Ministri i Zhvillimit dhe Turizmit të Malit të Zi, Pavle Raduloviç, dha dorëheqjen pas publikimit të një video ku shfaqeshin dy inspektorë nga Ministria e tij, të cilët ishin të përfshirë në një çështje korruptive. Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë e pranon nivelin e korrupsionit dhe merr vendimin të tërhiqet.
Në videon e transmetuar nga kanali televiziv lokal, “Vijesti”, inspektorët shfaqen duke i kërkuar ryshfet një biznesmeni i cili dëshiron të vazhdojë të ndërtojë një godinë në qytetin turistik të Budvas, edhe pse leja e tij ka mbaruar. Kur njëri nga inspektorët e pyet biznesmenin “A i sollët?”, biznesmeni përgjigjet se ai ka marrë me vete vetëm 5,000 euro, edhe pse shuma totale që ata kishin kërkuar ishte 20,000 euro.
Më vonë, një nga inspektorët dëgjohet duke i thënë biznesmenit “Më jep aq sa ke marrë me vete nën tryezë dhe hiqi nga zarfi”.
Ministri Pavle Raduloviç, i cili ka qenë në këtë post që prej vitit 2016, deklaroi se do të jepte dorëheqjen për shkak të kësaj situate.
“Unë nuk arrita dot ta zhduk këtë lloj sjelljeje”, tha ai. Ministri shtoi se edhe procedurat disiplinore ndaj situatës në fjalë kishin filluar përpara se kjo video të bëhej publike.