Kryeministri i ri i Italisë ka pasur sukses në nëntë muajt e parë . Por ka ende shumë për të bërë dhe brenda një kohe të shkurtër, shkruan The Economist
Në gjashtë muajt e fundit, italianët kanë arritur triumfe të njëpasnjëshme. Në maj, grupi muzikor italian, Maneskin, fitoi festivalin e Eurovizionit.
Në korrik, ekipi kombëtar i futbollit për meshkuj, fitoi titullin kampion të Europës dhe në gusht, gjatë Lojërave Olimpike, vrapuesit meshkuj mahnitën botën sportive, duke fituar medaljen e artë në garën 100 metra dhe garën me stafeta 4 x 100 metra. Në tetor, shkencëtari italian, Giorgio Parisi, ishte një nga tre fituesit e çmimit Nobel për fizikën.
Ndërkohë, Italia është qeverisur nga Mario Draghi, një kryeministër mjaft i respektuar në të gjithë botën, i cili ka marrë një shumicë të madhe parlamentare që i lejon t’i kthejë me shpejtësi projektligjet në ligje. Ekonomia po rimëkëmbet fuqishëm, e mbështetur nga një fushatë efektive vaksinimi.
Më 28 tetor, zoti Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Europiane, këtë vit parashikoi një rritje ekonomike “ndoshta mbi 6%”, megjithëse shumica nuk parashikojnë që PBB-ja e Italisë të arrijë në nivelin para-pandemik deri në vitin 2022, shumë më mbrapa se ekonomia e Amerikës, Britanisë dhe vendeve të tjera të zhvilluara.
Por agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s, ka rishikuar perspektivën e saj për borxhin italian, nga “e qëndrueshme” në “pozitive” dhe më në fund, qeveria italiane mund të ketë mundësinë të shpenzojë lirisht për herë të parë që nga koha e Planit Marshall të pasluftës, të financuar nga Amerika.
Në terma absolutë, Italia pritet të jetë përfituesja më e madhe e programit të BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia. Ajo do të përfitojë 191.5 miliardë euro në grante dhe kredi, vetëm nga Plani i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.
Një fluks i tillë parash do të ketë, pa dyshim, ndikim në një ekonomi e cila thuajse kishte ngecur në vend edhe para Covid-19: në terma realë, PBB-ja e Italisë në vitin 2019 ishte vetëm 4% mbi nivelin e vitit 2000, në sajë të kombinimit të një rritjeje të ngadaltë në vitet më të mira dhe rënieve të mëdha në vitet më të këqija.
PBB-ja reale për person ishte 1% më e ulët gjatë kësaj periudhe, krahasuar me një rritje prej 16% në Francë dhe 24% në Gjermani. Oxford Economics parashikon se në tre deri në katër vitet e ardhshme, Plani i Rimëkëmbjes i BE-së, do t’i shtojë PBB-së italiane një rritje vjetore prej 0,5%.
Sfida e vërtetë
Enzo Moavero, profesor në Universitetin Luiss në Romë, i cili ka shërbyer si ministër në tre qeveritë e fundit, paralajmëron se sfida e vërtetë për zotin Draghi, do të jetë sigurimi i një rritje të qëndrueshme ekonomike, mundësisht në ose mbi nivelin e mesatares europiane. Ai mendon se një gjë e tillë do të kërkojë “reforma efektive që çojnë në ndryshime të plota strukturore”.
Plani i Rimëkëmbjes i BE-së është krijuar për të adresuar pikërisht këtë çështje. Ai i ndan fondet duke u mbështetur në kushtin e kryerjes së reformave dhe investimeve të posaçme, që synojnë përmirësimin e perspektivave të rritjes për vendet anëtare.
Italisë deri tani i është dhënë një shumë fillestare prej 25 miliardë eurosh, pa kushte të bashkangjitura. Por ajo duhet të përmbushë 51 kërkesa deri në fund të vitit, për t’u kualifikuar për këstin e ardhshëm. Dhe nuk është e sigurt nëse mund ta arrijë këtë objektiv. Një raport drejtuar kabinetit më 23 shtator, zbuloi se deri në atë periudhë, ishin arritur vetëm 13 nga 51 objektivat e nevojshme.
Problemi nuk qëndron tek programi i reformave të Italisë, i cili po përparon mjaft mirë. Në maj, u miratua një paketë që thjeshtonte një gamë të gjerë procedurash burokratike. Gjithashtu është gati për t’u zbatuar një reformim i sistemit të drejtësisë penale. Një reformë e mëtejshme, me fokus në drejtësinë civile, është gjithashtu në gatishmëri. Zyrtarët thonë se legjislacioni për nxitjen e konkurrencës do të vijë së shpejti.
Problemi qëndron tek investimet. Zvarritësit e mëdhenj të procesit duket se janë Ministria e Turizmit, e cila në kohën e raportit nuk kishte zbatuar ende asnjë nga gjashtë investimet për të cilat është përgjegjëse; dhe Departamenti për Tranzicionin Ekologjik, i cili kishte zbatuar vetëm një investim.
Në lidhje me përparimin e situatës së vendit deri në fund të vitit, ka dy dyshime kryesore. I pari ka të bëjë me fatin e legjislacionit pas dorëzimit të tij për zbatim në nivel nën-kombëtar. “Në Itali, shpesh qëllimi i politikave humbet në përkthim”, thotë Paolo Graziano, i cili jep mësime të shkencave politike në Universitetin e Padovës.
Ka mungesë të aftësive të nevojshme për menaxhimin e projekteve midis zyrtarëve të ngarkuar me zbatimin e programeve komplekse – një mangësi që qeveria Draghi thotë se ka filluar ta adresojë. Por Fabrizio Tassinari nga Instituti Universitar Europian në Firence, thotë se një mangësi tjetër është fakti se “legjislacioni dytësor bëhet peng i interesave të ndryshme, nga autoritetet lokale tek sindikatat”.
Një dyshim tjetër lidhet me vetë zotin Draghi. Ka raporte që thonë se ai dëshiron presidencën, që do të mbetet një vend i lirë në shkurt dhe nëse do të zgjidhej president, atëherë duhej të jepte dorëheqjen si kryeministër. Edhe nëse nuk bëhet kreu i shtetit, ai nuk ka gjasa që të qëndrojë në qeveri pas zgjedhjeve të përgjithshme në pranverën e vitit 2023, të cilat mund të mbahen edhe më herët.
Më 18 tetor, kandidatët për kryetar bashkie nga Partia Demokratike (PD) u zgjodhën në qytetet Romë dhe Torino, duke vendosur në pushtet qendrën e majtë në qytetet më të mëdha të Italisë. Por PD-ja dhe aleatët e saj kanë një pozicion më të dobët në provinca.
Sondazhet vazhdojnë të tregojnë se qeveria e ardhshme e Italisë do të jetë një koalicion i mbizotëruar nga dy parti që kanë qenë prej kohësh kritike ndaj Komisionit Europian: partia Vëllezërit e Italisë (FDI), e cila ka lidhje me neofashizmin, dhe Liga e Veriut, një parti e ekstremit të djathtë.
Argumentet
Disa argumentojnë se largimi i zotit Draghi nuk do të çonte në një përçarje radikale. Qeveria e tij ka krijuar mekanizma burokratikë për të drejtuar dhe për të kontrolluar fluksin e parave të rimëkëmbjes dhe këto mekanizma do të mbijetojnë. Gjithashtu qeveritë e ardhshme do të jenë po aq të kufizuara nga afatet që vendos komisioni dhe do të humbisnin financimin nga Brukseli po të mos përmbushnin kërkesat.
Ndoshta. Por Partia Liga e Veriut, e cila është pjesë e koalicionit që mbështet zotin Draghi, dhe FDI-ja, që nuk është, kanë të dyja politika dhe interesa të cilat bien ndesh me shtyllën reformuese të planit të rimëkëmbjes. Një dobësi e madhe e ekonomisë italiane është se taksat mbi punën janë shumë të larta, ndërsa ato mbi pronën janë shumë të ulëta.
Qeveria e zotit Draghi u përpoq të vendoste një baraspeshë, duke ndryshuar kriteret e përdorura për regjistrimin e tokës në një mënyrë që do të kishte rritur të ardhurat nga taksa e pronave. Por ai hasi qëndresë nga drejtuesi i Ligës, Matteo Salvini. Si rezultat, ndryshimet nuk do të hyjnë në fuqi deri në vitin 2026; dhe as atëherë nuk do të përdoren për llogaritjen e detyrimit tatimor.
“Unë jam më pozitiv tani se një vit më parë”, thotë Nicola Nobile nga Oxford Economics. “Por ende e konsideroj si një skenar të pagjasë përmirësimin e përhershëm të perspektivave ekonomike të Italisë”.
Përktheu Lira Muça
Foto REUTERS/Ralph Orlowski