Nora Malaj, pedagoge e psikologjisë së edukimit në Universitetin Mesdhetar, ish-zv.ministre e Arsimit, renditi 8 problematikat që ka krijuar pandemia në procesin mësimor parauniversitar.
Sipas saj, hallka më e dobët, e cila kërkon ndërhyrje emergjente është Mësuesi dhe roli i tij, teksa sugjeroi një lidhje më të fortë të sistemit arsimor me tregun e punës.
A keni një vlerësim se si ka ndikuar pandemia Covid-19 në sistemin arsimor shqiptar?
Tashmë Covid-19 është bërë pjesë e jetës sonë. Përballja me këtë virus të panjohur dhe vdekjeprurës e kapi në situatë të papritur tërë shoqërinë, duke ndryshuar stilin e jetës dhe filozofinë për jetën. Lufta ndërmjet jetës dhe vdekjes, izolimi social dhe vaksinimi kanë qenë e janë kryefjala e këtyre dy viteve të fundit. Kësaj situate nuk i ka shpëtuar as fusha e arsimit, një nga sektorët që e ka vuajtur dhe po vazhdon ta vuajë situatën e pandemisë dhe atë post-pandemike.
Përtej humbjes së jetës së mësuesve, pedagogëve dhe prindërve ajo ka lënë pas një kalvar problematikash, që u shfaqën që në krye të herës si:
1.Gjendje izolimi dhe paqartësi në procesin e mësimdhënies (paniku dhe mosnjohja e situatës, që do të vijojë për dy vite rresht).
2. Mësues të patrajnuar për sistemin online dhe sisteme të pangritura, pasi sistemi dixhital në sektorin parauniverstitar nuk ishte në gjendje funksionale.
3. Kurrikula të paqarta dhe pamundësi të aksesit të nxënësve dhe mësuesve për të realizuar të plotë kurrikulën mësimore.
4. Mungesë transparence nga qeveria për buxhetet shtesë në procesin e mësimdhënies, në kushtet e pandemisë.
5. Mungesë aksesi nga nxënësit dhe studentët në procesin e mësimdhënies në sistemin online në këto dy vitet akademike (pjesëmarrja në zonat rurale ishte pothuajse i pamundur).
6. Humbje të jetëve të mësuesve e pedagogëve dhe pamundësi zëvendësimi prej tyre, me mësues cilësorë, duke sjellë si rrjedhojë arsim jocilësor dhe me pasoja, gjë që u vu re edhe në provimet e maturës shtetërore apo provimet dalëse të klasave të nënta.
7. Mësim me tre turne, orë të shkurtuara 25-minutëshe dhe mjedise të papërfunduara (shembjet e godinave shkollore nga tërmeti). Për fëmijët më aftësi të kufizuara dhe shtresat e margjinalizuara, pothuajse nuk u realizua procesi mësimor.
8. Nxënës dhe mësues të traumatizuar, të cilët pothuajse në këto dy vite e kanë pasur shumë të vështirë dhe sfiduese realizimin e mësimit në sistemin online, aq sa shpeshherë që e pamundur.
Në dy vitet e pandemisë, mësimi online ka qenë vetëm 60% i aksesueshëm. 40% e nxënëse kanë qenë të përjashtuar nga mësimdhënia dhe për 40% e atyre që morën pjesë online mësimi ka qenë poshtë standardeve.
Këto zhvillime e kanë bërë sistemin arsimor, të brishtë, të dobët dhe jo cilësor. E vërteta duhet thënë edhe kur dhemb.
Tani që jemi në vitin e dytë të pandemisë, a mendoni se qeveria ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar humbjet në cilësi në arsim nën masat shtrënguese?
Mendoj se ky është viti i tretë akademik që do të fillojë nën masat e sigurisë, i cili ka mbartur problematikat e thella gjatë dy viteve të shkuara. Së pari, uroj që ky vit akademik të nisë me këmbë të mbarë më 27 shtator dhe të realizohet i plotë në mjediset e shkollës, duke shpresuar se nuk do kemi më mësime me turne.
Do të dëshiroja shumë që Ministria e Arsimit në këtë vit akademik t’iu bëjë transparente të gjithë prindërve, po dhe fëmijëve, se cilat kanë qenë kurrikulat e zhvilluara prej tyre dhe cilat janë ato pjesë të pazhvilluara të programit, në mënyrë që në këtë vit akademik të ketë një shtrirje graduale krahas mësimit të kurrikulës së re, me qëllim zvogëlimin e atyre që nxënësit nuk i kanë përvetësuar vitin e kaluar.
Të mos harrojmë se ky është brezi i fëmijëve dhe i nxënësve që janë pas traumës dhe kanë nevojë për t’ua bërë shkollën sa më miqësore dhe sa më të dashur. Dija është një proces i vështirë dhe ashtu siç thotë edhe Arsitoteli:
“Shkolla i ka rrënjët të hidhura, por frutat të ëmbla”, ndaj këtë vit duhet kujdes i shtuar, si në drejtim të procesit të mësimit, në kujdesin për ruajtjen e jetës dhe në atë të socializimit të fëmijëve, të cilat kanë lënë gjurmë të thella këto dy vite të periudhës pandemike.
Cila është hallka më e dobët e sektorit arsimor parauniversitar që kërkon ndërhyrje emergjente?
Për mua, hallka më e dobët, e cila kërkon ndërhyrje emergjente, është Mësuesi dhe roli i tij. Mësuesi është figura rreth të cilit rrotullohet dija, mënyra sesi ai e përçon këtë dije dhe komunikimi me nxënësit, me prindërit, me komunitetin e shkollës dhe komunitetin e mësuesve.
Ai është dhe duhet të jetë modeli i frymëzimit të nxënësve dhe lideri që i udhëheq ata drejt rrugës së vështirë të dijes, por edhe drejt njohjes së botës dhe vlerave të qytetarisë. Psikologjia si shkencë nuk njeh nxënës të paaftë, por njeh mësues të zot ose të pazot, që arrijnë t’i bëjnë nxënësit e tyre të zotërojnë aftësi dhe dijet e duhura.
Sipas raportit të UNESCO-s sot: “Mosha mesatare e mësuesve në Shqipëri për nga numri është më e ulët se mesatarja në vendet e OECD-së dhe numri i mësueseve femra është shumë më i lartë se numri i mësuesve meshkuj, ashtu, si dhe në shumë vende të tjera. Megjithatë, ka një paradoks në lidhje me punonjësit në arsim. Nga njëra anë, ka një numër shumë të madh të mësuesve në përgjithësi, ndërsa nga ana tjetër, ka një numër lëndësh, ku ka vende të paplotësuara me mësues, të tilla si TIK-u, edukimi fizik, dhe disa shkenca si biologji/kimi.
Po ashtu, programet e përgatitjes fillestare të mësuesve pranojnë dhe përgatisin më shumë mësues sesa janë nevojat e sistemit arsimor, ndërsa, njëkohësisht mbeten pozicione të paplotësuara në këto lëndë kyçe dhe në zona të largëta. Për trajtimin e problemeve kryesore që lidhen me zhvillimin e mësuesve, rekomandon që Shqipëria të analizojë procedurat e veta të emërimit të mësuesve, të intensifikojë përpjekjet për rekrutimin e mësuesve të kualifikuar për plotësimin e vendeve bosh dhe në zonat që ka mungesa dhe të krijojë rrugë më fleksibël në profesionin e mësimdhënies, veçanërisht në zonat ku ka mungesa të tyre.
Studimet ndërkombëtare kanë treguar se cilësia e mësuesve dhe mësimdhënia e tyre janë faktorët më të rëndësishëm në shkollë në arritjet e nxënësit. Aktorët në Shqipëri u shprehën se, ndërsa dikur mësimdhënia ishte një profesion shumë i respektuar në Shqipëri, statusi i saj tashmë ka rënë në vitet e fundit dhe si rezultat, ka më pak aplikantë cilësorë që shkojnë në këtë profesion. Thithja e mësuesve të kualifikuar në profesion është kështu një fushë kyçe e reformës së domosdoshme në Shqipëri.
Sot është kthyer në domosdoshmëri dhe duhet të jetë prioriteti i parë për qeverinë, rritja e PBB së arsimit dhe ridimensionimi i mësuesit, në status, në politika të dedikuara, në investime në kualifikime dhe në vlerësime në paga dhe në motivime. Duhet të qartësojmë një filozofi nga ku fillon edhe puna. Mësuesi dhe mësuesia përtej profesionit është mision dhe si të tilla duhet të jenë prioriteti i parë për të pasur një arsim cilësor, me baza të sigurta dhe me ndikim të qartë social.
Numri i nxënësve në shkolla po bie me shpejtësi, si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit. Për pasojë ka më shumë hapësira në fonde dhe ambiente. Si duhet të reformohet shkolla me këtë normalitet të ri që, logjikisht, duhet të përkthehet në cilësi?
Një nga problemet me të cilat përballemi prej kohësh si shoqëri është se fatkeqësisht, popullata në Shqipëri po tkurret dhe për rrjedhojë, sipas statistikave të INSTAT dhe Bankës Botërore, në këtë vit akademik do të ulen në bankat e sistemit parauniversitar rreth 30,000 fëmijë më pak. Emigracioni është arsye kryesore vitet e fundit, por kemi edhe një rritje të numrit të fëmijëve nga shtresat në nevojë që po braktisin shkollën.
Arsimi Parauniversitar në Shqipëri ofrohet me cilësi të ndryshme në zona të ndryshme të vendit. Ka ndryshime midis shkollave rurale dhe urbane në cilësinë e trupës mësimdhënëse dhe në sigurimin e burimeve si p.sh. transporti dhe TIK-u. Ka grupe nxënësish (Romë, Egjiptianë, nxënësit me të ardhura të ulëta dhe nxënësit me aftësi të kufizuara) të cilët ende nuk po marrin shërbimin e merituar.
Gjithëpërfshirja është e lidhur me diskutimin e zbatimit të kurrikulës, pasi ajo duhet të jetë një pjesë integrale e punës ditore në klasë dhe shkollë; gjithëpërfshirja bëhet reale nëpërmjet praktikave të përditshme të mësimdhënies dhe mësim nxënies. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe e fëmijëve të shtresave të margjinalizuara është një çështje e ngritur në Shqipëri nga një numër partnerësh ndërkombëtarë, përfshirë UNICEF, BE dhe Banka Botërore, si dhe nga organizatat e shoqërisë civile si “Save the Children” dhe Koalicioni shqiptar për Arsimimin e Fëmijëve (KAF).
Shqipëria ka një kuadër legjislativ që detyron gjithëpërfshirjen, por realiteti është se ka shumë nxënës të margjinalizuar. Ministria e Arsimit duhet të bëjë gati një raport për situatën aktuale në shkolla në të gjithë vendin, për të përmirësuar disa aspekte të infrastrukturës. Duhet një bashkëpunimin më i madh me pushtetin lokal për të koordinuar dhe për të realizuar një arsim cilësor dhe me standard.
A ka vend për përmirësim modeli i mësimdhënies më tej?
Arsimi, që të fuqizohet dhe të japë rezultate e duhura, duhet të përmirësohet vazhdimisht, duke u përshtatur me modelet më të mira të mësimdhënies. Mësues të suksesshëm janë ata të cilët e kanë sjellë klasën e vet në gjendje ku mund të thonë: “Nxënësit do të vazhdojnë t’i punojnë detyrat e dhëna, pa dallim a jam ose s’jam unë me ata”, siç tha Marija Montesori.
Në kushtet e sotme, mësimi duhet të bëhet duke krijuar mjedis për të nxënit, i cili do të formohet dhe mësohet mbi respektim të ndërsjellë dhe parime demokratike. Të krijohen kushte për secilin nxënës, nëpërmjet metodave bashkëkohore që të përfitojë aftësi shkencore, artistike, teknike dhe praktike, për të marrë pjesë në dije në mënyrë të suksesshme.
Është shumë e rëndësishme që mësuesi të krijojë mjedis dhe atmosferë në klasën ku nxënësit do të ndihen të lirshëm ta shprehin mendimin e vet, të besojnë në vetvete, t’i besojnë mësuesit dhe shokëve të tyre, të shfrytëzojnë metoda të ndryshme me anë të të cilave, mësuesi do t’u përcjellë nxënësve fillin t’i respektojnë të tjerët dhe të bëhen të suksesshëm. Mësuesi, si udhëheqës “i padukshëm” dhe menaxher i informacioneve, i nxit nxënësit dhe u ofron burime dhe mundësi më të ndryshme për të nxënit. Mësuesi duhet t’i ndjekë prirjet e reja në arsimin dhe të krijojë ndryshime në klasën.
Nëse më parë, shkolla tradicionale na ofronte një tablo tjetër të mbështetur nga filozofia se: “Shkolla është përgatitje për jetën. Dituria sigurohet për nxënësit nga ana e mësuesve. Shkolla është detyrim, i cili duhet të realizohet. Fokusi është vënë mbi arsimin si produkt.
Sektori i arsimit vuan ende mungesën e lidhjes me tregun e punës. Pse dhe çfarë duhet të përmirësohet?
Investimi në burimet njerëzore është një nga fushat më të rëndësishme të investimit për rritjen ekonomike për të ardhmen. Kjo lidhet ngushtësisht me tregun e punës dhe atë të dijes. Janë dy shina paralele që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Fenomeni i punësimit, apo papunësia e të rinjve në Shqipëri, është një problematikë komplekse dhe ende e pazgjidhur për vazhdimësinë e saj. Bazuar në shkallën e papunësisë, sipas INSTAT, nga viti 2018 në vitin 2019, kjo shkallë ka pësuar rënie në masën 2% për të rinjtë nga mosha 15-29 vjeç, pra nga 23,1% që ishte gjatë vitit 2018, ka shkuar në 21,5% në 2019.
Mosrakordimi midis llojit të studimeve dhe tregut të punës për të rinjtë në Shqipëri, ka hyrë në një rreth vicioz. Të rinjtë e të rejat në vend nuk janë të përshtatur në studimet e tyre bazuar në kërkesat për punësim. Kjo është një mangësi e qeverisë dhe politikave të saj, e cila nuk po u përgjigjet aspak me sisteme arsimore kërkesave të tregut të punësimit në Shqipëri. Ndërsa kërkesat më të mëdha në punësimin e të rinjve, janë sektorët e call center, bujqësi dhe fason, pjesa më e madhe e të rinjve shkollohen për degë tërësisht të ndryshme nga këto fusha.
Gjithashtu, sipas të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor gjatë vitit 2019, rreth 14,4% e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12,3% e të rinjve me arsim të lartë vuajnë këtë fenomen. Krahasuar me indikatorët e zhvillimit global të përshtatur nga Banka Botërore, vendi ynë rendit mbi 50% të forcës së punës të rinjtë me arsim 9 vjeçar. Një shifër kjo që reflekton se në Shqipëri, të rinjtë e shkolluar nuk preferohen si kërkesë e tregut të punës.
Është domosdoshmëri dhe nevojë e kohës që tregu i dijes me tregun e punës të këtë një lidhje koherente dhe njëkohësisht nevojat e tregut të punës për kapital të kualifikuar human, të orientojnë drejt hartimit dhe hapjes së degëve të formimit, të cilat do të ndikojnë në kualifikimin dhe mirë arsimin e studentëve dhe të fëmijëve në ciklin e tyre të edukimit dhe të procesit të mësimit. Nuk mund të realizohet një arsim cilësor dhe me standard, nëse nuk do të kemi një arsim ku investohet dhe një ekonomi ku zhvillimin e saj e bën në mënyrë rastësore dhe jo me plan strategjik kombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.