Kuba është gjithnjë joshëse, mes së shkuarës që po shuhet e së tashmes gjithë gjallëri, kulturë dhe art
Këtë vit, Havana, kryeqyteti i ishullit dhe qendër ekonomiko-kulturore e vendit, feston. Më 16 Nëntor shënohet 500-vjetori i themelimit të saj, me emrin e dikurshëm Villa de San Cristóbal de La Habana.
Një qytet i vjetër i Botës së Re
Havana është një nga qytetet më të vjetra, kolonizatorët e quanin Bota e Re. Një histori që është e dukshme në karakterin e popullit të saj, në arkitekturë, në rrugë dhe pallatet e saj që, pak nga pak, po rilindin falë një plani ambicioz të restaurimit të qytetit.
Të shëtisësh, të shëtisësh, me qetësi…
Mënyra më e mirë për të njohur këtë qytet është të shëtisësh nëpër rrugët e tij, sheshet dhe parqet e Havanës së Vjetër, të Havanës Bashkëkohore dhe të lagjes së Vedado, duke u bërë pjesë e jetës së përditshme të banorëve të Havanës, që e kalojnë pjesën më të madhe të jetës jashtë shtëpisë…
Ndërkohë që përpiqeshin të përshkonim arterien e madhe të Malecón, shëtitorja buzë oqeanit e Havanës, një grua na kapi prej krahu dhe na pyeti duke qeshur: “Ku po shkoni? Ecni ngadalë, pa stres”. Dhe duke qenë se kemi ardhur në këtë ishull, ia vlen barra qiranë që të bashkohemi me ritmin e ëmbël karaibik… Havana e Vjetër është shpallur Pasuri Botërore e UNESCO-s në vitin 1982. Qyteti njihet për historinë e tij, kulturën, arkitekturën dhe monumentet.
Një film i viteve ’50 me makinat e vjetra “american-style”
Një nga atraksionet më të mëdha të qytetit janë makinat e vjetra “american-style” (ka edhe disa makina të periudhës sovjetike, më pak interesante), që na çojnë në një tjetër epokë. Duket sikur jemi në një film të viteve ’50.
Megjithëse është një aktivitet fitimprurës për turizmin, shumë banorë të Havanës nuk i pëlqejnë këto automjete, pasi ndosin shumë mjedisin.
Varadero, një Eden me ujëra turkeze
Udhëtimet nëpër rrugë në Kubë janë të gjata, por ia vlejnë për të shijuar peizazhet fantastike tropikale të ishullit, fshatrat piktoreskë gjithë gjallëri, muzikën dhe makinat e vjetra (kubanët janë mekanikë fantastikë) që duket sikur jeton në një tjetër epokë. Pas disa orë udhëtimi, ndalemi në Varadero, plazhi më turistik i Kubës. Një Eden me ujëra turkeze, ku ofrohet gjithçka që kërkoni me një natyrë të mrekullueshme, shërbim cilësor, luks, relaks dhe bukuri.
Ne vizituam Hotel Varadero International, i cili sapo ka hapur dyert, pasi qeveria e Kubës vendosi, me jo pak polemika dhe me trishtim, të prishë hotelin e vjetër të ndërtuar në vitet ’40 për çështje sigurie dhe mbrojtjen e brigjeve. Ndërtesa luksoze, por jo me elegancën e asaj të dikurshme, e ndërtuar në një nga plazhet më të bukura të Kubës, është përpjekur të risjellë të njëjtën shije dhe stil të hotelit të dikurshëm.
Santiago de Cuba, Villa Clara, “Che” dhe Revolucioni
Vazhdojmë udhëtimin në Santiago de Cuba, duke vijuar në krahinën Villa Clara. Prania e Komandantit “Che” Guevara ndihet në çdo cep të këtij qyteti të bukur dhe është pikërisht ai që solli “Revolución” në këtë pjesë qendrore të ishullit. Eshtrat e tij prehen në mauzoleun gjigant në Santa Clara.
Muzika, “santiagueros” dhe francezët…
Muzika e gjallë del nga shtëpitë me volum të lartë, salsa, trova, son. Santiago është djepi i muzikës kubane, i artistit legjendar Compay Segundo (1907-2003). Muzika ndihet kudo. Këtu thuhet se santiagueros lëvizin duke kërcyer. Trashëgimia franceze është ende sot e pranishme. Në qytet dhe në mal, ku jetonin francezët që u arratisën nga revolucioni haitian në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Ata sollën para dhe punën e skllevërve, si dhe zhvilluan industrinë e rëndësishme të kafesë. Por gjëja më e rëndësishme është që sollën iluminizmin dhe zhvilluan një mjedis kulturor elegant dhe të rafinuar, pikërisht në mes të malit. Flitej në frëngjisht dhe gjuhën kreole.
Gjurma franceze është e pranishme në kuzhinë, në arsim, në mënyrën e të veshurit, madje edhe në mënyrën e të folurit të santiagueña, më e ëmbël dhe melodike se në Havana. Një pjezës Kube brenda “një tjetër Kube”.
Burimi: Euronews