Investitorët e Azerbajxhanit janë të interesuar të investojnë në Malin e Zi, tha ambasadori i Azerbajxhanit në Malin e Zi, Eldar Hasanov në një takim të mbajtur me Kryeministrin e vendit, Dushko Markoviç. Në takim u theksua mundësia e rritjes së lidhjeve midis Azerbajxhanit dhe Malit të Zi, nëpërmjet zgjerimit të investimeve në sektorin e turizmit.
Të dyja palët prekën edhe organizimin e fluturimeve direkte midis Malit të Zi dhe Azerbajxhanit, që padyshim do të ndikojë në intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Në takim u diskutua edhe për investimin më të madh të Azerbajxhanit në rezortin Portonovi të Malit të Zi. Z. Hasanov tha se investitorët e Azerbajxhanit janë të interesuar për investime të reja në rezortet turistike, si dhe në projektet që do të ndikojnë në forcimin e infrastrukturës.
Rezorti i Portonovit është një prej projekteve më të mëdha në territorin e Malit të Zi, kostoja totale e të cilit shkon në mbi 650 milionë euro. Ky rezort përbëhet nga një hotel, një qendër SPA, një port ku mund të ankorojnë jahte, vila, shtëpi banimi dhe restorante të ndryshëm.
Zhvilluesi i këtij projekti është kompania Azmont Investments e Azerbajxhanit, me seli në Mal të Zi.
Protokolli për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Azerbajxhanit dhe Malit të Zi, nënshkruar në vitin 2008, mund të konsiderohet si fillimi i bashkëpunimit dypalësh reciprokisht të dobishëm. Pas hapjes së misionit diplomatik të Azerbajxhanit në Mal të Zi dhe të Konsullatës së Nderit të Malit të Zi në Azerbajxhan, marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve janë zhvilluar më tej.
Themelimi i Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik midis qeverive të Azerbajxhanit dhe Malit të Zi në vitin 2013 është një tregues që thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Një prej sektorëve ku Mali i Zi ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me Azerbajxhanin ka qenë ai i energjisë.
Bashkëpunimi i Malit të Zi me Azerbajxhanin në sektorin energjetik bazohet kryesisht në aktivitetet që lidhen me gazsjellësin Adriatiko-Jonian (IAP).
Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i cili pritet të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), do të kalojë edhe përmes Malit të Zi. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian (IAP) është një gazsjellës i gazit natyror i propozuar në Europën Juglindore që do të shtrihet nga Shqipëria përmes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës në Split të Kroacisë.
Kapaciteti i gazsjellësit do të jetë 5 miliardë metra kub gaz në vit. Mali i Zi është i interesuar të lidhë marrëveshje me Azerbajxhanin në lidhje me projektet e energjisë së rinovueshme, veçanërisht në përdorimin e energjisë diellore.