Pasi sistemi i financimit të kujdesit shëndetësor thuajse u rrënua këtë pranverë, një model i ri financimi me paratë e mbledhura nga taksat mbi duhanin dhe alkoolin është propozuar. Fondi i Siguracioneve Shëndetësore në Mal të Zi tha se sistemi publik shëndetësor ka nevojë që të gjejë modele të reja financimi për të kapërcyer krizën aktuale dhe të sigurojë përkujdesjen për mijëra njerëz që kanë vështirësi në aksesin e kujdesit bazik.
Fondi, institucioni shtetëror në ngarkim edhe për prokurimin e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për strukturat shtetërore të kujdesit shëndetësor, ka propozuar një program për të rehabilituar sistemin financiar shëndetësor dhe të kapërcejë vështirësinë e mungesës së parasë.
Sipas dokumentit, të siguruar nga BIRN, paratë prej taksave të akcizës së duhanit, alkoolit, primet për sigurimin e makinave, taksave të detyrueshme mbi turizmin do të mund të zhvendosen në buxhetin e sistemit shëndetësor.
Propozimi do t’i paraqitet shumë shpejt qeverisë dhe, nëse miratohet, do të ndryshojë në mënyrë radikale financimin e shëndetit shëndetësor.
Për dekada, shëndeti publik ka qenë i financuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet fondit të krijuar nga kontributet e paguara nga të punësuarit mbi të ardhurat bruto. Por që nga vitet ’90, modeli ka treguar mangësi serioze.
Të dhënat nga Auditi Shtetëror i publikuar në mars, tregonin se borxhet e Fondit dhe institucionet publike shëndetësore i tejkalonin 50 milionë euro në 2015-n. E gjitha kjo (programi i ri i financimit) është e nevojshme që të mbajnë stafin ekzistues të ekspertëve në sistemin publik dhe të rekrutojnë staf të ri, si dhe të shkurtojnë kostot e dërgimit të pacientëve jashtë vendit, thotë dokumenti.
Fondi tha se nëse sistemi shëndetësor publik nuk mund të mbështetet vetëm mbi të ardhurat nga akciza e duhanit, cigareve dhe alkoolit, duhet të vendoset një taksë re mbi këto produkte të dëmshme.
Në prill, sistemi shëndetësor u godit nga kriza më e keqe financiare dhe vendi nuk mund ta përballonte blerjen e furnizimeve bazike dhe pajisjeve për të siguruar vazhdimësinë e punës si duhet. Ekzaminimet rutinë shëndetësore u bënë shumë të vështira për t’u programuar, pasi shumë spitale përjetuan mungesën e ilaçeve të rëndësishme, furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve.
Nën presionin e vazhdueshëm të medias dhe të organizatave mbi të drejtat e pacientëve, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore pranoi në prill se nuk mund të hapte një tender për prokurimin e furnizimeve bazike në spitale pasi shteti kishte akorduar vetëm 5 milionë euro për të gjitha spitalet publike në vitin 2016, shumë më pak se sa nevojitej në atë vit.
Fondi tha se shumë shpejt, sistemi do të përjetonte kolaps dhe paralajmëroi se nuk do të jetë në gjendje që të zgjidhë problemin pa ndihmën e institucioneve shtetërore, duke qenë se kishte pasur marrëveshje midis blerjeve të planifikuara të furnizimeve mjekësore dhe parave në dispozicion për t’i blerë ato në 2016-n.
Sipas Indeksit Konsumator më të fundit, publikuar nga një organizatë jo fitimprurëse për shëndetin, Mali i Zi ka sistemin më të keq shëndetësor në Europë dhe akordon vetëm 5% të buxhetit për kujdesin shëndetësor. Mesatarja europiane është nga 8 deri në 12%.
Ky indeks merr në konsideratë 48 tregues të ndryshëm, përfshirë dhe të drejtën e pacientëve, aksesin, parandalimin dhe rezultatet.