Anija e parë që transporton drithëra është nisur nga një port në Ukrainë sipas marrëveshjes së dakordësuar me Rusinë.
Zyrtarët turq dhe ukrainas thonë se anija u largua nga porti jugor i Odesa-s herët në mëngjes të hënën.
Rusia kishte vendosur një bllokadë në portet e Ukrainës që nga muaji shkurt, por të dyja palët arritën një marrëveshje për të rifilluar dërgesat e grurit.
Shpresohet se kjo marrëveshje do të lehtësojë krizën globale të ushqimit dhe do të ulë çmimin e drithërave.
Turqia tha se anija me flamur të Sierra Leone, Razoni, do të ankorohej në portin e Tripolit në Liban, duke shtuar se gjatë javëve të ardhshme janë planifikuar edhe dërgesa të tjera.
Qendra e Përbashkët e Koordinimit, e krijuar në Stamboll sipas marrëveshjes, tha se anija mbante rreth 26,000 ton misër dhe pritej të mbërrinte në ujërat turke për inspektim të martën.
Ministri i Infrastrukturës i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, tha për BBC se Razoni ishte një test i rëndësishëm për të kuptuar nëse marrëveshja do të funksiononte, me Turqinë që do të mundësojë lundrimin e sigurt të anijes nëpër ujërat e rrezikshme.
“Është çështja e minave,” tha ai për BBC. “Ka shumë mina, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore, përveç minave që u shfaqën në Detin e Zi duke filluar që nga shkurti. Kjo paraqet shumë rreziqe,” tha ai.
Ka shqetësime se, teksa anijet mund të jenë në gjendje të largohen nga Ukraina për të dërguar drithërat, ato mund të mos jenë në gjendje të marrin një siguracion të përballueshëm për t’u rikthyer në Ukrainë për një ngarkesë tjetër.
Por, Kubrakov tha se ai priste të shihte një deri tre anije që do të niseshin ose do të vinin në portet e Ukrainës gjatë javëve të ardhshme, duke përfshirë edhe anijet e zbrazëta që do të vijnë për t’u furnizuar në portin e Odessa nga ngushtica e Bosforit në Turqi.
Megjithëse pamja e Razonit, me vinçat e saj të bardhë të dhe bykun e gjatë blu, e cila përshkon Detin e Zi të mbushur plot me mina, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm, operacioni do të duhet të vazhdojë për një periudhë të qëndrueshme kohore në mënyrë që të mund të ndihmojë ekonominë e dëmtuar të Ukrainës dhe dhjetëra milionë njerëz në mbarë botën.
Marrëveshja e muajit të kaluar, e ndërmjetësuar nga OKB dhe Turqia, mori dy muaj për t’u arritur dhe ishte caktuar të zgjaste 120 ditë. Ajo mund të rinovohet pas përfundimit të afatit nëse të dyja palët bien dakord. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, përshëndeti nisjen e anijes dhe përgëzoi Turqinë për rolin e saj në punën për zbatimin e marrëveshjes.
Bllokada e drithërave të Ukrainës ka kontribuar për krijimin e një krize globale të ushqimit, duke shtrenjtuar produktet me bazë gruri si buka dhe makaronat, si dhe duke rritur ҫmimet e vajrave të gatimit dhe të plehrave kimike.
Rusia dhe Ukraina prodhojnë së bashku gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit. Në vitin 2019, Ukraina përbënte 16% të furnizimeve botërore të misrit dhe 42% të furnizimeve të vajit të lulediellit, sipas të dhënave të OKB-së.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e quajti këtë dërgesë të parë një “lehtësim për botën” dhe i kërkoi Moskës “të respektojë pjesën e saj të marrëveshjes”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për gazetarët në Moskë se nisja e kësaj anijeje ishte një zhvillim “shumë pozitiv”./BBC