Linja ajrore gjermane Lufthansa deklaroi sot se do të shkurtojë 22 mijë vende pune me kohë të plotë, pasi parashikon një rikthim të ngadaltë të kërkesës së udhëtimeve pas pandemisë së koronavirusit.
“Rimëkëmbja e kërkesës në sektorin e transportit ajror do të jetë e ngadaltë në të ardhmen e parashikueshme,” tha linja ajrore.
Grupi do të operojë me rreth 100 aeroplan më pak pas krizës, duke çuar në “gjithsej 22 mijë pozicione më pak me orar të plotë, gjysma e tyre në Gjermani”. Ky shkurtim përbën 16 për qind të forcës totale të punës të grupit Lufthansa prej 135 mijë.
Lufthansa, si homologet e saj është gjunjëzuar nga kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Bordi mbikëqyrës i Lufthansa miratoi javën e kaluar një marrëveshje shpëtimi prej nëntë miliardë eurosh nga qeveria gjermane pasi kompania publikoi një humbje neto të tremujorit të parë prej 2.1 miliardë eurosh. Linja ajrore gjithashtu ka humbur vendin e saj në indeksin e Frankfurtit Dax 30 pasi çmimi i aksionit të saj ra./AFP