Perëndimi duhet të përgatitet që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në një luftë që mund të zgjasë me vite, ka paralajmëruar shefi i NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se kostot e luftës ishin të larta, por çmimi që do të duhet të paguajmë nëse lejojmë Moskën për të arritur qëllimet e saj ushtarake është akoma më i madh.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka paralajmëruar gjithashtu për një konflikt afatgjatë.
Në një paralajmërim të ashpër, kreu i sapoemëruar i Ushtrisë Britanike tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët duhet të jenë në gjendje të fitojnë një luftë tokësore me Rusinë.
Gjenerali Sir Patrick Sanders, i cili filloi punën javën e kaluar, tha në një mesazh të brendshëm se: “Pushtimi rus i Ukrainës nënvizon qëllimin tonë thelbësor – të mbrojmë Mbretërinë e Bashkuar dhe të jemi gati për të luftuar dhe për të fituar edhe luftën tokësore – dhe përforcon nevojën për të penguar agresionin rus me kërcënimin e forcës”.
Stoltenberg dhe Johnson thanë se dërgimi i më shumë municioneve do ta bënte më të mundur fitoren e Ukrainës.
“Ne duhet të përgatitemi për faktin se kjo luftë mund të zgjasë me vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja për Ukrainën,” tha shefi i NATO-s në një intervistë për gazetën gjermane Bild.
“Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve.”
Shefi i aleancës ushtarake perëndimore tha se furnizimi i Ukrainës me më shumë armë moderne do të rriste shanset e saj për të çliruar rajonin lindor të vendit, Donbas, shumica e të cilit aktualisht është nën kontrollin rus.
Gjatë muajve të fundit, forcat ruse dhe ukrainase kanë luftuar për kontrollin e territorit në lindje të vendit. Moska ka bërë përparime të ngadalta javët e fundit.
Duke shkruar në Sunday Times, kryeministri britanik, Boris Johnson, akuzoi Vladimir Putinin se po përdorte një “fushatë dobësuese” dhe “po përpiqej për ta shkatërruar Ukrainën me brutalitet të plotë”.
“Kam frikë se duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë”, shkroi ai. “Koha është faktori jetik. Gjithçka do të varet nga fakti nëse Ukraina mund të forcojë aftësinë e saj për të mbrojtur tokën e vet më shpejt sesa ka mundësi Rusia për të rinovuar kapacitetin e saj sulmues.”
Kryeministri, i cili vizitoi kryeqytetin e Ukrainës të premten, tha se furnizimet me armë, pajisje ushtarake dhe me municione për Kievin duhet të tejkalojnë përpjekjet e Moskës për t’u riarmatosur.
Zyrtarët ukrainas kanë folur hapur ditët e fundit për nevojën për të rritur furnizimin me armë të rënda, nëse forcat ruse do të mposhten.
Të mërkurën, ministri i mbrojtjes, Oleksiy Resnikov, zhvilloi një takim rreth 50 vende në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Bruksel, për të kërkuar më shumë armë dhe municione.
Aleatët perëndimorë deri më tani i kanë ofruar vendit furnizime të mëdha me armë, por Ukraina thotë se ka marrë vetëm një pjesë të asaj që i nevojitet për t’u mbrojtur dhe po kërkon armë më të rënda.
Zyrtarët rusë shpesh e kanë kritikuar mbështetjen ushtarake të NATO-s për Ukrainën dhe, në një intervistë gjatë javës së kaluar me BBC, ministri i jashtëm i vendit, Sergei Lavrov, përmendi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën perëndimore si një arsye që bëri që të fillonte pushtimi.
“Ne shpallëm një operacion të posaçëm ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t’i shpjeguar Perëndimit se tërheqja e Ukrainës drejt NATO-s ishte një akt kriminal,” tha Lavrov për BBC.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe, megjithëse ajo ka shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar, nuk ka një afat kohor se kur kjo mund të ndodhë./ BBC