Rreth 210 punonjës të kompanisë “Lufthansa Industry Solutions” do të punojnë nga shtëpia për 3 javë, për shkak të karantinimit të vendit nga koronavirusi. Përfaqësues të kompanisë thanë për “Monitor” se janë marrë masat e nevojshme paraprake për të garantuar vijueshmërinë e punës. Kompania thotë se janë kryer investimet e duhura për të zhvilluar punën në distancë.
“Në një situatë si kjo që po përjetojmë, e duke ndjekur të gjithë udhëzimet përkatëse të dhëna nga Qeveria dhe institucionet e shëndetit publik, LHIND e ka përqafuar idenë e të punuarit remote edhe një herë më tepër, duke u dhënë kështu mundësinë të gjithë punonjësve tanë të punojnë të sigurt në kushtet e shtëpisë.
Aktualisht në selinë tonë në Tiranë janë 210 punonjës, të cilët duke nisur prej datës 13 mars e deri më 3 prill do të punojnë nga shtëpia. Ekipi ynë i inxhinierëve ka bërë të gjitha testimet e nevojshme paraprake për të siguruar që asgjë nuk do të cenojë vazhdimësinë dhe cilësinë e punës. Infrastruktura e nevojshme për të punuar në këtë mënyrë u mundësohet të gjithë punonjësve, që në ditët e tyre të para në LHIND.
Atyre duhet vetëm të kenë lidhje interneti në shtëpi dhe të marrin nga zyra të gjitha pajisjet e nevojshme të punës, si laptop, adaptor, monitor e çdo gjë që atyre do t’ua lehtësonte punën”, sipas deklaratës të kompanisë.
Për ndërveprimin e punës mes punonjësve, “Lufthansa Industry Solutions” shprehet se ka ngritur edhe një strukturë të posaçme komunikimi të përditshëm, nëpërmjet disa platformave online, si Skype for Business apo Microsoft Teams, në mënyrë që të bëhet një ndjekje e vazhdueshme e ecurisë së punës dhe çdo problematike që mund të haset gjatë rrugës.
Kompania thekson se të punuarit nga shtëpia është një ndër politikat e saj dhe punonjësit janë të familjarizuar me këtë model të punuari. “Kjo do të thotë, se të gjithë punonjësit tanë, kanë të drejtë të punojnë të paktën dy herë në muaj remote në kushte normale. Ndër të tjera, duke qenë se baza e kompanisë sonë është në Gjermani, punonjësit e LHIND tashmë janë mjaft të familjarizuar me idenë e të punuarit remote dhe çdo gjë funksionon më së miri. Jemi të bindur se kështu do të jetë edhe gjatë këtyre tre javëve në vazhdim”, shprehet kompania “Lufthansa Industry Solutions”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.