Rusia është bërë furnizuesi më i madh i Kinës për naftë, pasi i ka shitur Pekinit naftë të papërpunuar me ҫmim më të ulët pas sanksioneve për luftën në Ukrainë.
Importet e naftës ruse janë rritur me 55% krahasuar me një vit më parë, duke arritur një nivel rekord në muajin maj dhe duke ia kaluar edhe Arabisë Saudite, furnizuesit më të madh të Kinës.
Kina ka rritur blerjet e naftës ruse pavarësisht rënies së kërkesës si pasojë e izolimeve të Covid-it dhe ngadalësimit ekonomik.
Në shkurt, Kina dhe Rusia deklaruan se miqësia e tyre “nuk kishte kufij”.
Kompanitë kineze, duke përfshirë rafinerinë gjigante shtetërore Sinopec dhe kompaninë shtetërore Zhenhua Oil, kanë rritur blerjet e naftës së papërpunuar nga Rusia gjatë muajve të fundit, pasi ajo u ofrua me ҫmim më të ulët për shkak të embargos nga blerësit në Europë dhe në SHBA, në përputhje me sanksionet për luftën kundër Ukrainës.
Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme Kineze e Doganave, importet në Kinë, të cilat përfshijnë furnizimet përmes tubacionit të Oqeanit Paqësor të Siberisë Lindore dhe dërgesat nga deti, arritën në rreth 8.42 milion ton gjatë muajit të kaluar.
Kjo bëri që Arabia Saudite, dikur burimi më i madh i naftës së papërpunuar për Kinën, të binte në vendin e dytë me 7.82 milionë tonë.
Në mars, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar thanë se do të vendosnin një embargo ndaj naftës ruse, ndërsa Bashkimi Europian ka punuar për t’i dhënë fund varësisë së tij nga gazi rus, teksa Perëndimi shton reagimin ekonomik ndaj pushtimit të Ukrainës.
Me rritjen stratosferike të ҫmimeve të karburantit, nuk janë vetëm shoferët ata që po mbushin plot mjetet e tyre kur shikojnë ҫmime më të ulëta. Nuk është as vetëm Kina që po përfiton nga çmimet e ulëta të ofruara nga Rusia, teksa kjo e fundit përpiqet të gjejë klientë të rinj; India gjithashtu ka rritur blerjet.
Kjo, së bashku me kostot e larta të naftës së papërpunuar, e ka ndihmuar Rusinë që të rrisë të ardhurat menjëherë pas pushtimit të Ukrainës.
Dhe, për çdo 10 fuçi naftë ruse që Kina blente para luftës, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja blenë një ndërmjet njëra-tjetrës. Moska mund të mos ta ketë shumë të vështirë për të mbushur të paktën një pjesë të hendekut të krijuar pas sanksioneve.
Por, tani, të ardhurat e Rusisë nga nafta kanë filluar të zvogëlohen – dhe kjo do të intensifikohet teksa vendet e tjera europiane kërkojnë burime alternative të energjisë.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Tregtisë i Ukrainës ka një paralajmërim të ashpër për ata që zgjedhin të blejnë më shumë nga Rusia. Taras Kachka tha për BBC se Moska do të “përdorë çdo gjë si armë”, do të përdorë varësinë e tyre si një mjet për të manipuluar vendet dhe për të marrë shpërblime prej tyre. Por, teksa këto vende përpiqen të përfitojnë nga çmimet e ulëta, paralajmërimi është se ato që krijojnë varësi nga Rusia mund të jenë të pakujdesshëm për t’u treguar më të vëmendshëm.
Presidenti amerikan, Joe Biden, thotë se sanksionet kanë në shënjestër “arterien kryesore të ekonomisë ruse”.
Eksportet e energjisë janë një burim jetik i të ardhurave për Rusinë, por këto masa ka të ngjarë të ndikojnë gjithashtu edhe te konsumatorët perëndimorë.
Javën e kaluar, një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër tregoi se Rusia fitoi pothuajse 100 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e karburanteve fosile në 100 ditët e para të luftës në Ukrainë, pavarësisht rënies së eksporteve në maj.
Bashkimi Europian përbënte 61% të këtyre importeve, me vlerë rreth 59 miliardë dollarë.
Në përgjithësi, eksportet e naftës dhe të gazit rus janë në rënie dhe të ardhurat e Moskës nga shitja e energjisë kanë pësuar gjithashtu një rënie nga piku prej mbi 1 miliard dollarë në ditë gjatë muajit mars.
Por, megjithatë, të ardhurat tejkaluan koston e luftës në Ukrainë gjatë 100 ditëve të para, pasi Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër vlerëson se Rusia po shpenzon rreth 876 milion dollarë në ditë për pushtimin.
Shifrat e së hënës treguan gjithashtu se Kina importoi 260,000 ton naftë bruto nga Irani muajin e kaluar, dërgesa e tretë e naftës iraniane që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Kina ka vazhduar të blejë naftë nga Irani, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj Teheranit./ BBC