Katër ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për importin e makinave të përdorura, tregu efektet janë ndjerë kudo. Koncesionarët po shkojnë drejt krizës, ndërsa mjedisi po ndotet më shumë
Tregu i makinave në vend po përjeton bum të vërtetë. çdokush ka mundësi të blejë një mjet të përdorur, të importuar sipas variantit të ligjit të ri, i cili hyri në fuqi në shtator të vitit 2011, pa qenë nevoja të paguash doganë. Në çdo cep të Tiranës shikon trotuare të zëna me autovetura të parkuara rresht, me etiketa “shitet” dhe me çmime të arsyeshme. Drejtoria e Doganave thotë që pas heqjes së taksës së importit, vlera e mjeteve të transportit ka pësuar ulje me 70% dhe shumë familje shqiptare po bëhen me makinë, madje me dy. Situata e krijuar dëshmon realizimin e qëllimit të qeverisë për të mos frenuar mundësinë e shqiptarëve të blejnë një makinë, por nga ana tjetër shtrohet pyetja, a ia vlejti ligji për ruajtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e investitorëve koncesionarë. Të dhënat tregojnë një situatë dramatike për të dyja anët e sektorit.
Nëse para miratimit të ligjit kishim rreth 210 mijë autovetura me moshë mbi 10-vjeçare, tani ky numër ka shumë gjasa të jetë rritur. Mosha mesatare e 400 mijë mjeteve që qarkullojnë në vend është 17 vjet, pra tepër e madhe për nga standardet e Bashkimit Europian, ku në disa raste nuk lejon tregtimin e makinave me vjetërsi më të madhe se 5-6 vjet.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, institucioni që menaxhon dhe regjistron mjetet dhe taksat që paguhen, thotë se volumi i punës është rritur tej mase dhe se ligji i ri ka dhënë ndikime të konsiderueshme. Është e vërtetë, se për qeverinë do të ketë të ardhura të garantuara, por efektet negative dhe të pariparueshme do të ndihen në drejtime të tjera.
Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, dogana raportoi për një import mjetesh të përdorura deri në 100 copë në ditë. Faktet tregojnë se numri i tyre ka pësuar rritje, me një mesatare prej 120 mjetesh në ditë. Përllogaritjet nxjerrin të dhënat se në katër muajt e fundit të vitit 2011, në vend ishin importuar rreth 18 mijë mjete transporti, në një kohë kur normalja mesatare ishte 23 mijë në vit. Kjo do të thotë se në 2011-n, në Shqipëri janë shtuar të paktën 30 mijë mjete të përdorura, ndërsa vjetërsia rezulton e lartë, kërcënim ky tejet serioz për mjedisin. Në çdo vend të BE-së, ku rregullat e ambientit janë të forta dhe niveli i taksave imponon mbajtjen e makinave me vite prodhimi të fundit, tregtarët tanë kanë gjetur “minierën” e pasurimit, pasi po blejnë mjete të vjetra për 1 mijë euro për t´i shitur më pas në vend. Ligji nuk kufizon vitin e përdorimit, por ka vendosur një taksë progresive, me koeficient të përcaktuar sipas formulës që synon barrë fiskale të rëndë për mjetet e vjetra dhe reduktim për të rejat. Kështu, makinat me vite prodhimi të tre viteve të fundit nuk paguajnë asnjë taksë te Drejtoria e Shërbimit Rrugor, sikurse importohen lehtë pa paguar doganë, por rregulli i fundit vlen edhe për mjetet e përdorura, pa caktim limiti.
Formula e re për llogaritjen e detyrimit bazohet te viti i prodhimit me koeficient 0.18 dhe që rritet çdo vit me 0.01, dhe te fuqia motorike. Tjetër taksë që po paguhet është tarifa e re për karburantet, si për naftën ashtu dhe për benzinën, e cila nga zero lek, në shtator u bë 5 lekë/litri, kurse tani në janar u rrit me 7 lekë/litri. Të dyja këto bashkë do t´i japin buxhetit të shtetit një të ardhur prej më shumë se 100 milionë USD, që sipas Ministrisë së Financave, nuk rezulton me rritje të ndjeshme. Këto të ardhura janë të nevojshme për buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër janë pak për rrezikun e mjedisit, duke pasur parasysh llojin e karburantit që përdoret. Taksa frenon deri-diku makinat e vjetra, por ato me mbi 15 vjet përdorimi, kurse kategoria e mbetur paguan një tarifë vjetore 10-12 mijë lekë.
Në vendin tonë operojnë rreth 15 shoqëri koncesionare, që ofrojnë marka të makinave nga më të njohurat dhe me shërbime cilësore. Ky treg ka gjeneruar për ekonominë e vendit qindra milionë euro, në formë investimesh, punësimi dhe taksash të paguara. Sot, sektori i koncesionarëve ndihet e kërcënuar, pasi individët synojnë të blejnë gjithnjë e më shumë makina të përdorura dhe me çmime në dukje të lira. Përfaqësues të firmave të ndryshme thonë se tregu i makinave të reja ka pësuar ulje të ndjeshme, deri në 50%, në raport me vitin e kaluar. Ata thonë se po lulëzon tregu informal i mjeteve, i atyre që nuk paguajnë taksat në shtet dhe që shesin mjete të vjetra që ndotin ambientin.
Nëse mesatarisht shiteshin çdo vit 3500 makina të reja, me zero km, në fund të vitit 2011, me hyrjen në fuqi të ligjit, shitjet rezultuan nën 2 mijë, e ndërsa situata do vijojë e njëjtë edhe për këtë vit, nuk është çudi shpallja e falimentit nga investitori. Për të frenuar ushtrinë e makinave të përdorura, Ministria e Financave lëshoi një urdhër që rriste çmimin e referencës me 10%, duke e çuar në kuotën e 80%. Sipas ndryshimit, nuk do të lejohet importimi i mjetit me vlerë të deklaruar nën 80% nga çmimi referencë i doganës. Duhet të kemi parasysh faktin se në doganë paguhet TVSH mbi çmimin e vërtetuar me faturë ose mbi bazën e referencës, sa i takon mjeteve të përdorura. Koncesionarët pretendojnë se shqiptarët po blejnë gjoja makina të lira pa taksa nga importi, por që në fakt kostot gati barazohen me çmimet e ofruara nga firmat private.
Aldi Kuzmi, drejtor i përgjithshëm i “Auto City”
Pas rënies me 60%, nuk është çudi falimentimi i ndonjë shoqërie
Katër muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për shitjen e makinave të përdorura, çfarë mund të na thoni për ndikimet në treg, a ndihen të kërcënuar koncesionarët?
Do të thosha që, situata në tregun e makinave të reja të shitura në Shqipëri nga koncesionarë, paraqitej problematike edhe para miratimit të ligjit për mjetet e përdorura, që heq tarifën e importit. Ajo çfarë dua të them është se tregu ynë, tërësisht ligjor, nuk ka qenë i mbrojtur dhe ka punuar në kushte të disfavorshme. Kam parasysh këtu historikun që daton shumë herët me tregun e zi të mjeteve, që tashmë gjendet në çdo cep të Tiranës dhe ku duket qartë rreshti i mjeteve të parkuara anash rrugëve kryesore, me tabela “shitet”, dhe ku askush nuk merr përsipër t´i ndalojë, edhe pse nuk paguajnë taksat apo bllokojnë parkimet e ndryshme publike, për të cilat secili nga ne paguan taksa.
Tjetër problem ishte ligji për shitblerjen e mjeteve brenda vendit, që ndikoi negativisht në ecurinë e tregut gjatë fillimit të 2011-s. E më pas kemi ligjin e ri, që hyri në fuqi në shtator të vitit 2011, pasojat e të cilit po ndihen edhe sot.
Mund të na thoni më konkretisht, si reagoi tregu?
Viti 2011 nisi pak keq, që në fillim, me protestat e 21 janarit dhe vijoi të operonte nën presionin e një klime jo të favorshme politike, ku besoj këtë e ka ndjerë i gjithë biznesi. Në tremujorin e fundit të 2010-s, shitjet ishin në nivele të kënaqshme, pastaj ranë në mënyrë të ndjeshme në tremujorin e parë. E ndërsa prisnim një reagim të mirë në pjesën e dytë të vitit 2011, gjithçka mori për keq, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri në shtator 2011.
Të dhënat që disponojmë flasin për një treg makinash të reja në nivele gati të përgjysmuara. Mesatarja vjetore e tregut koncesionar është 3200-3500 makina, kurse fundi i vitit 2011 i gjeti me nën 2 mijë automjete të shitura. Duke parë periudhat nga njëri tremujor në tjetrin, kemi përgjysmim të shitjeve, ose duke i ndarë me kohë, para dhe pas ligjit, kemi një rënie të tregut me rreth 60 për qind si në nivel vjetor, por dhe duke e krahasuar me tremujorin e fundit të 2010.
Atëherë rënia te koncesionarët do të jetë reflektuar në tregun e zi të mjeteve?
Padyshim që po. Në këtë pikë dalim në konkluzionin se për çfarë u hartua ligji, cilat ishin efektet, çfarë synohej. Nëse çdo vit importoheshin jo më shumë se 25 mijë mjete transporti të përdorura, tani kemi, vetëm në katër muajt e fundit të 2011-s, pra kur hyri ligji në fuqi, rreth 18 mijë mjete të importuara. Nuk mund të thuash me saktësi, por përafërsisht kemi një ushtri me makina të përdorura, me moshë tepër të vjetër që kanë hyrë në tregun tonë dhe me pasoja të mëdha në ndotjen e mjedisit. Është e vërtetë që qeveria hoqi taksën doganore për makinat e importuara, por efektet negative janë më të mëdha në mjedis sesa pozitiv në arkën e shtetit.
Si e parashikoni vitin 2012?
Nëse do të vazhdohet kështu, nuk është çudi falimentimi i ndonjë shoqërie koncesionare, ashtu siç ka ndodhur tashmë në vendet fqinje si Maqedonia apo Mal i Zi, që me aplikimin e këtij ligji patën konsekuencat e tyre, deri në mbylljen e disa kompanive. Kjo i detyroi këto vende ta ndryshonin brenda 6 muajsh ligjin.
Duhet të kemi parasysh faktin se në treg operojnë rreth 25 shoqëri, serioze, që kanë investuar me dhjetëra milionë euro dhe që paguajnë taksat, rrogat, kontributet rregullisht, apo kanë të punësuar shumë njerëz. Të gjitha këto shoqëri me aplikimin e këtij ligji gjenden totalisht të pambrojtura dhe të sulmuara.
Ndërkohë këtu gjej rastin të shtoj dhe diçka tjetër. Shpesh dëgjoj të thuhet në komentet e analistëve të ndryshëm apo në tavolina ku bëhen debate mbi këtë temë, që Shqipëria është vend i varfër apo nuk ka fuqi blerëse dhe nuk mund të detyrohen njerëzit të blejnë makina të shtrenjta apo të reja, të cilat nuk jua mban xhepi. Atëherë, sipas statistikave, vlera mesatare e makinave në qarkullim në territorin e Shqipërisë kap vlerën mbi 10.000 euro dhe kjo ka shpjegimin e saj dhe shërben si mësim apo udhërrëfyes për ata që hartojnë ligjet, pasi së pari makina nuk është nevojë por hyn në kategorinë e të mirave materiale luksoze për individin apo familjen dhe shifra që përmenda pak më lart e vërteton këtë. Së dyti, vërtet për shqiptarët makina konsiderohet luks si për nga zgjedhja e tyre, madhësia e makinës, fuqia motorike, kamio automatike etj., por dhe nga vlera të cilën ata shpenzojnë.
Në përgjithësi ne jemi të vetmit, jo vetëm në rajon, që kërkojmë makina superluksoze apo mbi mesataren. në momentin që drejtohemi drejt blerjes së makinës. Këtë e vërtetojnë dhe statistikat që në vendet fqinje si Maqedonia, Mal i Zi, Kosova etj., vlera mesatare e mjeteve është më pak se 8 mijë euro për makinë (ku vlen për t´u përmendur që edhe pse në numër shumë më të vogël popullate se Shqipëria, kanë tri herë më shumë mjete të reja çdo vit në qarkullim). Pra, jo pa shkak u zgjata më shumë në këtë pikë, pasi në momentin që shpenzohen kaq shumë para në blerjen e një mjeti dhe ka këtë fuqi blerëse, do të thotë që kemi mundësi për rregulla të sakta loje dhe biznesi për të gjithë aktorët, dhe ajo çka është më e rëndësishmja, e drejta e secilit, të cilën na e ka dhënë Zoti, të thithim ajër të pastër.
Gentian Bushati, drejtor i përgjithshëm i “Porsche Albania”
Shitjet ranë, tregu në stanjacion
Si rezultoi ecuria e aktivitetit gjatë 2011-s, duke pasur parasysh ligjin e ri për automjetet?
Pavarësisht krizës ekonomike, më duhet të them se viti 2011 mund të konsiderohet një tjetër vit rekord për kompaninë tonë, që prej fillimit të aktivitetit në 2005-n. Pra, shitjet në tërësi ishin në nivele të kënaqshme. Duke analizuar më konkretisht, vitin 2011 e ndaj në dy pjesë. Kemi 6-mujorin e parë, periudhë tepër pozitive për koncesionarin tonë, kurse në 6-mujorin e dytë, periudhë në të cilën hyri në fuqi ligji i rishikuar mbi taksat e reja të automjeteve, aktiviteti pati ndikim negativ të menjëhershëm me rreth 20% në raport me mesataren e vitit. Deri në fund të gushtit, shitjet ishin gati 33% më shumë se një vit më parë, por ligji i ri pati ndikim të drejtpërdrejtë dhe situata mori zhvillime të tjera.
D.m.th, ligji tkurri blerësit, të cilët u nxitën drejt makinave më të lira?
Në njëfarë forme, po. Por ky ndikim ishte i pritshëm. Vetë Ministria e Financave, e cila propozoi projektligjin në paragrafin e efekteve buxhetore, vëren se ky projektligj do të ulë barrierat për importin e makinave të përdorura. Kështu, pati disa klientë të cilët anuluan porositë, edhe pse kishin bërë parapagesë. Megjithatë, edhe pse tregu duket i mbingopur, ka ende mundësi për t´u rritur më tej.
A ka nevojë ligji të rishikohet?
Në fakt, ligji ka edhe avantazhe të mira, kështu p.sh., për makinat me vit prodhimi të fundit, kanë zero taksë. Pavarësisht elementëve të tjerë negativë për ne, filozofia jonë do të orientohet drejt klientit, konsumatorit dhe jo direkt te çmimi. Parashikimet tona deri në fund të vitit rezultojnë për një treg makinash të shitura nga koncesionarët, rreth 3000 mjete.
Si e parashikoni vitin 2012?
Për sa i përket tregut në përgjithësi nuk presim ndonjë ndryshim të madh, gati në stanjacion, ose deri-diku me rënie të lehtë. Parashikimet rezultojnë jo shumë optimiste, ndërsa për ligjin mendoj se me ndryshimin e tij, efekte pozitive do të ndihen pas vitesh e vitesh. Megjithatë, planet tona synojnë nxjerrjen në treg të produkteve sa më të duhura për një target grup specifik, me modele të reja dhe investim të vazhdueshëm në fushën e marketingut.
Ilia çili, drejtori i kompanisë “Ford Albania”
Tkurrje me 10% të kontratave
Prej vitit 2004, kur kemi hyrë zyrtarisht në treg, mund t´ju them se 2011-a rezultoi më e mirë, me shitje të konsiderueshme. Kjo për faktin se ishim më konkurrues në çmime dhe me modele të veçanta. Por pas hyrjes në fuqi të ligjit për makinat, shitjet në tremujorin e tretë ranë me 10%. Kjo duket qartë te numri i kontratave të lidhura, të cilat pësuan një tkurrje. Për këtë vit presim një rritje të shitjeve në masën 15% duke qenë se kemi suporte financiare më të mëdha se 2011-a nga “Fordi”. Ky parashikim i yni është bazuar te fakti nëse tregu i makinave në Shqipëri do të jetë në të njëjtin nivel si viti i kaluar. D.m.th, nuk presim ndryshime të mëdha, ndërsa çmimet nuk do të pësojnë luhatje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.