Edhe pse ka qenë në qendër të fushatës elektorale të socialistëve shlyerja e detyrimeve që shteti krijoi ndaj privatit, sërish institucionet nuk kanë mundur dot t’i “shpëtojnë mallkimit” të këtyre borxheve. “Monitor” siguron listën e plotë të borxheve që ministritë kanë krijuar ndaj firmave dhe individëve të ndryshëm për punë publike të papaguara dhe vendime gjyqësori
Lajmi kryesor gjatë vitit 2012 dhe deri në nisjen e qeverisjes “Rama” ishte goditja që kishte marrë ekonomia dhe sipërmarrja private dhe klima e biznesit nga sjellja e institucioneve me ta. Përveç vonesave në pagesat e rimbursimit të TVSH-së, precedenti i cili ngjalli pakënaqësi kudo ishte pikërisht ndërtimi i veprave publike pa u paguar. Jo vetëm klasa politike, por edhe ekspertët, ekonomistët, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kritikuan administratën e atëhershme për një gabim të madh që bëri duke dhënë pasoja direkte në ekonomi. Fillimisht, askush nuk pranoi nga kabineti se ishin krijuar këto borxhe, bizneset kishin frikë të dilnin dhe të flisnin hapur, megjithatë ata nuk ngurruan të takonin gazetarët dhe të lëshonin dokumente të cilat vërtetonin punët e bëra, paratë e paderdhura në llogaritë e tyre, por ajo që ishte edhe më e dhimbshme kishte të bënte me faktin se një pjesë e firmave kishin paguar edhe taksën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për objektet e përfunduara dhe nuk kishin marrë asnjë qindarkë.
Një listë me 60 emra kompanish, të cilat nuk ishin paguar edhe pse rrugët që kishin ndërtuar kishin përfunduar, qarkulloi në atë kohë. Në ato rreshta të cilat dilnin nga borderotë e kompanive dhe ishin shënuar të gjitha në detyrimet e Ministrisë së Financave shihje rrugë të cilat të kujtonin shiritat e prerë pareshtur nëpër fushata zgjedhore, por që i ngarkoheshin si borxh tashmë, përveç qytetarit edhe firmave. Ndërtuesit nuk i denoncuan publikisht sepse kishin frikë se nuk merrnin kurrë paratë. Kjo shpjegonte gjithçka. Edhe nëse ata do të ankimonin në gjykatë të drejtën për t’u paguar, siç nuk ngurronin shpesh ta përdornin si argument qeveritarët, kishin frikë se nuk do të arrinin të merrnin më tenderë.
E gjithë kjo histori i dha një tjetër rekord vendit tonë, dolëm të tretët në Europë për nivelin më të lartë të kredive të këqija dhe të parët në rajon. Kompani të ndryshme, të cilat nuk kishin fonde të mjaftueshme për të përfunduar tërësisht veprën, merrnin kredi në banka duke lënë garanci kontratën me shtetin dhe në fakt prisnin vite që të paguheshin. Përveçse kreditorë të këqij, ata u kthyen edhe në biznese të sëmura të cilat sillnin probleme dhe për kompanitë e tjera. Në shumë raste nuk paguheshin furnizuesit e materialeve të ndërtimit, firmat nënkontratkore por edhe punonjësit. Në maj të vitit 2013, Ministria e Financave arriti të paguante një pjesë të këtyre detyrimeve me paratë që arkëtoi nga shitja e 4 hidrocentraleve firmës Kurum për 110 milionë dollarë, por vorbulla që u krijua 4 vite më parë nuk mund të mbulohej me kaq para…
Një premtim elektoral i socialistëve, shlyerja e detyrimeve të prapambetura u vu në krye të axhendës së qeverisë. Pas kësaj perdeje u justifikua rritja e taksave ndaj biznesit të cilëve u thoshin: o rritje taksash e pagesa të detyrimeve ose e shtyjmë në kohë pagesën e nuk ndryshojmë nivelin e taksave. Një kredi gjigante nga FMN e një marrëveshje e re me fondin do t’i siguronte buxhetit të shtetit paratë për të paguar vlerën 720 milionë dollarë që nxori si borxh total auditi i Deloitte.
Sot të gjitha këto para janë paguar, të shoqëruara edhe me shumë ligje, vendime dhe udhëzime që të parandalojnë krijimin e detyrimeve të reja. Por, me sa duket, Shqipëria e ka të vështirë t’i shpëtojë një “mallkimi” të tillë. 80 milionë dollarë janë detyrime që ndodhen në inventarët e bashkive, të cilat janë trashëguar por ende nuk dihet nëse do të kthehen apo jo ndonjëherë te kompanitë private. Buxheti i shumë njësive vendore është i ulët, çka e bën të pamundur pagesën për punët publike që kanë shkaktuar këto njësi. Kësaj vorbulle nuk i kanë shpëtuar as institucionet e tjera. Ministria e Transporteve vijon të mbajë vendin e parë në listë, e një pjesë tjetër e detyrimeve vijnë nga vendimet e gjykatave të paekzekutara.
Më shumë se një “mallkim”, institucionet shqiptare e kanë kthyer në një traditë mungesën e respektimit të kontratave. Në dokumentet e siguruara nga “Monitor” konstatohet se për shumë rrugë dhe punë publike nuk është planifikuar fondi i nevojshëm për të paguar edhe pse veprat po ndërtohen dhe po avancojnë. Vetëm në katër muajt e parë, Ministria e Transporteve krijoi 9 milionë dollarë detyrime, ndërsa për të gjithë periudhën nga viti 2015 e deri në prill 2016, detyrimi shkon në 16.8 milionë dollarë.
Lista e institucioneve që kanë krijuar detyrime në 4 muajt e parë të 2016-s.
Detyrimet e Ministrisë së Transporteve:
- 6 milionë lekë rimbursim i TVSH-së dhe taksës doganore për projektin “Rehabilitim i kalatës së Portit të Vlorës”
- 9 milionë lekë “Kontrata, studime, projektime dhe oponencë” kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të buxhetit të Autoritetit Rrugor për vitin 2016.
- 7 milionë lekë “Kontrata investimi për ndërtime dhe rikonstruksione” janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
- 4 milionë lekë “Supervizione punimesh” detyrime që lidhen me kontratat e ndërtimit.
- 5 milionë lekë TVSH dhe kosto lokale.
- 146 milionë lekë “Vendime gjyqësore”.
- 140 milionë lekë “Ujësjellës-Kanalizime” detyrim që ka të bëjë me pagesat e TVSH-së me projekte të huaja.
Detyrimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit:
- 2 milionë lekë Universiteti Aleksandër Moisiu, likuidimi i këtyre fondeve pritet të bëhet me buxhetin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
- 8 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, janë të krijuara nga Drejtoria Arsimore.
- 4 milionë lekë Universiteti Eqrem Çabej
Detyrimet e Ministrisë së Drejtësisë:
- 7 milionë lekë “Agjencia e Trajtimit të Pronave”, këto shuma kanë të bëjnë me detyrimin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, por kanë fonde të pamjaftueshme.
- 3 milionë lekë “Mjekësia Ligjore” janë detyrime gjyqësori që edhe pse njiheshin nuk janë parashikuar në buxhet.
- 8 milionë lekë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përmes detyrimeve që ka në zërin e investimeve dhe punëve të kryera në objektet e saj.
Ministria e Shëndetësisë:
- 7 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, këto detyrime janë krijuar në disa spitale rajonale.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave:
- 59 milionë lekë “Projekti për ndërtimin e Portit të Peshkimit Durrës” këto detyrime janë krijuar sepse nuk ka qenë të mjaftueshme në fondet e parashikuara për ndërtimin e tyre.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes:
- 7 milionë lekë “Vendime gjyqësore” këto detyrime janë krijuar në masën 2.6 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe pjesa tjetër lidhet me aparatin e ministrisë.
Ministria e Financave:
- 9 milionë lekë “Vendime gjyqësore” këto detyrime vijnë kryesisht nga vendimet e dhëna kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ministria e Integrimit Europian:
- 1 milionë lekë “Vendime gjyqësore” është vetëm një vendim gjyqësor që pritet të shlyhet.
Ministria e Kulturës:
- 2 milionë lekë “Vendime gjyqësore” janë dy vendime të dhëna për Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe pritet likuidimi brenda këtij viti.
Ministria e Mjedisit:
- 2 milionë lekë “Vendime gjyqësore” këto detyrime kanë lindur vendimet e formës së prerë në 2016-n.
—————-
Pse u krijuan detyrimet e reja ndaj biznesit
Intervistë me Gelardina Prodanin, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Financave
Pas vizitës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, çfarë mund të thotë Ministria e Financave mbi ecurinë e diskutimeve? A janë plotësuar të gjitha kërkesat e FMN-së në memorandumin e mirëkuptimit me ta?
Ashtu siç u theksua edhe në konferencën përmbyllëse të vizitës së FMN-së në Shqipëri, gjithçka ishte në rregull me atë që ne kemi rënë dakord në programin me FMN-në, të gjitha kriteret ishin të realizuara me përjashtim të dy prej tyre. Por të dyja këto janë duke u adresuar nga Ministra e Financave për t’u përmbushur.
Cilat janë këto dy kritere dhe si po i përmbushni ato?
Njëra ka të bëjë me detyrimin që ka ministria jonë për plotësimin e stafit dhe tjetra me detyrimet e prapambetura të krijuara rishtas. Ne jemi duke i monitoruar detyrimet e prapambetura dhe duke adresuar pikërisht shlyerjen e tyre. Detyrimet e krijuara rishtas do të paguhen me paratë që do të rialokohen nga buxheti i rishikuar i vitit 2016. Nga ana tjetër jemi duke kaluar të gjithë procesin e rekrutimit të stafit me departamentin e administratës publike për të plotësuar stafin e Ministrisë së Financave.
Sa detyrime të prapambetura janë krijuar dhe në cilët sektorë?
Janë krijuar rreth 2.3 miliardë detyrime të reja, nga të cilat rreth 560 milionë janë vendime gjyqësore dhe pjesa tjetër janë punë të progesuara në sektorin e investimeve. Të gjitha do të adresohen. Kuptohet, shlyerja e detyrimeve që rrjedh nga vendimet e gjyqësorit do të jetë në përputhje me urdhrin e kryeministrit për shlyerjen e tyre, ku ministrive, institucioneve buxhetore i lihet një periudhë e mjaftueshme kohe për t’i futur dhe për t’i bërë pjesë e ciklit buxhetor detyrimet kësaj kategorie.
Këto vendime janë të hershme, të një periudhe më parë apo vendime që gjyqësori ka dhënë gjatë këtij viti dhe nuk ka qenë i mundur parashikimi në buxhetin e institucioneve të fondeve për to?
Shifra që deklarova nuk e ka të ndarë me “thikë” nëse janë vendime të vitit 2015 apo vendime që kanë marrë formën e prerë këtë vit. Ajo çka unë referova ka të bëjë me kohën që fitojnë institucionet buxhetore. Për shembull, një vendim gjyqësor i formës së prerë që ka datuar në vitin 2015, duhet të bëhet pjesë e buxhetit në vitin 2017. Gjatë vitit 2016, institucioni ka kohën e mjaftueshme për ta futur në ciklin e buxhetit vjetor.
Po detyrimet e krijuara ndaj kompanive private në çfarë zëri hyjnë? Janë shpenzime kapitale apo shpenzime operative? Në çfarë veprash janë këto detyrime?
Ka të bëjë me investimet, janë shpenzime kapitale. “Kampioni” janë sërish rrugët, pastaj në vlera më të vogla janë edhe ministritë e tjera.
Cili ka qenë “fajtori” për krijimin e këtyre detyrimeve? Mungesa e fondeve në buxhet dhe punët që nisin pa pasur më parë paratë, apo vetë firmat private që kanë përparuar me punimet?
Me kontrollet që kemi vendosur, institucionet nuk mund të marrin më angazhime më tej se fondi që kanë të alokuar në buxhet. Në bazë të kontrollit që kemi vendosur në Thesarin e buxhetit të shtetit, ti nuk mund të marrësh prokurimin pa vendosur një vulë, e cila të certifikon që fondet janë aty dhe ti si institucion buxhetor je i gatshëm për të filluar një procedurë prokurimi. Nga ana tjetër, në thesar kur lidhet kontrata plotësohet vlera e plotë e saj dhe kjo mund të jetë afatmesme dhe ti në këtë moment ke angazhuar fondin dhe për një periudhë afatmesme, gjë që ty të pengon për të shkuar përtej atij fondi që ke planifikuar në kuadrin e planit buxhetor afatmesëm. Ajo që po ndodh tani ka të bëjë me angazhimin që ka privati për të riskuar në këtë moment, sepse ai bën llogaritë e veta dhe ndoshta i leverdis më shumë që të avancojë në punime. Kështu që institucioni buxhetor nuk ka detyrim t’i përgjigjet për sa kohë ai ka dalë jashtë kushteve të kontratës. Kontrata ka të bëjë pikërisht me vlerën e fondit buxhetor që ai ka marrë. Ndërkohë ne jemi duke parë ato objekte të cilat janë të rëndësishme për qeverinë që ne duam të kenë progres dhe të gjitha do të zgjidhen me buxhetin e rishikuar.
Nga do të merren paratë për të shlyer këto detyrime me buxhetin e rishikuar?
Performanca e të ardhurave na jep mundësinë që ne të zbatojmë buxhetin e shtetit kundrejt asaj që ne kemi programuar. Kuptohet ato që janë detyruese janë borxhi dhe niveli i deficitit, i cili nuk do të lëvizë. Ne do të rialokojmë pikërisht fondin e shpenzimeve, nga projekte të cilat kanë një disbursim të ulët, në ato që kanë një disbursim të lartë. Do të ketë një rialokim mes fondeve duke pasur si prioritet rëndësinë që ka objekti në të gjithë tërësinë e buxhetit të shtetit.
Mund të dimë disa vepra të cilat do të mbyllen me këtë buxhet dhe disa të cilat presin për më vonë?
Ne jemi duke parë opsionet dhe duke vlerësuar, sepse ende nuk e kemi gati skenarin e buxhetit të rishikuar. Në fund të korrikut besoj se do ta kemi gati buxhetin e ri dhe aty do të vendoset përfundimisht se cilat objekte do të jenë, pasi tani jemi ende në fazë diskutimesh dhe analizash.
Thatë që keni prioritet deficitin e ulët dhe po ashtu edhe një borxh publik më të ulët. Kjo do të thotë se po synoni të ulni më tej borxhin, përtej nivelit që keni parashikuar me buxhetin fillestar të këtij viti?
Jo, ajo çka kemi planifikuar në buxhetin 2016 është në nivelet historike, sepse për herë të parë ne kemi një suficit buxhetor që nuk ka ndodhur pothuajse në vite të tëra rresht. Jemi shumë të kënaqur të ndjekim trendin që kemi programuar në fillimvit.
Po detyrimet që ka pasur pushteti vendor, sa problematike janë këto detyrime?
Që në muajin janar kemi marrë informacionin mbi gjendjen e detyrimeve të akumuluara që janë gjetur në zyrat e njësive vendore dhe kjo me reformën e re territoriale u bë dhe më e dukshme sepse u grumbulluan bashki, komuna dhe riorganizimi bëri inventarizimin e detyrimeve të prapambetura. Jemi duke e monitoruar dhe po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Kuptohet zyra e financave tek autoritetet vendore do të ndjekë të njëjtën rrugë që bëri edhe pushteti qendror me detyrimet që ishin. Duhet që ata t’i auditojnë këto detyrime të prapambetura. Të jenë të ndërgjegjshëm që atë që e raportojnë si borxh, është në të vërtetë një rrugë e ndërtuar dhe e pafinancuar, apo është një objekt i cili në të vërtetë, ekziston vetëm në letra. Për këtë duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ashtu sikurse ne bëmë edhe me detyrimet e prapambetura të krijuara në nivelin qendror. Kuptohet, buxheti i shtetit nuk do të marrë përsipër të shlyejë detyrimet e prapambetura në njësitë vendore. Ne jemi duke parë mundësinë që njësitë e pushtetit vendor të hyjnë në negociata me kontraktorët për ta riskeduluar borxhin e tyre dhe për ta dhe për një periudhë afatmesme, ndoshta ta shlyejnë atë. Megjithatë jemi ende duke parë, duke bërë inventarizimin se sa është realisht ky borxh, me qëllim që pastaj të gjejmë zgjidhjen me udhëzime dhe instruksione që do të dalin nga Ministria e Financave.
Sa shkon në total borxhi që ka pushteti vendor?
Nuk është certifikuar ende, por mendojmë se është afërsisht 8 miliardë lekë.
A ka pasur komunikim Ministria e Financave me pushtetin vendor për skenarët si mund të shlyhet dhe cili ka pjesën më të madhe të këtyre detyrimeve?
Jemi duke punuar me të gjitha njësitë vendore, por sidomos me Bashkinë e Tiranës, e cila ka borxhin më të madh. 50% të këtyre detyrimeve trashëgohet nga kjo bashki. Para disa ditësh, kishim takim me kreun e Bashkisë së Tiranës se si mund të gjejmë disa skenarë për zgjidhje.
Për t’u kthyer në fund te vizita e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në deklaratën për shtyp, FMN kërkoi një ndryshim të formulës për taksën e pasurisë, duke tatuar pronarët për vlerën reale të saj, kur do të ndodhë kjo? A do të kemi një rishikim të kësaj takse?
Në buxhetin e 2016-s nuk do të ketë më rishikime me rritje taksash dhe nuk do të ketë më as në buxhetin e vitit 2017. Nuk është më në program dhe në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Financave rritja e taksave. Ajo që është në fokusin tonë dhe që u theksua edhe nga Misioni i FMN-së është zgjerimi i bazës së mbledhjes së taksave. Taksa e pasurisë në vendin tonë është një taksë minimale, është një taksë e sheshtë, pavarësisht se ku e ke banesën, në qendër të Tiranës, në një zonë periferike apo e ke në një qytet tjetër. Ka dështuar pjesa e mbledhjes së saj. Ajo nuk mblidhet. Ne jemi duke identifikuar rrugën administrative se cila alternativë do të jetë më e mira që ne ta bëjmë të mbledhshme këtë taksë, pikërisht në vlerën që e kemi tani dhe më pas do të diskutohen skenarët se si do të bëhet ndarja dhe formula e kësaj takse. Do jetë për të parë nëse do e mbledhë pushteti vendor këtë taksë apo ai qendror e më pas niveli i saj. Ajo që ishte pjesë e tavolinës së diskutimeve me fondin ishte në çfarë mënyre do të mblidhet, do të jetë një agjenci e pavarur që do ta bëjë, një zyrë e ministrisë sonë te kadastra fiskale, si do të bëjmë të mundur informatizimin e vlerës së pasurisë të të gjithë vendit, me qëllim që ta kemi më të lehtë mbledhjen e saj.
Edhe një pyetje e fundit, cila do të jetë axhenda e ekspertit të FMN-së që ka ardhur për të këshilluar Drejtorinë e Tatimeve?
Ne, herë pas here për çështje të ndryshme kërkojmë ekspertizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të na këshilluar mbi çështje të caktuara apo mbi praktika dhe programe që nuk i njohim. Kjo është një vizitë normale. Ne jemi duke u përpjekur që të përmirësojmë sa më shumë klimën me biznesin dhe që ta bëjmë atë sa më miqësore. Kjo duket edhe nga paketa fiskale që bëmë gati dhe do ta miratojmë së shpejti.
“Taksa e pronës
Ka dështuar pjesa e mbledhjes së saj. Ajo nuk mblidhet. Ne jemi duke identifikuar rrugën administrative se cila alternativë do të jetë më e mira që ne ta bëjmë të mbledhshme këtë taksë,. pikërisht në vlerën që e kemi tani dhe më pas do të diskutohen skenarët se si do të bëhet ndarja dhe formula e kësaj takse.”
“Detyrimet e pushtetit lokal
Vlerësohet se janë në total 8 miliardë lekë. Bashkia e Tiranës ka borxhin më të madh. 50% të këtyre detyrimeve trashëgohet nga kjo bashki.”
“Taksat
Në buxhetin e 2016-s nuk do të ketë më rishikime me rritje taksash dhe nuk do të ketë më as në buxhetin e vitit 2017. Nuk është më në program dhe në qendër të vëmendjes së Ministrisë së Financave rritja e taksave. Ajo që është në fokusin tonë dhe që u theksua edhe nga Misioni i FMN-së është zgjerimi i bazës së mbledhjes së taksave.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.