, kështu që përparësi do të ketë kultivimi që siguron prodhim më të sigurt.
Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se sektori i peshkimit zë rreth 1% të PBB-së, teksa punëson me rreth 4500 persona, por potencialet janë shumë më të larta, referon një studim i kryer vitet e fundit nga përfaqësia e Bankës Botërore. Informaliteti i punësimit në sektor është i lartë, për shkak të sezonalitetit dhe peshkimit në të zezë në ekonomitë familjare të vendbanimeve pranë ujit.
Aktiviteti i peshkimit pritet të rritet me më shumë se 40% deri në vitin 2030, duke arritur në 170 milionë euro. Pritet që konsumi mesatar i prodhimeve të detit të rritet në linjë me përmirësimin e standardeve të jetesës dhe të PBB-së për frymë.
Aktualisht, mesatarja zyrtare e konsumit të prodhimeve të detit është 5,3 kg për frymë në vit në vendin tonë, që është shumë më e ulët sesa ajo e fqinjëve mesdhetarë të Shqipërisë, teksa në BE është 25 kg në vit.
Megjithatë, konsumi real i peshkut ka gjasa të jetë më i lartë, duke pasur parasysh shitjet informale dhe të paraportuara të prodhimeve të detit.
Nisur nga rritja e të ardhurave për frymë, potenciali i rritjes së tregut të produkteve të peshkut, sektori pritet të arrijë një vlerë totale rreth 180 milionë euro deri në fund të dekadës, nga rreth 110 milionë euro më 2021. Në vitin 2022, vlera e tregut të peshkut të prodhuar arriti në 117 milionë euro, duke llogaritur sasitë e zëna me çmimin mesatar 790 lekë në tregjet e pakicës.
Prodhimi i përgjithshëm i peshkimit u rrit nga 1,500 tonë në vitin 1950 në 15,016 tonë në vitin 1990, duke rënë pikiatë në vitin 2000 me 3600 tonë dhe duke u rikuperuar me 17,783 tonë në vitin 2022. Edhe pse kuota e zënies është stabilizuar gjatë viteve të fundit, Organizata Botërore e Ushqimit (FAO vlerëson se deri në 80% e fondit të peshkut është e mbishfrytëzuar.

Peshku i detit, rritet kërkesa dhe çmimi bie prodhimi
Çmimi i peshkut të detit që rritet në gjendje të egër është dy-tre herë më i lartë se prodhimi në rezervate. Çmimi dhe kërkesa për këto produkte po rritet me shpejtësi vitet e fundit nga restorantet, por gjithashtu gjuetia e tij është e vështirë dhe me kosto.
Vitin e kaluar, peshku i detit arriti sasinë prej 4319 tonë, me rënie vjetore 16%. Peshku i detit zë gati 25% të totalit të peshkut që prodhohet gjatë një viti në ujërat shqiptare.
Dekadën e fundit, që pas vitit 2012, sasia e peshkut të zënë në det është dyfishuar, duke arritur mesatarisht mbi 5 mijë tonë pas vitit 2012, nga më pak se 2 mijë gjatë 2000-2012, sipas të dhënave zyrtare.
Ujërat bregdetare shqiptare njihen për larminë e peshkut me vlerë ekonomike të lartë. Mes specieve të peshkut me vlerën më të lartë ekonomike janë peshqit e vegjël, açuget dhe sardelet dhe ata mëdhenj si toni dhe speciet që jetojnë në fund të detit, merluci europian, barbuni, gjuhëza dhe sepja.
Edhe karkaleci i detit gjendet brenda ZEE-së shqiptare. Edhe pse industria e peshkut dhe e prodhimeve të detit zë një pjesë relativisht të vogël në ekonominë kombëtare, ka ende hapësira të mëdha për rritje. Z. Kapiti, i cili operon në këtë biznes thotë se, vitin e fundit aktiviteti u vështirësua së tepërmi nga çmimi i lartë i naftës.
Një anije kur del në det ka kosto të lartë të shpenzimeve dhe nuk dihet asnjëherë si shkon gjuetia. Shumë peshkatarë që kanë anije kanë rezultuar me humbje vitin e kaluar, për shkak të rritjes së kostove.
Ai tha se anijet vuajnë nga mungesa e zinxhirit mbështetës, si portet e posaçme me standarde, kostot e larta të remontit dhe operimit. Këto kosto u rënduan së tepërmi vitin e kaluar, pasi çmimi i karburantit u rrit shumë dhe anijet janë mjetet që kërkojnë sasi të mëdha karburanti.
Z. Kapiti operon prej rreth 20 vitesh në aktivitetin e peshkimit, por thotë se shpesh i duhet vetëm të mbijetojë se për fitim as nuk bëhet fjalë.
Ai tha se në të gjithë botën, sektori i peshkimit subvencionohet nga shteti. Edhe në Shqipëri ka program mbështetje për peshkimin, mirëpo dokumentet dhe procedurat nuk janë të arritshme te peshkatarët. Sektori vuan gjithashtu mungesën e mbështetjes me kredi nga bankat.
Në vitin 2022, për sa u përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Karkaleci i thellësisë” me 18,08% ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Açuga” me 17,94% dhe “Merluc” me 12,45%. Rezultatet në zënien e karkalecit lidhen me investimet në flotën e re të anijeve që tashmë gjuajnë në thellësi mbi 300 metër, tha z. Kapiti.

Zgjerohet flota e peshkimit, por nuk ka punonjës
Flota shqiptare e peshkimit është e vjetërsuar e pakët në numër, por vitet e fundit investimet janë zgjeruar me shpejtësi. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2022 u regjistruan edhe 32 anije të reja. Numri i anijeve të peshkimit arriti në 784 gjatë vitit të kaluar nga 581 të tilla në vitin 2015, me zgjerim 35%.
Zoti Kapiti, i cili drejton Sindikatën e Peshkimit në Durrës dhe zotëron një anije peshkimi, tha se peshkatarët kanë rritur ndjeshëm investimet në anije, por është shumë e vështirë gjetja e punonjësve.
Në vitin 2022, Durrësi është porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara me 37,24% të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka 30,48% të numrit të përgjithshëm të flotës, ndjekur nga Porti i Sarandës me 15,18%. Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licencuara për peshkim janë ato të Lushnjë-Fier me 2,30% dhe Himarës, me 1,53%.
Nxënia e peshkut të egër është një nga tre profesionet më të vështira në të gjithë botën dhe si i tillë, edhe në Shqipëri. Për shkak të rreziqeve të mbart flota shqiptare e peshkimit, aktualisht është duke vuajtur gjetjen e punonjësve, teksa investimet në anije dhe mjete po zgjerohen nga operatorët e tregut, tha z. Kapiti.
“Dekadën e kaluar kishim punonjës, por nuk kishim mjete dhe anije. Tani kemi mjete, por nuk kemi njerëz”, – tha peshkatari i cili shpjegoi se, nxënia e peshkut të egër i mban të lidhur bizneset më shumë për pasion se sa për fitime.
Që nga viti 2015, kur nisi edhe fluksi i turizmit, është rritur vëmendja ndaj sektorit të peshkimit, por rendimenti mbetet i ulët për shkak se nuk ka më forcë punëtore që kërkohen të angazhohet në këtë profesion.
“Peshkimi, më shumë se sa profesion, është një traditë. Në familjet durrsake me emër në këtë fushë kjo traditë po zhduket, të rinjtë nuk duan të trashëgojnë profesionin dhe për rrjedhojë shumë peshkarexha po tentojnë të punësojnë të huaj”, – thotë ai.
Punësimi i të huajve ka kosto dhe konkurrencë nga vendet fqinjë, kështu që problemi i profesionistëve mbetet shqetësimi kryesor për bizneset e anijeve të peshkimit.
Akuakultura në rritje të shpejtë, po pengohet nga kostot
Kultivimi i peshkut në rezervate mori hov vitet e fundit, nxitur nga zhvillimet pozitive nga kërkesa në tregun vendas dhe integrimi i fermave në zinxhirët e eksportit.
Në vitin 2022, prodhimi i peshkut në rezervate arriti në 7,986 tonë, me rënie 1% në krahasim me vitin e kaluar, por në krahasim me vitin 2018, sasia e peshkut në ferma i është rritur me 55%.
Industria e akuakulturës përfaqëson gati 45% të totalit të peshkut të prodhuar dhe të kapur në vend vitin e kaluar. Fermat e mbarështimit të peshkut janë të përqendruara në zonën e Vlorës.
Muharrem Jazo, operator i vjetër në këtë sektor që zotëron “Alb-Adriatiko”, një nga rezervatet më të mëdha të rritjes së kocës dhe levrekut, thotë se, pas luftës në Ukrainë, fermat e kultivimit të peshkut u përballën me kostot e larta të lëndës së parë, ushqimi, i cili u rrit mbi 60%.
Duke qenë se drithi dhe soja janë ushqimet kryesore të peshqve, çmimi i tyre u rrit ndjeshëm, pasi Ukraina ishte furnizuesi kryesor me këto produkte edhe të fermave shqiptare të kultivimit të peshkut. Që prej vitit të kaluar, fermat e akuakulturës po punojnë me pak fitime, për shkak të rritjes së kostove, tha z. Jazo.
Ai mendon se situata do të përmirësohet shpejt, pasi kërkesa për peshk po rritet nga viti në vit, si nga tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm. Në tregun e brendshëm ka hapësira të mëdha, pasi konsumi për frymë është ende i ulët. Kërkesa po rritet me shpejtësi vitet e fundit si në Tiranë dhe në qytetet bregdetare.
Zoti Jazo thotë se numri i lartë i turistëve ka rritur kërkesën për peshk nga restorantet. Por gjithashtu kompania e tij eksporton jashtë vendit. “Plotësoj të gjitha standardet e cilësisë për eksportuar në vendet e BE-së.
Kam marrë të gjitha certifikatat dhe tani shes në tregjet e Francës dhe Gjermanisë. Eksporti i peshkut ka një vlerë më të lartë se prodhimet e tjera nga Shqipëria për eksport”, u shpreh z. Jazo, i cili kërkon nga qeveria të rrisë mbështetjen ndaj fermave të peshkut.
Rritja e peshkut është një biznes delikat, si për të gjitha bizneset që kultivojnë dhe rrisin gjallesa, ndaj kërkon njohuri specifike.
“Përveç investime në fermë dhe në magazina, kam investuar edhe në burimet njerëzore, pasi kam orientuar edhe fëmijët e nipërit në këtë profesion, sa të vështirë, por edhe interesant”, tha ai. Ferma e tij prodhon rreth mbi 1 mijë tonë, kryesisht kocë dhe levrek, ku një pjesë e konsiderueshme shkon për eksport. Me një aktivitet 20-vjeçar, ferma është zgjeruar vit pas viti.
Në vitin 2021 të ardhurat e kompanisë në bilancin zyrtar të dorëzuar në QKB arritën rreth 4,2 milionë euro, me rikuperim të ndjeshëm ndaj vitit 2020 ku pati rënie të aktivitetit, për shkak të kufizimeve që krijoi pandemia.
Rritje të të ardhurave në vitin 2021 kanë shënuar gati të gjitha fermat e akuakulturës, por vitin e kaluar, shumica kanë pësuar humbje, për shkak të prodhimit më të ulët nga kostot e larta. Kjo është një situatë pak a shumë e ngjashme me blegtorinë. Fermat e rritjes së peshkut janë të përqendruara më së shumti në zonën e Vlorës.

Hapësira për rritjen e rezervateve
Ministria e Bujqësisë analizon se zona bregdetare në territorin shqiptar janë duke ofruar kushte të përshtatshme për vendosjen e peshkut dhe fermat e kulturës së molusqeve.
Numërohen tetë laguna bregdetare, prej rreth 10,000 ha, ku më të rëndësishmet janë: Velipoja me 200 ha; Patoku me 480 ha; Vaini, Karavasta 3800 ha; Narta 2800 ha dhe Butrinti, 1600 ha. Gjithashtu 103 liqene më të vegjël natyrorë janë potencialë.
Për sa i përket akuakulturës së peshkut detar, sistemi kryesor i prodhimit të tij mbështetet në kulturën e kafazit lundrues detar. Shumica e rezervateve ndodhen në pjesën jugore të bregdetit shqiptar.
Fushat kryesore ku zhvillohet ky aktivitet janë Vlora, Saranda dhe Himara, sqaron Ministria e Bujqësisë. Në Qarkun e Vlorës janë 31 subjekte akuakultura të autorizuara, nga të cilat 11 janë pranë qytetit të Vlorës (2 joaktive) dhe 20 pranë Sarandës (14 joaktive).
Për sa i përket akuakulturës së molusqeve detare, ekzistojnë pesë operatorë me fermat e tyre të midhjeve, duke përfshirë bimët me linjë të gjatë në Sarandë, Durrës dhe Shëngjin.
Akuakultura ujore e brendshme përfshin ujërat e ëmbla dhe lagunat bregdetare (ujërat e njelmët). Në lagunën e Butrintit, historikisht praktikohet akuakultura e molusqeve të brendshme me bimë betoni. Në total janë dhënë 30 licenca, por vetëm rreth 20 prej tyre janë funksionale
Ministria e Bujqësisë beson se promovimi i peshkimit të kontrolluar dhe të licencuar të bazuar në akuakulturë mund të përmirësojë prodhimin 2-2,5 herë më shumë se sa është aktualisht, gjë që mund të sigurojë një burim të dallueshëm të ardhurash të vlerësuar mirë për individët vendas, sipërmarrësit dhe komunitetet.
Akuakultura bashkë me molusqet ka kapërcyer prodhimin e detit, por ka hapësirë për rritje të mëtejshme, referon Ministria e Bujqësisë. Bizneset e akuakulturës së brendshme përdorin teknika intensive, gjysmë intensive dhe të gjera të kultivimit për të rritur kryesisht troftën, midhjet dhe krapin. Akuakultura e ujërave të ëmbla, evoluimi i saj gjatë 15-20 viteve të fundit ka qenë pasojë e kërkesës së tregut.
Në përgjithësi, trofta e kultivuar ka pasur tendencë në rritje vitet e fundit, por më pas ka pasur tkurrje. Në të kundërt, kërkesa për produkte të akuakulturës detare ka ardhur në rritje, ndërkohë që prodhimi i troftës ndjek një prirje luhatëse.
Sipas operatorëve, sektori i akuakulturës detare mund të prodhojë një sasi të madhe peshku aq të lartë sa të plotësojë edhe nevojat e sektorit të përpunimit.

Tregu i brendshëm po rritet me shpejtësi
Tregu i brendshëm i produkteve të peshkimit po rritet në mënyrë progresive, mbështetur nga interesi i konsumatorëve që të integrojnë peshkun më mirë në dietën e tyre dhe nga rritja e numrit të turistëve në vendin tonë. Kuzhina bregdetare ka bazë peshkun, ndaj kërkesa nga restorantet ka shënuar rritje të shpejtë, tha z. Kapiti.
Në fakt, konsumatorët shqiptarë kanë parapëlqyer tradicionalisht mishin dhe prodhimet e shpendëve, ndërsa peshku konsumohej në masë të kufizuar kryesisht në rajonet bregdetare të vendit, dhe ende ka hapësira për rritje thotë z. Jazo.
Qasja e peshkatarëve në tregun e brendshëm është nëpërmjet dyqaneve të specializuara të peshkut, ku shiten peshq të ngrirë apo edhe të gjallë të cilësisë së lartë dhe restorantet, që janë të përqendruara veçanërisht në breg të detit dhe liqene që kërkojnë një furnizim të drejtpërdrejtë nga peshkatarët.
Shitësit me shumicë janë pjesë e zinxhirit të vlerës, por një kanal i tillë përdoret shumë më pak. Tregjet e peshkut luajnë rol të kufizuar në zinxhirin e vlerës së brendshme për momentin. Në korrikun e vitit të kaluar, 1 kilogram peshk i freskët kushtoi mesatarisht 790 lekë, por në korrikun e vitit 2023, INSTAT raportoi se çmimi i peshkut u rrit me 16%.
Aktiviteti i peshkimit detar është i përqendruar kryesisht në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë, ndërsa peshkimi i brendshëm bazohet kryesisht në liqenin e Shkodrës, më i madhi në Ballkan, Liqeni i Ohrit, në juglindje të Shqipërisë dhe Liqeni i Prespës, po në juglindje të vendit, i përbërë nga dy liqene (Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël).
Peshkimi profesional tregtar është shpesh pjesë e biznesit të integruar vertikalisht me prodhimin kryesisht të orientuar drejt eksportit.
Prandaj, cilësia sigurohet nga certifikatat e aplikuara në aktivitetin e peshkimit si p.sh. Miku i Detit ose MSC (sipas kërkesave të klientit) përveç standardeve bazë ISO (p.sh. ISO 9001), HAÇP dhe praktika e mirë e higjienës, si një kërkesë e detyrueshme për t’u trajtuar me blerës ndërkombëtarë dhe përputhet me kërkesat minimale kombëtare.
Prandaj, përvetësimi dhe mbajtja e certifikatave të cilësisë është ndër praktikat rutinë të menaxhimit të biznesit për të hyrë në tregje të tilla dhe në veçanti, në tregun e BE-së.
Eksporti zotërohet nga rezervatet, perspektiva me rritje
Tregu i eksportit të peshkut të prodhuar në Shqipëri po rritet, po ai dominohet nga rezervatet. Më shumë se 10 ferma detare kanë tashmë autorizimin të eksportojnë produktet e tyre në tregun e BE-së.
Eksporti i peshkut që kapet në det, bashkë më atë që rritet në ujëra të ëmbla, është i orientuar në tregun vendas. Në përgjithësi, eksporti i akuakulturës është rritur dhe disa operatorë janë pothuajse tërësisht të orientuar në tregun e eksportit, në veçanti në tregun e BE-së, për shkak të madhësisë së kufizuar të tregut vendas dhe çmimeve të larta që ofrohen në vendet e BE-së.
Përgatitja për dërgimin e produktit për eksport plotëson standardin ndërkombëtar që nga paketimi dhe transporti, ndërsa vlera merret me çmimin referencë të bursës.
Tregu i referencës është një treg me cilësi mesatare dhe të lartë i orientuar drejt vendeve mesdhetare (d.m.th. Italia dhe Spanja), ku produktet vlerësohen. Në përgjithësi, bizneset preferojnë t’ia shesin prodhimin një numri të kufizuar blerësish, të zgjedhur sipas përvojës së tyre mbi këtë lloj aktiviteti.
Kontaktet me klientët vendosen kryesisht nëpërmjet panaireve dhe në një masë më të vogël, nëpërmjet faqeve të internetit. Fermat e akuakulturës në përgjithësi kanë një perceptim të mirë të tregut dhe janë vazhdimisht në kërkim të mundësive në tregje të reja.
Rezervatet po e bazojnë kapacitetin prodhues të ndërmarrjes së tyre në marrëdhëniet tregtare afatgjatë blerësish ndërkombëtarë. Kjo qasje çon në marrëdhënie shumë të qetë midis prodhuesit dhe blerësit dhe madje edhe në marrëveshje të veçanta si për shembull pagesat e parakohshme, pavarësisht nga fakti që peshku ende nuk është rritur.
Aksesi në lëndë të para ka kosto
Blerja e materialeve të ndryshme të nevojshme për sektorin e peshkimit dhe të gjitha fermat e akuakulturës si kafazet, litarë, rrjeta, notues etj. sigurohet nga importi prej vendeve të BE-së.
Një studim i posaçëm i GIZ Albania tregon se sigurimi i rinovimit të rrjetave në impiantet e akuakulturës detare është një operacion i kushtueshëm i mirëmbajtjes periodike për t’u arritur nga të cilat bizneset në përgjithësi zgjedhin materiale të cilësisë së lartë dhe kërkojnë mbështetje financiare nga sistemi bankar.
Mundësitë e mirëmbajtjes së anijeve të peshkimit në Shqipëri janë përmirësuar në krahasim me të kaluarën, por sërish kostot janë të larta. Inputet kryesore të prodhimit në sektorin e akuakulturës kanë të bëjnë me furnizimin e peshqve për ushqim dhe mungon zinxhiri në të gjitha hallkat.
Në Shqipëri nuk është krijuar asnjë impiant për prodhimin e ushqimit të peshkut, deri më tani, dhe tregjet më të zakonshme të furnizimit janë Italia dhe Gjermania ku janë furnizues të certifikuar dhe me cilësi të mirë (ky është një aspekt i rëndësishëm për shumicën e fermave, pjesë e certifikimit Global GAP, të cilat janë të detyruara të marrin inputet nga qendrat e certifikuara Global GAP).
Prandaj, të gjithë operatorët e prodhimit të akuakulturës (ujore detare dhe të ëmbla) janë të detyruar të importojnë nga jashtë ushqimin e peshqve me ndikim pasues në kostot e prodhimit.
Furnizimi me ushqim të peshkut është zakonisht sezonal, në mënyrë që të përshtatet formulimi i dietës me kushtet klimatike (p.sh. ushqimi i dimrit është më i pasur me vitamina në mënyrë që peshku të jetë më i rezistent ndaj sezonit të ftohtë dhe përmirëson depozitimin e yndyrës).
Për sa u përket të vegjëlve për akuakulturën detare, në Shqipëri nuk ekzistojnë çerdhe dhe furnizimi më i zakonshëm bëhet nga tregje si Italia dhe Franca.
Fermat i kushtojnë rëndësi origjinës së farës. Në fakt, të vegjlit që vijnë nga zonat oqeanike prodhohen në një temperaturë minimale prej 6°C ndërsa temperatura minimale në detin Adriatik dhe Jon është rreth 12°C. Prandaj, ata ushqehen edhe në dimër dhe tregojnë një normë më të mirë rritjeje.
Sfidat e peshkimit
Studimi i GIZ vë në dukje se sektori i peshkimit sa i përket akuakulturës vuan mungesën e lidhjes me sektorin e përpunimit të peshkut.
Në fakt, ky aspekt nuk është vetëm specifik i realitetit shqiptar, por është gjithashtu i zakonshëm në botën ku marrëdhënie të tilla janë të vështira për t’u vendosur. Sektori i përpunimit është shkëputur nga akuakultura apo peshkimi, për shkak të kanaleve të ndryshme të furnizimit të përdorura nga industria përpunuese.
Për sa u përket sfidave kryesore që prekin peshkimin renditet vështirësia për të gjetur fuqinë punëtore, e aq më tepër ajo profesionale, e cila përmendet nga shumica e bizneseve. Ekuipazhi i anijeve të peshkimit, për shembull, përfshin një numër të rëndësishëm punonjësish të huaj, me një mbizotërim të punëtorëve afrikanoveriorë.
Dy elemente konsiderohen problem. I pari është tendenca e rëndësishme e largimit të njerëzve nga Shqipëria, në vende të tjera (shpesh me gjithë familjen). Duke qenë se popullsia e Shqipërirë është më pak se 2.8 milionë banorë, fluksi i migrimit mund të ndikojë lehtësisht në fuqinë punëtore në dispozicion.
I dyti ka të bëjë me pozicionin i Shqipërisë, afër tregut të BE-së, dhe kostoja më e ulët e fuqisë punëtore krahasuar me zonën e BE-së. Prandaj, shumë nga industritë europiane, në veçanti prodhojnë për palë të treta, pasi janë zhvendosur nga Lindja e Largët e tani janë kthyer përsëri dhe janë vendosur në Shqipëri, duke rritur konkurrencën për punësim nga tregu vendas.
Bizneset vlerësojnë sfida disa procedura komplekse burokratike (p.sh. rimbursimi i TVSH-së, zhdoganimet në import) dhe aksesi në kushtet e kredisë bankare, të cilat po ndikojnë në ecurinë e sektorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.