Luks me laptopin tuaj

20/11/2020 10:00 PM 0 komente

Si po përpiqen hotelet të tërheqin punonjësit në distancë

 

Punonjësja e zënë sheh orën në laptopin e saj që tregon thuajse 13:00. Koha për drekë. Ajo merr telefonin dhe kërkon të flasë me shërbimin në dhomë. Një vakt i ngrohtë vjen për 20 minuta; nuk ka nevojë për gatim apo larje pjatash, shkruan The Economist.

Nëse kjo ide ju tërheq, ju mund të jeni një klient i mundshëm për një nga grupet e shumta të hoteleve që po përpiqen të nxisin njerëzit të marrin me qira një dhomë për t’u përdorur si zyrë. Ideja nuk është aspak e keqe. Dhomat e hotelit kanë pak vizitorë gjatë pandemisë; disa punëtorë mund ta kenë shumë të vështirë (ose të sikletshme) të ulen çdo ditë në tryezën e kuzhinës.

Zinxhirët e mëdhenj po nxitojnë për të testuar përmasat e këtij tregu. Hilton ka nisur një shërbim të ri, i quajtur Workspaces në Amerikë, Britani dhe Kanada, i cili u jep punëtorëve mundësinë të përdorin palestrën ose pishinën (aty ku është e mundur) dhe të marrin biçikleta me qira. Zinxhiri Wyndham po ofron paketa për punonjësit në hotelet në Kaliforni, Florida dhe Karolinën e Jugut.

Prej kohësh, hotelet kanë fituar para të mira nga tregu i biznesit, duke ofruar shërbime për udhëtarët e biznesit, konferenca dhe takime në ekip. Ata gjithashtu e kanë pranuar se u duhet një sinjal i mirë Wi-Fi për të tërhequr sipërmarrësit e dhënë pas laptopëve. Por marrja me qira e dhomave, tradicionalisht ka synuar një grup tjetër të tregut që nuk i përshtatet personave të vetmuar në tryezën e punës.

Një pjesë e këtij artikulli u shkrua në Sofitel St James, një hotel luksoz në zemër të West End, në Londër. Kjo sigurisht që do të ishte një mundësi e shkëlqyer për ata që mund ta përballojnë – 299 £ (388 dollarë) në ditë, përfshirë mëngjesin, drekën dhe një koktej në dispozicion për 50 £ shtesë. Suita e gazetarit ofronte një sallë pritjeje me një tavolinë, printer dhe copëzues letrash, plus një tavolinë me katër vende, dy karrige të rehatshme dhe një divan. Detajet e këndshme të vogla përfshinin stilolapsa shtesë, shirit ngjitës, gërshërë dhe një makinë kapëse. I gjithë stafi kishte maska dhe ruante një distancë të sigurt. Vendi ishte jashtëzakonisht i qetë, çka ndihmonte përqendrimin.

Sado të rehatshme, këto mundësi janë përtej buxhetit të një punëtori të zakonshëm, që mund të kërkojë të arratiset nga zhurma e ndërtuesve ose fëmijëve gjatë pushimeve shkollore. Një opsion më i lirë Sofitel, është i disponueshëm për 199 £, por kjo gjithsesi do të kërkonte që politika e shpenzimeve të një kompanie të ishte tepër bujare. Nëse jeni të punësuar me kohë të plotë, ju ndoshta mund të punoni në zyrë pa ndonjë kosto shtesë. Dhe nëse jeni një punëtor i pavarur, thjesht mund të drejtoheni në kafenenë më të afërt, ku për t’u ulur, mjafton të pini nga një kapuçino.

Një tjetër mundësi për punëtorët britanikë është pub-i tradicional, ku disa përpiqen të bëjnë biznes duke ofruar paketa “të nxehta”. Një argjendari në Warrington, një qytet në veriperëndim të Anglisë, po ofron një paketë ditore prej 12 £ me një vakt, kafe të pakufizuar dhe lidhje interneti. (Nëse një lokal do të ishte një vend i mirë për t’u përqendruar, është një çështje tjetër; një zyrë me plan të hapur duket si një manastir “Trappist” në krahasim me të.)

Pak britanikë jetojnë larg një bari. Në të kundërt, megjithëse Bartleby gëzonte akomodim luksoz, udhëtimi i tij në S. James ishte mjaft i gjatë. Për shumë punëtorë, mungesa e udhëtimit të përditshëm ka qenë një nga shpërblimet e mëdha të karantinës. Pra, dhomat e hotelit ka shumë të ngjarë të tërheqin punëtorët nëse nuk ndodhen shumë larg, çka do të thotë se duhet të jenë në periferi, jo në qendrat e qytetit. Hotelet periferike gjithashtu janë shumë më të lira. Hilton ofron një paketë pune në një hotel Hampton, në perëndim të Londrës për 45 paund në ditë.

Gjithsesi, tregu ka të ngjarë të jetë i përshtatshëm vetëm për një pjesë të vogël të punonjësve. Të qenët në shtëpi i lejon punëtorët të kenë pranë të gjitha komoditetet personale (libra, vakte të lehta, çajin e preferuar). Në hotel, duhet të njoftojnë personat e mirëmbajtjes. Dhe të qenët vetëm në një dhomë hoteli, sado që ndihmon në përqendrim, ka më shumë të ngjarë të rrisë ndjenjën e izolimit sesa në mjediset më të njohura të shtëpisë.

Megjithatë, me raste, një izolim mund të jetë i mirëpritur, ashtu siç shkrimtarët mbyllen në një kabinë për të përfunduar dorëshkrimet. Punëtorët që kanë një projekt të madh për të përfunduar mund të shijojnë një pushim hoteli, veçanërisht nëse zyra nuk ka protokollet Covid-19 për të lehtësuar frikën e tyre. Hotelet mund të jenë gjithashtu një vend i mirë për të kryer intervista pune, me kusht që kompanitë të respektojnë rregullat qeveritare të distancimit social.

Sidoqoftë, për personat modestë si Bartleby, shtëpia do të vazhdojë të jetë zyra e preferuar, edhe nëse kjo kërkon larje enësh. Në të vërtetë, koha për të ndaluar të shkruarit dhe për të mbushur filxhanin./Përktheu Lira Muça

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of