Lufta e Rusisë në Ukrainë ka vrarë mijëra njerëz, ka shkatërruar qytete të tëra dhe ka detyruar miliona të lënë shtëpitë e tyre.
Konflikti më i madh ushtarak në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore ka përmbysur gjithashtu rendin ndërkombëtar të sigurisë dhe ka shkaktuar tronditje në ekonominë globale.
Momentet kryesore të konfliktit, një muaj më vonë:
Rruga drejt luftës
Në fillim të vitit 2021, një grumbullim i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ngriti frikën për një sulm. Moska tërhoqi disa nga forcat e saj në prill, duke hapur rrugën për një samit në qershor midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin. Takimi i tyre nuk arriti të sheshonte tensionet Rusi – SHBA.
Një grumbullim i ri i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës filloi në fund të tetorit dhe arriti në rreth 150 mijë trupa deri në fund të vitit. Që nga fillimi i rritjes së trupave, Moska mohoi çdo plan për të sulmuar Ukrainën, duke i quajtur shqetësime të tilla perëndimore pjesë e një fushate për të diskredituar Rusinë.
Në të njëjtën kohë, ajo u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj që të ndalojnë Ukrainën të bashkohet me NATO-n dhe të largojnë forcat e aleancës nga Europa Lindore, kërkesa e refuzuar nga Perëndimi.
Më pas, më 21 shkurt, Putini papritmas nënshkroi një dekret që njihte pavarësinë e dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën Lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska, duke përshkallëzuar frikën e Perëndimit për një pushtim të afërt të Ukrainës.
Fillon pushtimi
Në një fjalim televiziv më 24 shkurt, Putin njoftoi fillimin e asaj që ai e quajti një “operacion special ushtarak” që synonte të çmilitarizonte Ukrainën dhe të çrrënjoste “nacionalistët neo-nazistë”. Pasi ai foli, ushtria ruse kreu një seri sulmesh ajrore dhe sulmesh me raketa mbi objektet ushtarake dhe infrastrukturën kryesore të Ukrainës. Trupat ruse u futën në Ukrainë nga Krimea në jug, përgjatë kufirit lindor dhe nga aleati i Moskës, Bjellorusia, e cila kufizohet me Ukrainën nga veriu.
Putin argumentoi se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vepronte pasi Uashingtoni dhe aleatët e tij injoruan kërkesën e saj për garanci sigurie. Udhëheqësit perëndimorë i cilësuan vetëm si pretekste për sulmin.
Ushtria ruse përparoi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, i vendosur vetëm 75 kilometra (47 milje) në jug të kufirit me Bjellorusinë, në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv në lindje dhe u shtri përgjatë Detit Azov dhe brigjeve të Detit të Zi në jug.
Ndërsa Rusia pretendonte se kishte në shënjestër vetëm objektet ushtarake, sulmet ajrore dhe sulmet e artilerisë goditën zonat e banuara, shkollat dhe spitalet në të gjithë Ukrainën. Gjatë muajit mars janë goditur dhe shkatërruar ndërtesa e administratës rajonale në Kharkiv, Materniteti e Teatri historik në Mariupol, një qendër tregtare në Kiev etj. Sipas Kombeve të Bashkuara vlerësohet se janë larguar nga vendi më shumë se 3.5 milionë banorë.
Rusia goditet nga sanksionet perëndimore
Aleatët perëndimorë iu përgjigjën shpejt pushtimit me sanksione të renda ekonomike dhe financiare.
Rreth gjysma nga 640 miliardë dollarë rezerva të arit dhe valutës së Rusisë janë ngrirë nga sanksionet e huaja. Bankat kryesore ruse u përjashtuan nga sistemi financiar SWIFT. Kompanitë e mëdha ndërkombëtare vendosën të largohen nga tregu rus.
Masat e ashpra, të vendosura më parë vetëm kundër vendeve të tilla si Irani dhe Koreja e Veriut, e çuan Rublën në nivele më të ulëta rekord, ndërkohë nxitën rritjen e depozitave dhe shkaktuan panik te konsumatorët.
Ukraina kërkon më shumë armë dhe shpalljen e një zone ndalim-fluturimi
Ndërsa përshëndeti sanksionet perëndimore dhe furnizimet me armë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka sfiduar SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë që të marrin masa edhe më të forta për të ndaluar Rusinë.
Ai vazhdimisht ka kërkuar nga SHBA dhe NATO që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, një kërkesë që aleatët e refuzuan nga frika se mund të rezultojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe madje të ndezë një konflikt global.
Zelensky gjithashtu u është lutur aleatëve perëndimorë që t’i ofrojnë Ukrainës avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë. Rusia e ka paralajmëruar ashpër Perëndimin kundër një lëvizjeje të tillë dhe diskutimet mbi dërgesat e mundshme të avionëve luftarakë të epokës sovjetike dhe armëve të mbrojtjes ajrore nga Europa Lindore në Ukrainë kanë ngecur pasi Perëndimi kërkon të shmangë një përshkallëzim të luftës
Ukraina i ka kërkuar gjithashtu SHBA-së dhe BE-së të rrisin sanksionet për të përfshirë ndalimin e eksporteve të naftës dhe gazit rus, një veprim i kundërshtuar nga shumë anëtarë të BE-së që varen nga Rusia për një pjesë të madhe të nevojave të tyre për energji.
Kërcënimet bërthamore; frika nga armët kimike
Në ditën e parë të sulmit, forcat ruse morën kontrollin e termocentralit bërthamor të çmontuar të Çernobilit, ku radioaktiviteti ende po rrjedh nga fatkeqësia më e keqe bërthamore 36 vite më parë.
Disa ditë më vonë, ata zaptuan termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Europë, duke goditur një qendër trajnimi atje dhe duke ndezur një zjarr të vogël që ngriti frikën për një katastrofë derisa u shua.
Të mërkurën, forcat ushtarake ruse shkatërruan një laborator të ri në Çernobil, sipas agjencisë shtetërore të Ukrainës përgjegjëse për zonën e Çernobilit. Ka pasur edhe kërcënime të tjera.
Më 21 mars, një rrjedhje amoniaku në një fabrikë kimike në qytetin lindor të Ukrainës, Sumy, kontaminoi një zonë me një rreze prej më shumë se 2.5 kilometra (1.5 milje), por nuk dëmtoi asnjë civil në qytetin me 263 mijë banorë, sepse era nuk fryntë në atë drejtim.
Ushtria ruse ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se “nacionalistët” ukrainas po hartojnë plane për të hedhur në erë një objekt bërthamor dhe më pas t’ia hedhin fajin rusëve.
Shumë në Perëndim gjithashtu kanë frikë se me ngecjen e ofensivës ruse, Putini mund të urdhërojë përdorimin e armëve kimike për të trembur Ukrainën dhe për ta gjunjëzuar atë.
Ç’pritet më tej
Putin nuk tregon asnjë shenjë të tërhiqet.
Pavarësisht rënies së Rublës dhe rritjes së çmimeve të konsumit, sondazhet ruse tregojnë mbështetje të fuqishme për Putinin. Vëzhguesit ia atribuojnë këto rezultate fushatës masive propagandistike të Kremlinit dhe goditjes së disidencës.
Putini kërkon që Ukraina të miratojë një status neutral, të heqë dorë nga oferta për t’u anëtarësuar në NATO, të pranojë të çmilitarizohet, të njohë sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë dhe të njohë pavarësinë e republikave rebele në rajonin e Donbasit.
Zelensky tha në fillim të kësaj jave se Ukraina është e gatshme të diskutojë një status neutral së bashku me garancitë e sigurisë që do të përjashtonin çdo agresion të mëtejshëm. Por ai ka thënë se statusi i Krimesë dhe rajoneve separatiste mund të diskutohet vetëm pas një armëpushimi dhe tërheqjes së trupave ruse.
Negociatorët rusë dhe ukrainas thonë se janë ende larg hartimit të një marrëveshje të mundshme që Putin dhe Zelensky mund të diskutojnë./ Associated Press