Qeveria e Malit të Zi ka pohuar se do të paguajë pjesën më të madhe të borxhit të fabrikës së Aluminit të Podgoricës, KAP, në mënyrë që të shpëtojë një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend dhe të ruajë vendet e punës së punonjësve.
Qeveria do të nisë negociatat për të marrë përsipër borxhet e KAP, përfshirë pagesën e një shume prej 22 milionë eurosh, që është dhënë hua në vitin 2010 nga “Deutsche Bank”.
Në rast se nuk do ta bënte këtë, qeveria do të ishte e detyruar që të deklaronte falimentimin e kompanisë.
Barra për mbijetesën e KAP ka të ngjarë që në këtë mënyrë të bjerë në kurriz të taksapaguese në vend të menaxhimit të saj.
Sipas “Radio Free Europe”, pjesa më e madhe e aksioneve të KAP iu shitën në vitin 2005 një kompanie të huaj, “Salamon Enterprises”, që zotërohet nga Oleg Deripaska, për 48.5 milionë euro.
Ndërkohë, qeveria, e cila është pjesërisht pronare, ka shpenzuar dhjetëra miliona euro që të mbajë në funksionim fabrikën. Media ka raportuar se paratë e paguara për të mbajtur në punë gjigantin industrial e kanë kaluar ndjeshëm vlerën e tij të tregut.
“Ekspertët ndërkombëtarë kanë frikë se është shumë vonë për mbijetesën e KAP”, tha Goran Djukanovic, analist ekonomik për portalin e Malit të Zi, “Analitika”.
Kostoja nuk matet vetëm në euro. KAP është një nga ndotësit më të mëdhenj në Mal të Zi dhe një nga përdoruesit më të mëdhenj të energjisë. Disa analistë i përmbahen idesë se Mali i Zi do të kishte tepri të energjisë elektrike,
në rast se KAP do të përdorte një alternativë tjetër energjie.
Fabrika e aluminit është ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe falimentimi i saj do të linte pa të ardhura një numër të madh familjesh.