Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Mal të Zi kujdeset vazhdimisht që të garantojë një treg të telefonisë celulare pa pozita dominuese, përmes vlerësimeve të hollësishme të situatës dhe analizës së kostove. Tre operatorë ndajnë një treg me 600 mijë banorë, pa shumë diferenca nga njëri-tjetri…
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Mal të Zi ka publikuar së fundmi shifrat e tregut të telefonisë së lëvizshme për tremujorin e parë të vitit 2014. Sipas të dhënave gjatë kësaj periudhe, numri i abonentëve të telefonisë celulare u llogarit në 948,765, që i korrespondon shifrës së penetrimit në shkallë kombëtare 153.02%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme ra me 1.75%.
Në total, 65.32% e përdoruesve (619,750) kanë numra me parapagesë dhe pjesa tjetër 34.68% (329,015) me kontratë. Tregu i telefonisë së lëvizshme vazhdon të udhëhiqet nga kompania “Telenor” (që është pjesë e grupit norvegjez që mban të njëjtin emër”. Për periudhën janar-mars 2014, kjo kompani u pozicionua e para në treg me 355,394 përdorues të telefonisë së lëvizshme duke zënë 37.46% të tregut, duke u ndjekur më pas nga T-Mobile (degë e Magyar Telekom) me 332,833 përdorues që përbëjnë 35.08% të tregut. E në fund, renditet M-Tel (e cila kontrollohet nga kompania shtetërore e Serbisë, Telekom Srbija) me 260.538 përdorues (27.46% e tregut).
Kur mbikëqyrja funksionon
Nga një vështrim i raportit vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Mal të Zi (i fundit i disponueshëm është ai i vitit 2012) rezulton se Autoriteti i Malit të Zi e analizon me kujdes situatën e telekomunikacioneve, duke u kujdesur vazhdimisht që tarifat të jenë të orientuara drejt kostos, të sigurohet transparenca dhe të mos krijohen rreziqe nga pozitat dominuese. Raporti paraqitet krejt ndryshe nga ai në Shqipëri, ku Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare thjesht bën një fotografim të aktivitetit të telekomunikacioneve në vend, duke u mjaftuar me dhënien e shifrave të tregjeve përkatëse.
I krijuar në mars 2011, si një autoritet i pavarur rregullator për komunikimet elektronike, që në fillim të raportit theksohet se parimet bazë që ai ka zbatuar gjatë punës së tij janë që të sigurohet mjedis i sigurt dhe i parashikueshëm biznesi për operatorët që veprojnë dhe kryejnë investime të mëdha; të krijojnë kushte për zbatimin e teknologjive të reja në të gjithë territorin e vendit; për të promovuar konkurrencën dhe për të parandaluar shtrembërimet e konkurrencës në treg mes operatorëve; për të zgjidhur konfliktet e operatorëve dhe për të përmirësuar vazhdimisht mbrojtjen e interesit të përdoruesve.
Në vitin 2012, Agjencia monitoroi zbatimin e rekomandimeve që ishin dhënë nga Autoriteti për operatorët me fuqi domethënëse në treg, sipas një vendimi të Agjencisë në nëntor 2010, bazuar në analizën e ecurisë së shtatë kompanive të rëndësishme në treg gjatë vitit. Gjatë vitit 2012, Agjencia filloi analizën e dy tregjeve të tjera me pakicë. Pasi mori opinionin pozitiv nga Autoriteti i Konkurrencës, në fund të vitit 2012, Agjencia u dorëzoi pyetësorë domethënës operatorëve që ofrojnë shërbimin e telefonisë celulare në nivelin e pakicës dhe operatorëve që ofrojnë shërbimin e aksesit në internet me bazë të gjerë, po në nivelin e pakicës.
Agjencia vazhdoi aktivitetet e saj në 2012 lidhur me promovimin e konkurrencës dhe parandalimin e shtrembërimit të konkurrencës në treg mes operatorëve. Në lidhje me interkoneksionin dhe aksesin e operatorëve, Agjencia inicioi në vitin 2012 modifikimin e ofertave të interkoneksionit të operatorëve celularë në Mal të Zi, në mënyrë që ato të ishin në linjë me zgjidhjet e propozuara në analizën e tregut përkatës të terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale celulare – niveli me shumicë. Bazuar në analizën e tregut të shumicës së aksesit dhe origjinimit të thirrjeve në rrjetet publike të telefonisë së lëvizshme, u vendosën masat e përshtatshme mbi operatorët celularë. Një prej tyre, që raporti thekson, është detyrimi për të ofruar akses në rrjet dhe për të mundësuar përdorimin e shërbimit të origjinimit të thirrjeve tek operatorët e tjerë sipas kushteve transparente dhe jodiskriminuse. Si rrjedhojë, u krijuan kushtet për operatorët e rinj që të përdornin lehtësitë e rrjeteve të tjera që janë tashmë të ngritura dhe t’u jepnin përdoruesve të tyre shërbime, që përmes cilësisë dhe çmimeve, të konkurronin me ofertat ekzistuese të operatorëve mobilë në nivelin e pakicës. Këto masa rregulluese krijuan kushtet e nevojshme për të rritur konkurrencën në treg.
Në mënyrë që të krijonte kushtet për çmime më të ulëta të pakicës dhe si rrjedhojë më shumë përfitime për përdoruesit fundorë, Agjencia përcaktoi me vendimin e saj më 1 janar 2013 se çmimi i terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare do të ishte 4 € cent/min, me një reduktim prej 43.3% krahasuar me çmimin e mëparshëm. Si rrjedhojë, çmimi i thirrjeve terminuese në rrjetet mobile iu afrua çmimeve përkatëse në shtetet fqinjë dhe mesataren e BE-së.
Ulet pesha e operatorit kryesor të tregut
Në raport me fundin e vitit 2012, pesha në treg e operatorit kryesor të telefonisë celulare në Mal të Zi, Telenor, ka ardhur në rënie me dy pikë përqindjeje, në 38%, ndërkohë që është rritur me nga një pikë përqindje përkatësisht pesha e dy operatorëve të tjerë, T-Mobile dhe M-Tel.
Sipas numrit të përdoruesve, tregu i telefonisë celulare në Mal të Zi paraqitet më i diversifikuar, ku abonentët me parapagesë zënë rreth 62% të totalit dhe ata me kontratë rreth 32% (në Shqipëri shifrat përkatëse janë mbi 90% dhe nën 10%).
Asnjë operator nuk ka dominancë të dukshme as në tregun me parapagesë dhe as në atë me kontratë, ndryshe nga situata në Shqipëri, ku sidomos dominanca në tregun e abonentëve me parapagesë është e dukshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.