“Lulëzojnë” zyrat e këmbimit valutor, potencial për pastrim parash, 7 humbën licencën më 2019

02/07/2020 11:00 PM 0 komente

Pavarësisht, se Banka e Shqipërisë i forcoi rregulloret e licencimit për zyrat e këmbimit valutor, sërish vitin e kaluar u shtuan edhe  50 operatorë të rinj në treg, teksa 11 prej tyre humbën licencën. Në total, tregu i këmbimeve valutore u zgjerua me 8,6 % në numër operatorësh.

Banka e Shqipërisë, në raportin vjetor të Mbikëqyrjes për vitin 2019, pohon se tregu i këmbimeve ka qenë mjaft dinamik, por nga një kontroll i thelluar në 97 agjenci, 31 prej tyre kanë rezultuar problematike në drejtim të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Për shkak të kësaj problematike për 31 prej tyre u morën masa mbikëqyrëse dhe administrative për mangësitë e konstatuara dhe për 7 prej tyre, u revokua licenca për parregullsi, ndërsa 4 të tjerë e mbyllen vetë aktivitetin, njoftoi Banka.

Gjatë kontrolleve në ketë segment të tregut financiar Banka e Shqipërisë gjeti mosrespektim të procedurave identifikuese të klientëve, dhe mangësi në ruajtjen e dokumentacionit mbështetës të veprimeve valutore.

Agjencitë problematike të këmbimit nuk i kishin raportuar transaksionet mbi limitin 1 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjithashtu agjencitë nuk kishin njohuri të mjaftueshme mbi detyrimet ligjore/rregullatore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit dhe kishin njohuri jo të mjaftueshme për detyrimet ligjore.

Numri i madhi agjencive të këmbimit po nxitet nga kërkesa e lartë për shkëmbim valute. Të dhënat konfidenciale nga Banka e Shqipërisë tregojnë se volumet e këmbimit valutës janë përshpejtuar vitet e fundit.

Për të vënë kontroll mbi zgjerimin e hovshëm të agjencive të këmbimit banka e Shqipërisë vitin e kaluar ndryshoi rregulloren e licencimit. Niveli i kapitalit fillestar minimal të kërkuar u rrit për subjektet që do të aplikojnë nga 1.5 milionë lekë që parashikohej në kriteret e mëparshme rregullative, në 2.5 milionë lekë.

Gjithashtu u shtuan kriteret të tilla si zotërimi i një diplome universitare, për administratorin e subjektit, u shtuan kërkesat raportuese lidhur me dokumentacionin që duhet të riparaqesin zyrat në Bankën e Shqipërisë (pas licencimit), mbi baza vjetore, të tilla si vërtetimet për integritetin e aksionerit/ortakut/administratorit dhe për lidhje të mundshme të tyre me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, por edhe të dhëna financiare mbi ecurinë e veprimtarisë së subjektit gjatë vitit të fundit dhe për shlyerjen e rregullt të detyrimeve fiskal.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of