Rreth 78 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se Bashkimi Evropian ka ndihmuar Kosovën në përballjen me koronavirusin, bën të ditur Instituti Epik.
Instituti EPIK së fundmi ka publikuar një raport lidhur me mbështetjen që i ka dhënë Bashkimi Evropian, Kosovës për të luftuar pandeminë COVID-19.
Sipas këtij raporti thuhet se 78% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se BE-ja ka qenë ajo e cila ka ndihmuar më së shumti Kosovën në përballje me pandeminë.
Gjithnjë sipas raportit, BE-ja i ka siguruar 5 milionë euro për të ofruar mbështetjen shëndetësore duke filluar nga testet, shtretërit, ato-ambulancat e deri tek respiratorët.
“BE-ja siguroi 5 milionë euro për të ofruar çdo gjë: nga testet dhe shtretër, e deri tek auto-ambulanca dhe respiratorë, siguroi 63 milionë euro ndihmë ekonomike dhe sociale për grupet më të cenueshme të shoqërisë, siguroi 100 milionë euro për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit dhe 395,000 vaksina nga COVAX”.
Mbështetje tjetër e dhënë nga BE-ja ishte ndarja e 63 milionë eurove si ndihmë ekonomike dhe sociale për grupet më të cenueshme të shoqërisë.
Bashkimi Evropian siguroj edhe 100 milion euro si kredi e butë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në Kosovë.
Në kuadër të këtyre ndihmave nga BE-ja, hyjnë edhe sigurimi i 395 mijë vaksinave nga COAX ku 95 mijë prej tyre ishin ndihmë e drejtpërdrejtë nga BE-ja.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,739 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,258 kanë vdekur. Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 159,045 persona.
Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.
Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech. Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.