“Franca kërkon të jetë udhëheqëse në prodhimin e hidrogjenit të gjelbër deri në vitin 2030, të ndërtojë aeroplanë me karbon të ulët dhe reaktorë të vegjël bërthamorë si pjesë e një plani investimi prej 30 miliardë eurosh (35 miliardë dollarë)- tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
Macron tha se plani i veprimit, i mbiquajtur “France 2030”, do të sigurojë që Franca të dekarbonizojë industrinë, të sjellë risi dhe të rrisë prodhimin në fushat kryesore të saj, duke filluar nga makinat dhe biomjekësia deri tek gjysmëpërçuesit, duke nxitur prodhimin vendas deri në fund të dekadës.
Plani afatgjatë, i cili u prezantua si draft gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, u kritikua nga opozita si fushatë elektorale, por Macron tha se këto objektiva ishin shumë të rëndësishme për pozicionimin e shtetit francez në rang botëror.
Duke marrë si precedent mungesën e maskave kirurgjikale përgjatë shpërthimit të pandemisë, Macron tha se kriza kishte ekspozuar dobësitë reale të ekonomisë dhe nevojën vendimtare që Franca të kishte inovacion dhe prodhim industrial vendas.
“Ne duhet të rindërtojmë strukturën për pavarësi në prodhim për Francën dhe Evropën,” tha ai, duke shtuar se inovacioni do të ishte faktor kyç në mes të konkurrencës globale për udhëheqje dhe qasje në lëndët e para. “Fituesi merr gjithçka,” shtoi ai.
Duke përshkruar disa prej objektivave të planit, Macron tha se Franca deri në vitin 2030 do të ndërtojë aeroplanë me karbon të ulët, reaktor modularë, dy fabrika të mëdha për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër, si dhe do të prodhojë një numër të madh automjetesh elektrike.
“Ne duhet të vazhdojmë betejën e inovacionit dhe industrializimit në të njëjtën kohë,” tha Macron ndërsa përshkroi planin për një grup sipërmarrësish, duke shtuar se: “Ne kemi nevojë për një vend që prodhon më shumë.”
“Ky plan vendos në qendër sipërmarrjet e reja dhe energjetike në ndërtimin e së ardhmes industriale të Francës krah korporatave të mirënjohura gjigante.”- shtoi Makron.
Kritika
Objektivat e tjerë të vitit 2030 përfshijnë investimin në gjysmëpërçues dhe fuqizimin e inovacionit në sektorin shëndetësor francez, përfshirë biomjekësinë.
Përveç 30 miliardë eurove në investime të reja publike, disa prej të cilave tashmë do të përfshihen në buxhetin e vitit 2022, banka franceze e investimeve publike Bpifrance do të investojë 4 miliardë euro në firma novatore.
E gjithë kjo i shtohet planit të rimëkëmbjes prej 100 miliardë eurosh të shpallur vitin e kaluar për të ndihmuar Francën në përballimin e koronavirus, një pjesë e madhe e të cilave shkoi në promovimin e politikave të energjisë më të gjelbër.
Plani u kritikua ashpër nga opozita dhe grupet mjedisore.
“Disa muaj nga përfundimi i mandatit të tij, presidenti në largim zotohet “para” francezëve që të rikthejë imazhin e tij elektoral, me premtime që i bëjnë përshtypje vetëm pasardhësit të tij,” tha udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
“Kjo do të thotë- me çfarëdolloj kushti, unë dua të rizgjidhem! “-tha ajo.
Matthieu Orphelin, një ligjvënës që u largua nga partia e Macron dy vjet më parë tha se ky ishte “fjalimi i parë i fushatës i Macron për 2022”, ndërsa grupi mjedisor Greenpeace e quajti atë “një festival të zgjidhjeve të rreme dhe të dëshira të parealizueshme”.
Foto Ludovic Marin/AFP/Getty Images