Industria automotive i është rikthyer normalitetit me angazhimin thuajse të plotë të fuqisë punëtore, përmbushjen e planeve të fillimvitit dhe hyrjen në treg të një kompanie të re japoneze. Pavarësisht krizës së përgjithshme në tregje, operatorët tregojnë se gatishmëria e kompanive shqiptare është vlerësuar nga klientët në një kohë si kjo dhe pritet të sjellë më shumë kontrata, kurse protokollet e sigurisë kanë sjellë rritje të dukshme të kostove. Viti 2021, edhe pse ende i paqartë, pritet të jetë më optimist me plane zgjerimi në numër punonjësish dhe rritje të prodhimit.
Nertila Maho
Industria automotive, e cila ngadalësoi ritmin për shkak të pandemisë, në periudhën mars-maj, duket se i është rikthyer rritjes. Kompanitë që prodhojnë fasoneri të thjeshtë (tela, kabllo, gomina) në Shqipëri, për llogari të kompanive të mëdha në botë, pohojnë se tashmë aktiviteti dhe planet e prodhimit janë kthyer në normalitet. Instituti i Statistikave raportoi se grupi i eksporteve “Makineri pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku bëjnë pjesë edhe produktet që finalizohen nga industria automotive, regjistroi vlerën 20 miliardë lekë për 11 mujorin, me rritje 4.5% me bazë vjetore.
Në pamje të parë, rritja në kushtet e pandemisë globale është tregues pozitiv. Por efekti është shumë më i madh, po të kemi parasysh që ritmi i rritjes së eksporteve të industrisë automotive, në dy vitet e fundit, 2017-2019, ishte mes 20-22%. Trendi pozitiv i kësaj industrie ka nisur prej vitesh, e teksa kompani si Forschner Albania, PSZ Albania apo Delmon Group Albania kanë disa vite aktive në treg, në këtë vit të vështirë pandemie nisën prodhimin edhe koreanojugorët e YURA-s në Fier, si dhe SEwS Cabind Albania.
Pas hyrjeve të reja, në nëntor, eksportet e këtij grupi “shpërthyen”, duke u rritur me 63% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke shënuar rritjen më të lartë nga të gjithë sektorët e tjerë.
Hyjnë në treg japonezët e Sumitomo, planet e zgjerimit në disa faza
Këtë vit, në zonën e Kamzës, nisi aktivitetin një tjetër kompani e industrisë automotive. Bëhet fjalë për SEWS Cabind Albania, pjesë e Sumitomo, një grup japonez që prodhon për disa prej klientëve më të mëdhenj të makinave në botë. Mario Scarfalloto, Menaxher i Impiantit në Shqipëri, thotë se planet e kompanisë janë për zgjerim me disa faza, duke synuar në finale 2500 të punësuar.
“Projekti në Shqipëri, për Sumitomo, është vërtet i rëndësishëm. Për këtë arsye u vendos që nga fillimi të investohet në fabrikë pothuajse me të gjithë makineritë dhe pajisjet e reja, që llogaritet me kosto diku tek 5 milionë euro. Në afat 4-5-vjeçar, kjo pritet të arrijë në vlerën 28 milionë euro për pjesën mekanike, kurse për shërbime në katër vitet e ardhshme, të kanalizohen 11 milionë euro” – shprehet ai lidhur me planin e biznesit. Lidhur me fuqinë punëtore, nënvizon se nuk ka qenë aq sfiduese gjetja e saj, të paktën jo aq sa e kishte menduar në fillim.
Ajo që duhet të ndryshojë, sipas tij, është ideja se puna është vetëm me një orar. Industria automotive dhe fabrikat që prodhojnë pjesë për të kanë një praktikë të punëve me tre turne, që në Shqipëri nuk haset shpesh. Për të inkurajuar daljen e punonjësve në disa turne, kompania ka vendosur një sistem inkurajimi pagese, ku turnet e dyta dhe të treta kanë një pagesë ekstra në raport me pagën neto. Pandemia, sipas Scarfalloto, ka ndikuar në ngadalësimin e punës së kompanisë në fillimet e saj, ndërsa tani ajo është funksionale dhe numri i punonjësve po rritet dita-ditës.
“Ishim të detyruar të shtynim fillimin e linjave me 5-6 muaj nga data fillestare e planifikuar. Por, në të njëjtën kohë, ia dolëm me sukses në disa raste që të vazhdonim të punonim në distancë (smart working). Kur kishte mundësi, ndonjëherë dhe në fabrikë. Falë përpjekjeve të të gjithë ekipit tonë, mund të themi se ia dolëm me sukses të nisnim 3 linja (prodhimi) dhe të vazhdonim punën për të tjerat, duke ndjekur planin fillestar” – pohon ai.
Pandemia rriti kostot e, gatishmëria në prodhim pritet të sjellë rritje në kërkesë
Për të gjithë bizneset që do të vazhdonin aktivitetin në muajin mars, qeveria publikoi protokollet. Industria automotive u detyrua të zbatonte atë që njihet sot si “protokolli i kuq”, i cili konsiston në marrjen e disa masave që lidhen me ambientet e aktivitetit, kushtet dhe distancat.
Agim Zeneli, nga Forschner Albania, pohon se këto masa po zbatohen në mënyrë korrekte, por kjo ka rezultuar edhe në rritje të kostos së operimit. “‘Protokolli i kuq’, i cili u njoftua në muajin mars, zbatohet rigorozisht nga ana jonë dhe vazhdon të gjenerojë kosto shumë të larta në aspektin operativ.
Masat e marra në fillim të pandemisë nga kompania si, përdorimi i maskave, vënia në funksion e tuneleve dezinfektues, blerja e lëndëve dezinfektuese, dezinfektimi periodik i ambienteve të punës, sigurimi i transportit për të gjithë punonjësit, pagesat për testin (tampone) të punonjësve, të cilët kanë shfaqur shenja të infektimit me COVID-19, investimi në pajisjet e Teknologjisë dhe Informacionit (IT) për të rritur dhe për të përmirësuar standardin e komunikimit për ata punonjës të administratës që punojnë nga shtëpia janë kosto e shtuar” – nënvizon ai. Pavarësisht situatës, Zeneli sjell në vëmendje se ajo që ka luajtur rol domethënës, ka qenë gatishmëria për t’u shërbyer në kohë klientëve nëpër botë, e për rrjedhojë parashikon që kjo të reflektohet në rritje të punës dhe kontratave.
Viti 2021 parashikohet optimist, kompanitë presin rritje të prodhimit dhe punësimit
Pavarësisht se viti 2020 po mbyllet me prodhim 20% më pak në raport me një vit më parë, për Delmon Group Albania, 2021 do të jetë patjetër një vit më i mirë, gjithmonë nëse pandemia do të shkojë drejt fundit. Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i Delmon Group Albania, tregon se rënia lidhet me situatën e përgjithshme të zinxhirit në industrinë automotove kudo në botë.
“Viti 2021, për ne, parashikohet të ketë rritje. Në këtë periudhë jemi duke përgatitur buxhetin dhe rritja do të jetë e sigurt. Kriza ka ndikuar në atë formë që, megjithëse në nivel grupi situata është e paqartë në lidhje me prodhimin, të synohet të alokohet sa më shumë prodhim në Shqipëri, për të ulur kostot. Kjo garanton rritjen tonë për vitin e ardhshëm, kuptohet duke konsideruar që situata nuk do të përkeqësohet, ose nuk do të ketë të papritura” – pohon Çabiri.
Edhe SEWS Cabind Albania pret rritje në vitin e ardhshëm. “Do të vazhdojmë zgjerimin në 2021 me linja dhe projekte të reja për të arritur targetin tonë të parë, që parashikon 1000 të punësuar staf dhe operatorë direktë. Nuk mendoj se COVID-19 do të ketë ndonjë ndikim të madh në planin tonë. Ekipi ynë i di shumë mirë objektivat që duhet të arrijë dhe kemi parashikuar të gjithë procedurat në mënyrë që të menaxhojmë edhe këtë situatë” – thekson Mario Scarfalloto.
Makinat dhe pandemia, “lulëzon” tregu i atyre të përdorura, Europa dobët, Kina rritje dyshifrore
Pas një makine që prodhohet, qëndrojnë një seri industrish të tjera të lidhura zinxhir. Ndaj kur pandemia në fillimet e saj goditi tregjet, nuk ishte çudi që disa prej sektorëve të lidhur me industrinë automotive vuajtën pasoja të rënda. Por goditja në hapat e para u zbut gradualisht, teksa kompanitë më të mëdha rinisën prodhimin, duke parashikuar që kërkesa ende e dobët të rikuperohet në vazhdim.
Të dhënat nga anketat e zhvilluara nga kompani të ndryshme nëpër botë tregojnë për dy tendenca. Njerëzit braktisën transportin publik, për t’ju kthyer makinës së tyre, nëse kishin një të tillë dhe ata që nuk zotëronin një makinë, u drejtuan në një pjesë të mirë, te tregu i dorës së dytë, apo makina të përdorura.
Në Europë, prodhuesit presin që të ketë rritje të kërkesës, e rikuperuar gradualisht deri në vitin 2025, teksa për vitin 2020, situata është dukshëm e vështirë dhe shitjet mbeten në nivele të ulëta. Shumica e koncesionarëve që shesin makinat e shpjegojnë kërkesën ende të ulët për makina me pasigurinë që sjell pandemia lidhur me vendin e punës, sigurimin e jetesës, një mbylljeje të re, e skenarë të tillë të ngjashëm. Sigurisht, ata presin që nëse pandemia hiqet nga ekuacioni, normaliteti në treg do të rikthehet shpejt për një treg që është dinamik në zhvillim.
Teksa kjo problematikë vihet re në tregjet europiane, duket se Kina nuk po përjeton të njëjtën tendencë, përkundrazi shifrat tregojnë një rimëkëmbje mbresëlënëse. Kryeshefi i Daimler, Ola Källenius, do të nënvizonte një rimëkëmbje në formë V-je në këtë treg që vjen pas deklaratës së shefit të Mercedez Benz se kompania kishte një rritje dyshifrore në tregun aziatik për 6 muaj radhazi. Edhe kompani të tjera si BMW kanë deklaruar një rritje me 31%, ndërsa marka si Audi dhe Porsche kanë pësuar rënie me 9% në tremujorin e tretë të vitit.
Në Amerikë, industria është ende nën ethet e masave që do të marrë Presidenti i ri i sapozgjedhur, Joe Biden. Sinjalet janë që ai të miratojë masa shtesë në lidhje me emetimet e gazrave, duke i bërë makinat më të pastra, por relativisht edhe më të shtrenjta. Kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë vend, si Ford apo GM, janë shprehur se mirëpresin politikat e reja të Presidentit, duke synuar që të nxisin prodhimin, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik global.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Urime dhe Suksese!
Urime dhe suksese!