Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi javën e kaluar se ka ndryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Malit të Zi gjatë 2019, nga 2.8% në 3%.
Në mungesë të reformave të mëtejshme, rritja pritet të qëndrojë në një mesatare poshtë nivelit prej 3% në pesë vitet e ardhshme, tha FMN-ja në një deklaratë përmbyllëse pas një vizite dyjavore në vendin ballkanik ku kishte shkuar për të vlerësuar gjendjen e ekonomisë së saj.
Ekonomia e Malit të Zi u rrit me rreth 5% në 2018. Huadhënësi paralajmëroi se borxhi publik, i cili kufizon qeverinë për të luftuar krizat e mundshme në të ardhmen, duhej patjetër të ulej nga nivelet e larta që ishte aktualisht. Sipas tij, me përjashtim të shpenzimeve të autostradës, balanca primare fiskale është rritur nga një deficit prej 1% të PBB-së në vitin 2016, në një suficit prej 2% në vitin 2018.
Megjithatë, borxhi i përgjithshëm i qeverisë, duke përfshirë garancitë, arriti në 79% të PBB-së gjatë 2018, një nivel shumë i lartë ky sipas FMN-së.
Por fatkeqësisht, marrja e një kredie kineze për fazën e parë të ndërtimit të autostradës prej 165 km, që do të lidhë portin e Barit në Mal të Zi me fshatin serb Boljare, e ka rritur edhe më shumë borxhin e qeverisë malazeze. Kjo e fundit është detyruar të rrisë taksat, të ngrijë për momentin rritjen e pagave të sektorit publik dhe të ndërpresë dhënien e përfitimeve të ndryshme sociale.
“Kostot dhe përfitimet e përfundimit të fazave të mëtejshme të autostradës Bar-Boljare duhet të analizohen me kujdes”, tha FMN, duke shtuar se përshpejtimi i përfundimit të projektit mund të sjellë kosto të mëdha fiskale, të cilat do ta bënin ekonominë më të prekshme ndaj goditjeve të mundshme të së ardhmes.
Sipas FMN-së, procedurat më të forta buxhetore, avancimi në drejtim të reformës së pensioneve, rishikimi i sektorit publik dhe eliminimi i përjashtimeve të kota tatimore do të ndihmonin në ndërtimin e mëtejshëm të hapësirës së duhur fiskale. Duhet të përmirësohet mbikëqyrja financiare dhe të forcohet edhe lufta kundër pastrimit të parave, tha në fund FMN-ja.