Malaj: Duhen studiuar pasojat psikologjike në ekonomi të pas tërmetit

24/01/2020 10:03 PM 0 komente
Arben Malaj, president i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje.

Flet Prof. Dr. Arben Malaj, President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje

Efektet negative të traumave psikologjike mund të ndihen minimalisht në rreth 6 muaj. Kjo pasojë indirekte e tërmetit në vendin tonë ka nevojë të studiohet, duke matur në mënyra shkencore se sa do të zgjasë periudha post traumë e punonjësve, që pësuan tragjedi apo traumë personale apo familjare nga tërmeti i 26 nëntorit.

 

Ish Ministri i Financave Prof. Dr. Arben Malaj, aktualisht President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, dha 8 këshilla për qeverinë dhe klasën politike, përmes të cilave do të mund të zbuten kostot në ekonomi, të krijuara së fundmi nga keqadministrimi buxhetor, konflikti politik dhe tërmeti i 26 nëntorit. Malaj konsideroi si emergjencë reduktimin dhe eliminimin e faktorëve të situatës së panikut, që shfaqen në një pjesë të shoqërisë shqiptare dhe ndërmarrjen e politikave pro- aktive për reduktimin e ritmeve të braktisjes së vendit.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2019?

Projeksionet buxhetore më 2019 nuk janë realiste për sa kohë, që deficiti buxhetor dhe borxhi publik nuk pasqyrojnë nivelin real të të ardhurave. Shifrat e të ardhurave janë të fryra, kryesisht nga bllokimi i pagesave të prapambetura, mosrimbursimi në afatet ligjore i TVSH-së dhe detyrimeve të tjera me ligj, por edhe nga fenomeni novator i tendencës për të arkëtuar nga bizneset e mëdha, por edhe të vogla të pagesave tatimore, në avancë, që duhet të rikthehen në muajt e mëpasshëm.

Lidhur me efektet sociale, duhet qartësuar rritja reale e punësimit duke u bazuar tek listë-pagesat si për numrin, por edhe për pagat e punonjësve të rinj.

Metodat statistikore që bazohen tek statistikat e punë kërkuesve, kur është rritur ndjeshëm largimi drejt vendeve evropiane i shume punë kërkuesve, jo vetëm të rinj, nuk ndihmojnë njohjen e përmasave dhe arsyeve reale të mos rritjes së të ardhurave të disponuheshme, të rritjes së varfërisë jo vetëm monetare edhe të thellimit të pabarazisë.

Si i parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2020 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm (sidomos tërmeti 26 nëntorit) dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Viti 2020 ka sfida dhe mundësi të reja. Sfida e parë është zinxhiri i rëndë i borxheve të këqija dhe pasojat ekonomike, kostot sociale dhe buxhetore të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

  • Zinxhiri i rëndë i borxheve të këqija ndaj individëve dhe bizneseve;
  • vazhdimi i deficitit të lartë të bilancit të energjisë, me efekte negative në rritjen ekonomike nëse thellohet, por edhe si risk për përballimin e kostove për rritjen e deficitit buxhetor. Nëse kjo tendencë vazhdon apo thellohet do të prodhojë kosto të rënda buxhetore për financimin e tij direkt ose me borxhe te reja dhe;
  • sidomos mos përmirësimi i ambientit politik me zgjidhje politike, si përgjegjësi për të reduktuar numrin e arsyeve reale të braktisjes së vendit. Thellimi i rënies së besimit publik, siç deklaroi para pak ditësh edhe Banka e Shqipërisë, pasiguria e rritur dhe thellimi i paqartësive, përbëjnë faktorët kryesorë me të cilët mund të përballet ekonomia jonë, jo vetëm në vitin 2020. Këto pengesa duhet të jenë prioritet i politikave dhe administrimit publik, ku qeveria me veprime konkrete afatshkurtra dhe me reforma strukturore afatmesme dhe afatgjata në fushën e shtetit ligjor, ambientit të biznesit dhe rritjes së perfomancës profesionale te administratës publike, duhet të reduktojë efektet e tyre negative apo sfiduese.

Viti 2020 fillon edhe me efektet negative të tërmetit të 26 nëntorit, që goditi një prej rajoneve të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit siç është Durrësi, me një kontribut rreth 10% të PBB-së. Në këtë zonë janë vendosur kompanitë më të mëdha të eksporteve me lëndë të parë të importuar, të cilat kishin filluar të ndjenin mungesë të fuqisë punëtore, cila u thellua me pasojat sociale të tërmetit të 26 nëntorit. Efektet negative të traumave psikologjike mund të ndihen minimalisht në rreth 6 muaj. Kjo pasojë indirekte e tërmetit në vendin tonë ka nevojë të studiohet, duke matur në mënyra shkencore se sa do të zgjasë periudha post traumë e punonjësve, që pësuan tragjedi apo traumë personale apo familjare nga tërmeti i 26 nëntorit. Rendimenti i tyre në punë bie, produktiviteti zvogëlohet. Studiuesit e shkencave psikologjike i kanë matur në vende të ndryshme efektet negative që veprojnë 3-6 muaj pas ndodhjes së traumave. Ne SHBA studiuesit kanë përllogaritur se humbjet vjetore të ekonomisë amerikanë nga rënia e produktivitetit të individëve, që kanë pësuar trauma arrin deri në 75 miliardë dollarë në vit, shifër kjo 500 për qind më e lartë se PBB-ja e Shqipërisë.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptare më 2020?

  1. Reduktimi dhe eliminimi i faktorëve të situatës së panikut që shfaqet në një pjesë të shoqërisë shqiptare;
  2. Politika pro- aktive për reduktimin e ritmeve të braktisjes së vendit;
  3. Reduktimi i faktorëve realë të nivelit të lartë të pa qartësove dhe pasigurive të individëve dhe biznesit;
  4. Anullimi i çdo politike të luftës kundër evazionit dhe informalitetit dhe i masave të administrimit publik e tatimore që kanë si instrument të vetëm – rritjen e penaliteteve nëpërmjet gjobave;
  5. Krijimi i një ambienti ekonomik konkurrues në nivel, jo vetëm rajonal për rritjen e biznesit vendas, por edhe për thithjen e investimeve të huaja direkt nëpërmjet kompanive të mëdha globale për elementë të caktuar të zinxhirit të tyre të prodhimeve apo shërbimeve. Kjo ka qenë rruga me efektive nëpërmjet të cilës shtetet e lindjes si Poloni, Hungari dhe Çeki, kanë reduktuar braktisjet e vendeve të tyre dhe për më tepër politika ekonomike më efektive për kthimin e të talentuarve dhe ekspertëve të tyre, që kishin emigruar në fillimet e rënies së perdes së hekurt.
  6. Fillimin sa më parë të investimeve dhe shpenzimeve proporcionale sipas muajve të buxhetit të vitit 2020.
  7. Fillimin sa më parë të investimeve të shtetit shqiptar dhe donatorëve bilateral potencialë të shpenzimeve dhe investimeve për reduktimin dhe eliminimin e çdo pasoje humanitare të tërmetit të datës së 26 nëntorit, sepse dhe ky volum i konsiderueshëm hyrje fondesh në ekonominë shqiptare krijon efekte pozitive ekonomike e sociale.
  8. Fillimin e investimeve të reja për të pastrehët dhe rindërtimin e institucioneve publike në nivel kombëtar dhe lokal, pa pritur konferencat e mëdha të donatorëve, por duke pasur një plan dhe projekt kombëtar konkret, që qartëson investimet e domosdoshme, kriteret dhe parimet përzgjedhëse dhe zbatuese, që lehtëson harmonizimin dhe koordinimin e donatorëve dhe eliminon mbivendosjet, vonesat dhe rritje artificiale të kostove përkatëse.
  9. Prerja pa asnjë hezitim profesional e zinxhirit të borxheve të këqija të bashkive dhe qeverisë ndaj individë dhe bizneseve.

 

Modeli

Shteti duhet të lehtësojë çdo element të administrimit publik, te ndalë mentalitetin arrogant gjobëvënës, të ofrojë këshillim dhe lehtësim për bizneset e reja, ri-negocim dhe shtrirje në kohë të detyrimeve që bizneseve që preken natyrshëm nga fazat e ndryshme të cikleve të biznesit, duke iu lehtësuar ringritjen dhe jo duke u përshpejtuar mënyrë të sforcuar falimentimin e tyre.

 

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik ) në periudhën afatmesme?

Modeli ekonomik duhet të synojë, lehtësojë dhe bëjë efektiv barazinë e mundësive të individëve dhe bizneseve për të bërë përzgjedhjet e tyre të lira në vendimet e përditshme dhe të biznesit për të konsumuar dhe investuar në mënyrë të mençur, në interes të maksimizimit të përfitimeve të tyre, pa dëmtuar konkurrencën dhe efikasitetin e tregjeve përkatëse.

Shteti duhet të lehtësojë çdo element të administrimit publik, te ndalë mentalitetin arrogant gjobëvënës, të ofrojë këshillim dhe lehtësim për bizneset e reja, ri-negocim dhe shtrirje në kohë të detyrimeve që bizneseve që preken natyrshëm nga fazat e ndryshme të cikleve të biznesit, duke iu lehtësuar ringritjen dhe jo duke u përshpejtuar mënyrë të sforcuar falimentimin e tyre. Shteti duhet të përmbushë sa më mirë funksionet e tij të ndërtimit, hartimit dhe implementimit të suksesshëm të strategjive kombëtare e sektoriale të zhvillimit te qëndrueshëm dhe të integruar të ekonomisë shqiptare. Shteti duhet të përzgjedhë me kujdes dhe të financojë përmirësimin e infrastrukturës fizike për eliminimin e pengesave dhe barrierave për një rritje më të lartë ekonomike edhe duke integruar infrastrukturën e vendit tonë në korridoret ekonomike të zhvillimit në nivel rajonal, evropian dhe global.

Shteti duhet të identifikojë burimet më të mira dhe më të lira, duke përfshirë së pari burimet grant nga BE dhe burimet me kosto të ulët të bankave të zhvillimit për të reduktuar barrën e rëndë financiare të ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, detare dhe ajrore;

Shteti në tërësi dhe qeveria në veçanti duhet të eliminojë çdo vonesë në procesin e integrimit evropian dhe të garantojë funksionimin efektiv të shtetit ligjor në të gjitha aspektet e mirëqeverisjes, e cila matet nga ekspertet e Bankës Botërore në indeksin e saj të mirëqeverisjes.

Rasti i përfitimit nga siguria nën ombrellën e NATOS-s në një periudhë kur janë rritur risqet e përshkallëzimit të konfliktit Iran-SHBA, ku në hartën e armiqve Irani përfshiu edhe Shqipërinë, duhet të jetë një pikë reflektimi për liderët politikë, por edhe për opinionin publik për domosdoshmërinë e avancimit pa vonesa dhe vetë-pengesa në procesin e integrimit evropian. Efekti pozitiv i kësaj të fundit vjen pikërisht nga “mbrojtja dhe ndihma e përkohshme“ e BE-së nga rreziqet e krizave, që ushqehen nga goditje e jashtme mbi ekonominë dhe stabilitetin financiar të vendit tonë, siç është në rastin konkret efekti negativ i çdo rritje të çmimit të naftës, duke dëmtuar rritjen ekonomike dhe rritur potencialisht deficitin buxhetor dhe borxhin publik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of