“Lufta” tregtare

29/04/2013 2:28 PM 0 komente

“Lufta” tregtare që po zhvillohet për disa produkte mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është e re. Interesa të lindur nga disa biznese të veçanta kanë arritur të ndikojnë edhe në institucionet, të cilat po ndërmarrin qëndrime në dëm të sipërmarrjeve të tjera. Rruga që duhej të bashkonte tregjet nuk po shërben edhe për shkak të procedurave e standardeve të paharmonizuara doganore.

Përfaqësuesit e biznesit: Duhen komisione të përbashkëta për të zgjidhur ngërçin

 

Nga Laura ÇELA

Kur Shqipëria dhe Kosova po unifikohen gjithnjë e më shumë si një komb, si një popull dhe si një kulturë e vetme, kjo duket se nuk po ndodh tek ekonomia. Megjithëse bashkimi ekonomik është ai që në fakt do të garantonte një unifikim real të dy vendeve, në muajin e fundit “shpresat po zbehen”.

Skandalet e fundit të produkteve ushqimore, qumështi i kontaminuar nga Shqipëria apo mielli i kontaminuar nga Kosova, duket se tashmë janë kthyer në një “lojë” të institucioneve shtetërore respektive, që mund të ketë veçse humbës.

Është “çudi” që, megjithëse trumbetohet për nacionalizëm, të vetmet që po përfshihen në skandale janë produktet shqiptare, asnjë serbe, kroate, sllovene apo malazeze.

Sami Gjergji, drejtues i kompanisë “Primalat” që u përfshi nga skandali i aflatoksinës në qumësht në Kosovë dhe më pas edhe në Shqipëri, është i bindur se gjithçka ka ndodhur sepse biznesi i tij po rritej me shpejtësi në tregun kosovar. Të njëjtën bindje e kanë edhe shumë sipërmarrës apo përfaqësi biznesi që operojnë në vend.

Për të, është një pikëpyetje e madhe që në skandal u përfshinë vetëm markat shqiptare, ndërkohë që marka të ndryshme nga rajoni, të cilat ishin ndaluar në disa prej vendeve të tyre, vijonin të tregtoheshin lirisht në Kosovë, e më pas edhe në Shqipëri.

Megjithëse më pas situata u “sqarua”, ku rezultoi se qumështi nuk ishte i dëmshëm për shëndetin, për z. Gjergji dhe pasojat e tij financiare nuk ka më kthim mbrapa.

Për më se dy muaj, kompania e tij nuk tregton në Kosovë, në shtetin që zë rreth 30% të shitjeve totale të “Primalat”. Vetëm së fundmi, kjo markë do të hyjë sërish në tregun e atjeshëm, por me një imazh të dëmtuar, që kur bëhet fjalë për ushqime është e vështirë “të riparohet”.

“Institucionet shtetërore po bëjnë një luftë të kotë. Historia nuk nisi me qumështin apo me miellin, por që nga patatja, çimento për të cilat u vendosën taksa respektive.

Kjo situatë që po krijohet veçse e dëmton biznesin, i cili nuk ka konflikte personale me njëri-tjetrin”, thotë Sami Gjergji, president i “Primalat”.

Politikat që po ndiqen nga institucionet e të dyja vendeve jo vetëm që nuk janë stimuluese për të nxitur eksportet respektive, por janë penguese.

Në një situatë të tillë, bizneset bëjnë thirrje që të bashkëpunohet me qeverinë e Kosovës dhe të hiqen të gjitha barrierat doganore e administrative, me qëllim që tregtia e produkteve dhe mallrave të realizohet pa as më të voglën pengesë.

Hajredin Fratari, president i Konfindustrisë, thekson se, “duhen hequr doganat me Kosovën” dhe me këtë, ai nënkupton edhe heqjen fizike të pikëkalimeve, çka do të krijonte një treg real të përbashkët. “Ne kemi një rrugë të përbashkët, e cila në këto kushte nuk po shfrytëzohet”, thotë Fratari.

Zhvillimi i tregtisë ishte arsyeja kryesore e investimit më të madh në infrastrukturën tonë rrugore dhe për shumë ekspertë, janë të pakuptimta pengesat individuale të bizneseve, të cilat “injektojnë” edhe politikën e institucionet.

Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit, e shikon çështjen si një konflikt tërësisht tregtar, e nisur nga biznese dhe interesa të caktuara. Këto biznese ndikojnë te politika, e cila po ndërhyn. Për përfaqësuesit e biznesit, në kushtet e konkurrencës, duhet shmangur ndërhyrja arbitrare nga institucionet e dy vendeve për raste të veçanta. Sipas Ferizajt, “që të shmangim konflikte të tilla, duhet të heqim barrierat tarifore, dogana e çmime reference me Kosovën dhe politika duhet të qëndrojë larg kësaj situate”.

Me një këndvështrim pak më ndryshe e shikojnë ekspertët në fushën e tregtisë. Sipas tyre, konfliktet e lindura mes këtyre dy tregjeve burojnë nga normat dhe procedurat e ndryshme tregtare mes Shqipërisë e Kosovës. Sipas Ismail Bekës, ekspert në fushën e tregtisë, problemet tregtare mes dy vendeve kanë lindur si rezultat i mungesës së një harmonizimi procedurash doganore e tatimore.

 

Ismail Beka:

problemet tregtare mes dy vendeve kanë lindur si rezultat i mungesës së një harmonizimi procedurash doganore e tatimore

 

Eksportet, si janë zhvilluar

Në bilancin tregtar me Kosovën, Shqipëria ka një raport shumë pozitiv, ku eksport-importet kanë një raport 3.5:1.

Eksportet drejt Kosovës janë rritur në mënyrë të pandalshme gjatë vitit të fundit, duke arritur në mbi 17 miliardë lekë në fund të vitit 2012.

Rritjen më dinamike eksportet tona e regjistruan pikërisht në 2010-2011 ku një efekt të madh dha vendosja e masave të reciprocitetit të Kosovës me Serbinë. Këtë moment e shfrytëzuan shumë firma shqiptare, kur shumë prej të cilave e “preknin” për herë të parë tregun kosovar.

Peshën më të madhe të eksporteve shqiptare drejt këtij shteti e zënë materialet e ndërtimit dhe metalet, me mbi 45% të tyre.

Këtu një peshë të madhe kanë eksportet e çimentos, që janë rritur ndjeshëm, e cila gjithashtu u ndesh me pengesa doganore nga shteti Kosovar për një periudhë kohe gjatë vitit të kaluar.

Kompanitë e naftës dhe të gazit kanë qenë gjithashtu shumë dinamike në eksporte duke i rritur me shpejtësi dhe duke zënë 26% të totalit.

 

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe Kosova i ka rritur eksportet drejt Shqipërisë. Sipas INSTAT, importet nga Kosova arritën në mbi 5.6 miliardë lekë në 2012-n, me një rritje prej 13% kundrejt një viti më parë.

 

Peshën më të madhe të importeve kosovare e zënë metalet, me mbi 46% të totalit. Ndërkohë që në vendin e dytë janë produktet vegjetale me 28%.

Rritjen më të madhe e kanë regjistruar pikërisht plastika e goma, metalet si dhe produktet vegjetale.

 

 

REAGIMET

Ruli: Duhet marrëveshje e bashkëpunim

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Bosnjë- Hercegovinës në fushën e veterinarisë, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, theksoi se, tashmë do të ketë lehtësi të dukshme dhe të kontrolluara të qarkullimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore, çka parandalon direkt përhapjen e sëmundjeve infektive të kafshëve dhe produkteve shtazore të pasigurta.

Padyshim Dhomat e Tregtisë duhet të punojnë më shumë këtu, por dhe ne si ministri duhet të japim kontributin tonë. Marrëveshja e sotshme në fushën veterinare është një arritje e madhe. Sipas z. Ruli, “shkëmbimi i informacionit mbi shërbimet veterinare, mbi lëvizjet e kafshëve dhe sëmundjeve, funksionimi i sistemit të paralajmërimit në raste epidemish, koordinimi mes autoriteteve përgjegjëse për sigurinë ushqimore, bashkëpunimi ndërmjet laboratorëve të sigurisë ushqimore dhe komponentë të tjerë janë pjesë e kësaj marrëveshje”. Sipas tij, janë pikërisht këto marrëveshje që parandalojnë përhapjen e panikut dhe sigurojnë konsumatorët, ndryshe nga ç’ndodhi me zhvillimet e zhurmshme të pranisë së tepërt të aflatoksinës në qumësht. “Mendoj që po të kishim pasur një bashkëpunim funksional që më parë në këtë drejtim dhe i ashtuquajturi problem i kontaminimit të qumështit të gjithë rajonit tonë me aflatoksinë nuk do ishte përdorur për qëllime të pandershme tregtare sikundër ishte dhe rasti. Ne me një përpjekje të përbashkët dhe të koordinuar mes të gjitha vendeve do të kishim garantuar edhe prodhuesit tanë por edhe konsumatorin për faktin që prodhimet tona janë të sigurta dhe të shëndetshme”, tha ministri gjatë javës së kaluar. Ai vlerësoi deklaratën e përbashkët të bërë në Beograd nga një pjesë e madhe e ministrave të Bujqësisë në lidhje me këtë problem, pasi ishte një deklaratë që shprehte përgjegjësinë e autoriteteve të këtyre vendeve ndaj prodhuesve dhe konsumatorëve. “Besoj që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mes vendeve tona s’do ketë më jehona të tilla. Do t’ju nxis si ministër që të çojmë më tej procesin e negociatave për të nënshkruar protokollin shtesë të CEFTA-s”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli

 

 

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

 

Komision të përbashkët për të zgjidhur problemet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e vlerëson me nota kritike raportin e krijuar në shkëmbimet tregtare Shqipëri – Kosovë. Duke vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet qeverive tona, shpeshherë edhe të stimuluara, vihet re dukshëm se gjithë vëmendja e politikanëve të dy vendeve tona është e fokusuar në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare për vetë statusin që Kosova ndodhet. Trajtuar në këtë kontekst mund të aludohet që marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare Shqipëri – Kosovë duken si të braktisura. Nga ana tjetër, është qartësisht e dukshme se qeveritë tona jo vetëm që nuk po punojnë për krijimin e kushteve reale të bashkëpunimit ekonomik, por shpesh janë ato që krijojnë precedenca të pakëndshme në pikën doganore të Morinës lidhur me shkëmbimet tregtare. Është për të ardhur keq kur vëren që barrierave të vendosura nga njëra palë shumë shpejt u vjen reagimi i palës tjetër po me barriera dhe arbitraritet. Nuk mund të lë pa përmendur rastin e ndërhyrjes nga pala shqiptare lidhur me precedentin e patates, duke rritur në mënyrë të menjëhershme çmimin e referencës në pikun e sezonit të shitjes së këtij produkti. Apo rastin e çimentos ku në arbitraritet të plotë qeveria e Kosovës aplikoi të njëjtën procedurë si në rastin e patates. Ajo që po krijon një pesimizëm në marrëdhëniet tona të bashkëpunimit ekonomik është se raste të tilla po përsëriten herë pas here, duke dëmtuar rëndë edhe imazhin e kompanive respektive si në rastin e qumështit apo të miellit të ndodhura gjatë vitit 2013. Në kushtet aktuale, jo vetëm që nuk shohim një klimë pozitive të bashkëpunimit ekonomik, por ne si Dhomë Tregtie dyshojmë në dashamirësinë e qeverive tona për të mundësuar një klimë bashkëpunuese në sektorin ekonomik. Sugjerimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është që me procedura të përshpejtuara të bëhet e mundur ngritja dhe funksionimi i komisioneve të përbashkëta qeveritare, në mënyrë që të identifikohen problematikat që pengojnë marrëdhënien ekonomike si dhe të gjenden sektorët, produktet dhe shkëmbimet me interesa të përbashkëta. Të shikohen mundësitë e aplikimit të sistemeve fiskale unifikuese dhe në shërbim të marrëdhënieve ekonomike. Të shikohen me kujdes investimet në sektorë të ekonomive reciproke me natyrë komplementare. Këto dhe shumë të tjera janë ato që duhet të shqetësojnë axhendën e qeverive tona në mënyrë që t’i shërbejmë edhe investimeve të bëra në korridorin e kombit…

 

 

 

Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve

 

“Forum i përbashkët ndërmjet dy shteteve”

 

Është një situatë problematike dhe kjo ka përfshirë disa biznese. Të njëjtin shqetësim si qumështi ka pasur edhe mjalti. Ajo që duhet bërë është që patjetër të ulen përfaqësitë e biznesit dhe Ministritë e Ekonomive të dy vendeve, të hidhen piketat e krijimit të tregut përbashkët, krijimit të hapësirave dhe lehtësirave që produktet komplementare të vendeve tona të plotësojnë importet nga vendet e treta.

Në Kosovë ka më shumë hapësirë për produktet tona. Shumë produkte që ato eksportojnë nga Serbia, Maqedonia dhe Sllovenia mund të zëvendësohen me prodhime shqiptare duke u krijuar hapësira këtyre të fundit.

Duhet të krijohet një forum i përbashkët, të eliminohen barrierat doganore dhe administrative, të eliminohet problemi i diferencave në taksat doganore dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Në tregtinë midis dy vendeve ka pasur mjaft raste problematike. Produkte të caktuara në Shqipëri kanë edhe taksë doganore edhe TVSH, në Kosovë nuk kanë taksë doganore, as referencë dhe TVSH-ja është 16. Në këtë rast importohet malli, zhdoganohet, por duket qenë se diferenca nga taksat është 10% më e ulët tregtarët e rifusin kontrabandë në Shqipëri.

 

 

Sami Gjergji, administrator i “Primalat”

 

“Tregtia Shqipëri-Kosovë po i lihet spontanitetit”

 

Institucionet shtetërore po bëjnë një luftë të kotë. Historia nuk nisi me qumështin apo me miellin, por nis që nga patatja, çimento për të cilat u vendosën taksa respektive.

Kjo situatë që po krijohet veçse e dëmton biznesin, i cili nuk ka konflikte personale me njëri-tjetrin.

Është shumë problematik fakti që zhvillimi i tregtisë dhe biznesit i lihet spontanitetit dhe nuk ecën në bazë të strategjive të mirëstudiuara dhe hartuara.

Nëse Kosova është specializuar për patatet, kjo nuk ka pse pengohet nga Shqipëria, e cila nga ana e saj ka produkte të tjera të favorshme. Dy vendet duhet të jenë komplementarë të njëri-tjetrit dhe jo armiq.

Situata që përfshiu kompaninë tonë na pengoi shitjet për më se dy muaj në Kosovë, ku kemi rreth 30% të shitjeve tona dhe eksportojmë mbi 300 tonë në muaj. Tashmë ne jemi në negociata për të ngritur distributorë atje dhe këto ditë mbyllim kontratën me to.

E gjitha kjo që ndodhi ka një kosto dhe dëmtim imazhi. Por ne shohim që edhe konsumatorët po e kuptojnë që gjithçka është shndërruar në një luftë komerciale dhe jo në një kujdes nga ana e autoriteteve shtetërore.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of