Globalizmi i bazuar te parimet e tregtisë së lirë dhe të ndershme dështoi, thotë profesor Arben Malaj. Qëndrimi i Kinës në bllokimin e eksporteve për pajisje logjistike apo medikamente, do të nxisë vende të ndryshme edhe brenda BE-së që të identifikojnë mundësi të ndryshme brenda vendeve të tyre dhe Europës. Malaj i bën thirrje qeverisë të ndërtojë një strategji të rritjes së eksporteve, për të parë se sa vendi ynë mund të jetë një qendër për prodhimin e tyre për sa më shumë vende.
Pandemia e COVID-19 do të ndryshojë ekuilibrat në ekonominë globale. Si mund të orientohet modeli ekonomik i Shqipërisë?
Një nga leksionet më të dobishme të krizës globale është fakti që në rast të pandemive globale – vendet orientohen nga sfidat shëndetësore të popullit të tyre. Disa prej tyre ndërprenë përkohësisht zinxhirin e furnizimeve, disa bllokuan eksportet e lëndëve të para, ushqimeve, logjistikën mjekësore etj. Globalizmi i bazuar te parimet e tregtisë së lirë dhe të ndershme dështoi.
Ky dështim do të imponojë modelime të reja të shteteve, por edhe të bizneseve lidhur me strategjitë parandaluese dhe menaxhuese të pandemive. Vendet që u prekën më shumë nga koronavirusi ishin vendet që u penalizuan nga bllokimi i importeve të tyre nga furnitorët tradicionalë, por që bllokuan eksportet kritike të pajisjeve dhe medikamenteve. Solidariteti global nën përgjegjësinë globale për krizat globale, u dëmtua rëndë dhe mund të zgjasë grindjet dhe luftërat tregtare.
Pikërisht ky leksion, që në kohë krizë globale, zinxhiri global i shitjeve të mallrave dhe shërbimeve mund të ndërpritet, imponon që vendet të diversifikojnë partnerët e tyre tregtarë, të zëvendësojnë importin e mallrave të emergjencës me prodhim të industrisë vendase.
Së treti, mbajtja e rezervave fizike për mallrat më kritike të përballjeve me epidemitë, gjë që sjell rritje të kostove financiare për menaxhimin e krizave të pandemive. Besoj se do të duhet harmonizimi i të triave që të eliminohet risku i mungesës në pikun e përballjeve me epidemitë, të nxitet prodhimi vendas dhe të lehtësohet kostoja financiare e rezervave të sigurisë.
Gjeopolitika e re pritet të zhvendosë kërkesën për mallra nga Kina. Duke qenë se Shqipëria ka të zhvilluar sektorin fason, a mund ta përshtatë atë për të prodhuar furnizime për sektorin shëndetësor?
Patjetër, qëndrimi i Kinës në bllokimin e eksporteve për pajisje logjistike apo medikamente do të nxisë vende të ndryshme edhe brenda BE-së të identifikojnë mundësi të ndryshme brenda vendeve të tyre, për periudha kur maskat do të jenë një pjesë e përhershme e jetës sonë të përditshme, do të nxisin apo lehtësojnë edhe prodhimin e tyre në vendin e tyre ose në vende fqinje me traditë në prodhimet fason, ku garantohet cilësia dhe arrihet ulja e kostove.
I vetmi shqetësim është besueshmëria te qeveritë e vendeve të Ballkanit, ku herë pas here shfaqen qëndrime nacionaliste, çka dëmton njësoj si në rastin e bllokimit të logjistikës mjekësore dhe maskave nga Kina. Qeveria duhet të ketë një strategji të rritjes së eksporteve për të parë se sa vendi ynë mund të jetë një qendër për prodhimin e tyre për sa më shumë vende.
Kjo kërkon identifikimin dhe lobimin te kompanitë e mëdha që mund ta kenë filluar këtë aktivitet brenda vendit të tyre, si në Gjermani dhe Itali. Shpresoj se mund të ketë shumë mallra dhe shërbime outsourcing ku biznesi shqiptar, i mbështetur edhe me politika pro eksport të qeverisë, të mund të bëhet prodhues dhe ofrues cilësor dhe me kosto të ulët të këtyre mallrave dhe shërbimeve.
A mund të kthehet Shqipëria në përfituese e krizës dhe cilët sektorë mund ta shfrytëzojnë situatën e re?
IT shërbime për një numër në rritje shërbimesh dhe vende, si për shërbime financiare, marketingu digjital, siguri të rrjeteve informatike, prodhim programesh kompjuterike për fusha të ndryshme, platforma që shërbejnë për tregje sa më të mëdha, modernizimin të prodhimeve bujqësore, ofertave turistike etj. Ndërtimi i modeleve të biznesit me punë nga shtëpia. Duhet studiuar çdo mundësi për rritje të eksporteve dhe zëvendësim të importeve për aq sa kjo është edhe produktive.
Sipas jush, çfarë mjetesh dhe politikash mbështetëse duhet të përdorë qeveria e Shqipërisë për të rritur përfitimet që mund të gjenerojë kriza dhe post-kriza COVID-19?
Mirëqeverisja, reduktimi i polarizimit politik, funksionim i shtetit ligjor, politika tatimore të qëndrueshme dhe pro të varfërve, pro rritjes ekonomike, pro eksportit. Sektorët konkretë dhe sipërmarrje konkrete publike e private do ti’ testojë tregu. E rëndësishme është që ambienti shoqëror, ambienti politik, ambienti i të bërit biznes dhe pagimit të taksave të mos prodhojnë pasiguri dhe paqartësi për asnjë konsumator dhe investitor vendas dhe të huaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.