Flet prof. Arben Malaj, ish-ministër i Financave
Nëse një bashki mbërrin në nivelin që nuk paguan dot sigurimet shoqërore, për ekspertët e financave në nivel vendor dhe qendror, kanë rënë kambanat se ajo bashki rrezikon faliment real, pohon ekonomisti i njohur, Arben Malaj, ish- ministër i Financave.
Sipas tij, në një demokraci funksionale dhe në një shtet ligjor, bashkitë, ashtu si çdo njësi tjetër e qeverisjes së vendit, duhet të përballen me riskun e falimentimit.
Malaj thotë se për bashkitë në vështirësi, qeveria qendrore duhet të blejë borxhin e tyre me instrumente/obligacione 5-7-vjeçare dhe duhet t’iu vendosë këtyre bashkimeve kushtëzime dhe kufizime të qarta dhe të rënda për menaxhimin e financave të tyre ku pas pagave, sigurime, detyrime fiskale, pagimi i pjesës proporcionale vjetore i borxhit të blerë duhet të jetë përpara çdo shpenzimi apo investimi tjetër.
Kur një vend analizon situatën e tij të menaxhimit të financave rekomandohet të përfshijë, në matjen e borxheve, ato të individëve, familjarëve, të biznesit, të qeverisë qendrore dhe vendoreve. Të ardhurat, shpenzimet, deficiti dhe borxhi nuk janë thjesht shifra statistikore. Ato janë tregues të rëndësishëm që matin, fotografojnë gjendjen konkrete, por që nëpërmjet këtij fotografimi, ekspertët e analizave të buxheteve dhe treguesve ekonomikë dhe financiarë, ashtu si mjekët, kërkojnë të kuptojnë sa më herët, me qëllim për ta parandaluar me sa më pak kosto sociale apo buxhetore.
Duhen kuptuar se, çfarë janë hijet e zeza që shfaqen në fletën e skanerit, dhe cilat mund të jenë pasojat e tyre, nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Ekspertët kuptojnë se disa rreziqe potenciale kanë filluar të duken dhe në fillim, kanë trajtën e njollave të lehta, por që shumë shpejt mund të bëhen të zeza për efektet negative që mund të japin.
Sigurimet shoqërore nuk janë thjesht dhe vetëm një element i politikave sociale, të cilat duhet të reduktojnë deficitin e skemave të tyre, të reduktojnë diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve, – sepse sa më i madh të jetë ky deficit, aq më shumë taksa dhe tatime subvencionojnë mbijetesën e skemës, por njëkohësisht, ato reduktojnë burimet e nevojshme dhe të disponueshme për investime, që rrisin cilësinë e funksioneve dhe shërbimeve publike për banorët.
Në piramidën e qeverisjes së një vendi, qeverisja vendore është më afër me votuesin dhe për këtë arsye, përmirësimi i qeverisjes vendore duhet të jetë një element i rëndësishëm i demokratizimit të vendit, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të autonomisë vendore dhe të asaj financiare. Borxhet e trashëguara dhe performanca e dobët fiskale kanë përkeqësuar qëndrueshmërinë fiskale të disa bashkive, duke cenuar rëndë përmbushjen e detyrimeve të tyre, edhe ligjore, në sigurimin në kohë reale, me cilësi të lartë dhe me eficencë të lartë në funksionet bazë dhe të deleguara të qeverisjes vendore.
Nëse një bashki mbërrin në nivelin që nuk paguan dot sigurimet shoqërore, për ekspertët e financave në nivel vendor dhe qendror, kanë rënë kambanat se ajo bashki rrezikon drejt një falimentimi real, edhe pse ata nuk e lejojnë të jetë edhe ligjore. Në një demokraci funksionale dhe në një shtet ligjor, bashkitë, ashtu si çdo njësi tjetër e qeverisjes së vendit, duhet të përballen me riskun e falimentimit. E para ka ardhur koha të ndryshojë radha e pagesave dhe sigurimet shoqërore duhet të jenë të parat, përpara edhe tatimeve në radhën e pagesave që kontrollon thesari.
Kjo ul kostot e rënda sociale të njerëzve të pasiguruar që nesër bëhen barrë e rëndë e familjeve të tyre, si dhe për dhe buxhetin e shtetit; e dyta çdo qeverisje nuk duhet të krijojë rrezik reputacional, çka do të thotë se qeveria duhet të zbatojë rregulla të barabarta për subjektet publike dhe private, ajo është një prej agjentëve ekonomikë, por jo i vetmi. Çdo prishje e rregullave ligjore është një argument për çdo agjent tjetër, që të bëjë të njëjtën gjë për t’iu përshtatur ballafaqimit në tregje.
Aplikimi i rregullave të ndryshme në radhën e pagesave apo administrimin në tërësi të të ardhurave dhe shpenzimeve midis subjekteve private dhe atyre publike, vendore apo kombëtare ka efekte negative në ambientin e përbashkët te biznesit. Degët e thesarit nuk duhet të deformojnë radhën e pagesave, duke lejuar pagesa për biznesin dhe duke rritur pagesat e prapambetura për punonjësit e bashkive, në këtë rast ata kanë shkelur ligjin dhe janë bashkëfajtore në përkeqësimin e situatës.
Respektimi rigoroz i radhës dhe kronologjisë së pagesave është element i rëndësishëm i administrimit të financave publike dhe duhet të jetë objekt i auditimit të brendshëm dhe të jashtëm në degët e thesarit në qendër dhe në rrethe. Financat publike nuk mund të qeverisen me telefon apo nëpërmjet përfitimeve për interesa personale joligjore të shefave të tyre.
Si ish-bankier, kujtoj që përpara viteve ’90, në asnjë rast, edhe në atë periudhë, ne bankierët ndaloheshim me ligj të kalonim çekun e pagesave pa kaluar njëkohësisht çekun e sigurimeve shoqërore. Në rastin që ju theksoni, ku kemi të papaguara vetëm sigurimet shoqërore, kjo është një shkelje e rëndë e menaxhimit të financave publike vendore dhe qendrore.
Si mund të zgjidhet kjo situatë dhe si mund të përmirësohet administrimi financiar i pushtetit vendor?
Duhen përmirësime ligjore, duhet të rritet përgjegjësia ligjore e menaxhimit të financave publike duke qartësuar rastet, që përbëjnë abuzim me detyrën.
1.Për disa bashki, që nuk kanë asnjë shpresë ristrukturimi dhe ku pagesat e penaliteteve për borxhet e vjetra me vendim gjykate për borxhe dhe penalitete të trashëguara nga paraardhësit “hanë” pjesën e luanit të të ardhurave të tyre, duhet të zbatohet parimi që situata të jashtëzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtëzakonshme. Apeli im publik që kur ky shqetësim u shfaq në vitin 2013 është që qeveria qendrore duhet të blejë borxhin e tyre me instrumente/obligacione 5-7-vjeçare dhe duhet t’iu vendosë këtyre bashkimeve kushtëzime dhe kufizime të qarta dhe të rënda për menaxhimin e financave të tyre ku pas pagave, sigurime, detyrime fiskale, pagimi i pjesës proporcionale vjetore i borxhit të blerë duhet të jetë përpara çdo shpenzimi apo investimi tjetër.
Një auditues mund të paraqesë edhe propozime ristrukturuese të uljes së numrit të punonjësve, uljes së fondit të pagave, thjeshtëzimit dhe lehtësimit të strukturës së bashkisë, por edhe të agjencive në tërësi edhe të raporteve orientuese midis shpenzimeve operative me ato për investimet e tjera.
2.Të qartësohet me ligj marrja në dorëzim e financave publike të çdo bashkie, në çdo rast të zgjedhjeve dhe rizgjedhjeve dhe jo më vonë se një muaj, kryetari i ri apo i njëjtë, (sepse ndryshon përbërja e këshillit, i cili është parlamenti vendor) të informojë me shkrim dhe me të dhëna të sakta për gjendjen e treguesve buxhetorë
3.Të konsiderohet krim penal falsifikimi i shifrave të financave penale dhe të ashpërsohen masat për çdo hallkë të nivelit të vendimmarrjes për hartimin, miratimin, zbatimin dhe auditimin e financave edhe atyre vendore.
4.Të ndalohet me ligj që bashkitë të shpenzojnë duke rritur apo mos respektuar tavanet limit të borxhit. Ky ndalim ligjor të njihet dhe respektohet edhe bankat dhe nga subjektet private, çka i bën humbës të mëdhenj në rast falimentimi të bashkive.
5.Të qartësohen me ligj rastet konkrete kur quhet falsifikimi i të dhënave financiare, sidomos kur kryetarët e bashkive krijojnë lidhje bashkëpunimi jo ligjore me firmat private, të cilat punojnë me paratë e tyre dhe e zhysin bashkinë në borxhe më të rënda.
6.Të ndalohet me ligj, që kompanitë private të kryejnë shpenzime apo investime për bashkitë jashtë kufijve buxhetorë të miratuara nga Këshilli/parlamenti vendor dhe brenda tavaneve maksimale të programeve buxhetore afatmesme.
7.Të mos vonohet më përgatitja, miratimi i ligjit të falimentimit, i cili do të rrisë përgjegjësinë për menaxhimin e financave vendore si nga ana e kryetarëve të bashkive edhe te bankat tregtare dhe bizneset private. Sepse në rast falimentimi ligjor, kompanitë private, bankat dhe institucionet e tyre, që kanë aftësinë profesionale dhe detyrimin ligjor që të bashkëpunojnë mbi baza të sigurta ligjore dhe brenda burimeve limit, do të jenë të parat që duhet të përballojnë kostot e falimentimit. Nga ana tjetër, punonjësit duhet të jenë të parët në mbrojtjen nga falimentimi, por me kujdesin profesional për të mos krijuar efektin negative të qeverisjes që është “hazard moral”, pra unë/stafi i bashkisë jam i mbrojtur nga falimentimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.