Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini, nesër do të vizitojë Malin e Zi, ku do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë, partive politike dhe Parlamentit.
Mogherini nga 1-4 marsi do të qëndrojë për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku pas Malit të Zi do të vizitojë Shqipërinë, BeH, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë.
Gjatë vizitës së saj në Mal të Zi, Mogherini do të flas në Parlamentin e Malit të Zi. Ajo do t’iu drejtohet deputetëve në seancën e posaçme.
Vizita e Mogherini-t në Mal të Zi vjen në mes të krizës politike në këtë vend, e cila reflektohet me bojkotin e Parlamentit nga ana e të gjithë opozitës.
Shefja e diplomacisë europiane, në prag të vizitës, tha se bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor, për BE-në është një nga prioritetet kryesore. Siç tha, si rezultat i punës së saj, ajo dëshiron të shohë përparim në reformat në rrugën drejt BE-së në mesin e të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, për t’u siguruar se ky proces është i pakthyeshëm.
Për vizitën e saj, siç bëhet e ditur, ajo do t’i informojë ministrat e Jashtëm të BE-së në një takim të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë më 6 mars.