“Lufta” për dasmat në Kosovë, dikush kërkon të mbahen e dikush mos të mbahen

24/06/2020 2:00 PM 0 komente

Aktivitete të shumta nuk janë zhvilluar si shkak i pandemisë në Kosovë prej disa muajsh. Edhe dasmat dhe ahengjet ishin një nga aktivitetet të cilave iu ndalu puna. Për mos anulimin e tyre  janë  zhvilluar edhe protesta në kryeqytet nga artistët. “Lufta” për lejimin e tyre po vazhdon edhe këto ditë. Po kërkohet që ato të mbahen nga 1 korriku i  këtij viti.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbrëmë ka shfuqizuar vendimin për mbajtjen e aktiviteteve publike dhe jopublike pa praninë e publikut.

Ndërsa kishte deklarime se në këtë kategori do të hynë edhe dasmat dhe ahengjet e tjera familjare.

Por, këtë e ka mohuar sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook, ku ka  thënë se ‘Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve’.

Hoti ka thënë se deri tani nuk ka vendim, duke shtuar më tej se më datën 1 korrik përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Komisionin Ekzekutiv për luftimin e pandemisë, për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla.

“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj #COVID19 për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij “të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Komisioni brenda Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë kryeministri Hoti.

Hoti ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat, në të kundërtën ka paralajmëruar masa të reja për mbrojtje nga virusi.

“Prandaj, kërkohet nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe t’i respektojnë masat. Në të kundërtën, në rast të përkeqësimit të situatës, prioritet mbetet jeta e qytetarit dhe do të fillojmë me aplikim të masave të reja për mbrojtje nga përhapja e virusit”.

Gjatë ditës së djeshme në media dhe në publik është krijuar paqartësi rreth asaj nëse lejohen të mbahen dasmat dhe ceremonitë e tjera.

Fillimisht zëvendëskryeministri Besnik Tahiri kishte deklaruar se vendimi për lejimin e dasmave hyn në fuqi, ndërsa ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi po ashtu kishte deklaruar se beson që pas analizave e diskutimeve me ekspertët, do të merret vendim nga data 1 korrik.

“Nga nesër, do të bëjmë një udhëzues, edhe do të jetë publik për të gjithë. Bashkë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në grupin punues në kuadër të kësaj ministrie ku edhe ne bëjmë pjesë do ta publikojmë këtë udhëzues dhe besoj se nga data 01.07.2020 do të filloj edhe organizimi i dasmave”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri ka thënë se vendimi për lejimin e dasmave tashmë është marrë.

“Mund t’ua konfirmoj se nga data 1 korrik është marrë vendim të hapen të gjitha restorantet për organizimin e dasmave”, ka thënë Tahiri.

E me këto deklarime të pushtetarëve nuk po pajtohen fare këngëtarët e Kosovës. Ata po kërkojnë që dasmat dhe ahengjet të lejohen menjëherë.

Këngëtari Afrim Muçiqi ka thënë se dasmat duhet të mbahen.

“Ne e kemi përshëndetur vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për shfuqizimin e vendimit me të cilin aktivitetet publike dhe jopublike kanë mundur të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut, ne do të presim vendimin e plotë”, ka thënë ai.

Muçiqi ka shtuar se janë në kontakt me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, dhe do të mirët vendimi më i mirë por natyrisht për ne dhe të gjithë shëndeti është mbi të gjitha”, ka shtuar Muçiqi.

Por, sipas tij mbajtja e dasmave tashmë është punë e kryer.

“Miq të dashur , nga data 01.07.2020 zyrtarisht lejohen dasmat dhe ahengjet familjare, shpresojmë të kaloj kjo pandemi plotësisht dhe ti kthehemi normalitetit siç jemi mësuar te jemi të lirë..Suksese e punë te mbarë të gjithëve, na priftë e mbara”.

Kurse, këngëtari dhe ish-deputeti, Labinot Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social e ka quajtur “Bingo” shfuqizimin e këtij vendimi, teksa thotë se një vendim i tillë i ka hapur edhe më shumë dyer rreth organizimit të aktiviteteve tjera humanitare.

“Pasi sërish u lejuan dasmat apo mbrëmjet rinore e familjare , u jam mirënjohës atyre që protestuan me ne dhe kolegun tim Afrim Muqiqin i cili ka qenë shumë i angazhuar! Po ashtu falënderim për ministrin Zemaj, për zv kryeministrin Besnik Tahirin dhe shoqatës së hotelierêve të Kosovës e të tjerë! Nëse prapë ka ndonjë ndryshim negativ lidhur me vendimin në fjalë, prapë nga qeveria e mirëpres sepse shteti është mbi të gjitha. Hapja fillon me datë 01.07.2020”, ka shkruar Tahiri.

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ditw mw parw ka thwnw se ka marrë shumë kërkesa për sqarime nga bizneset që organizojnë vente të tilla.

“Këto ditë kam pranuar dhjetëra kërkesa nga pronarë të sallave të dasmave, hoteleve, kompanive qe merren me dekorime, kreatore, shitës te veshmbathjeve, kompani qe organizojnë ngjarje, kameramanë, etj dhe dua t’i jap disa sqarime për pritjet qe mund t’i kemi ne raport me organizimet e dasmave dhe ahengjeve, sidomos për këtë vere”.

Sipas tij, organizimi i dasmave dhe ahengjeve pa dyshim është një nder hallkat e rëndësishme te qarkullimit monetar qe krijohet ne ekonominë tone, sidomos gjate muajve te verës, pasi qe ndërlidh mijëra kompani dhe individë te cilët një pjesë të konsiderueshme të stabilitetit financiar dhe mbijetesës në biznes, e kanë të lidhur me këto organizime.

Ndryshe Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti mbrëmë në mbledhjen e tetë ka marrë vendim për shfuqizimin e disa vendimeve, ndër to edhe atë për aktivitete publike dhe jopublike.

“Pika 1.5 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin aktivitetet publike dhe jopublike kanë mundur të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut si: ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta”.

Kujtojmë se Qeveria Kurti kishte marrë vendim që gjatë vitit 2020 të mos lejohen tubimet për shkak të rrezikut nga koronavirusi./Fatos Shala

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of