Qeveria shqiptare, nëpërmjet marrëveshjes që do të ratifikohet në Kuvend me Aleancën Gavi, do të financojë 3 milionë e 900 mijë dollarë për të siguruar vaksinën anti-covid, sapo ajo të jetë e disponueshme.
“Ne me aktin që miratojmë sot, i cili do të bëhet një ligj, japim mundësi që në momentin që vaksina të jetë efektive dhe e sigurt të fillojmë të vaksinojmë grupet e riskuara, 20% të popullatës. Do të jenë 1 milionë e 140 mijë doza vaksine, të cilat do të prokurohen nëpërmjet kësaj marrëveshje”, tha Manastirliu në fjalën për ratifikimin e marrëveshjes me Aleancën Gavi, ku Shqipëria është përfshirë në instrumentin Covax, për sigurimin e vaksinës së sigurtë.
Manastirliu tha se kërkohet që të gjithë të rezistojmë, që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit.
“Kemi nevojë që të jemi sërish të gjithë së bashku, të rezistojmë në këtë luftë të përditshme dhe të mundësojmë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, ta bëjmë këtë për vete, për familjet tona, ta bëjmë këtë për mjekët dhe infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor që janë duke sakrifikuar veten e tyre për t’i shërbyer qytetarëve dhe të mundësojmë që të ringrihemi së bashku”, tha Manastirliu.
Sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit, do të përdoret dhe testimi i shpejtë.
“Ne thamë dhe i qëndrojmë deri në fund që me shtimin e rasteve pas hapjes, strategjia e vjeshtë-dimrit përfshin rritjen e nurmit të testimeve, kjo ndodhi, nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi për të rritur testimet edhe duke përfshirë tesimin e shpejtë, testin e antigenit siç quhet ndryshe”, tha Manatirliu gjatë fjalës saj ku po diskutohet për aktin normative dhe ndryshimet e reja që do të miratohen.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se na presin 4 muaj të vështirë dhe apeloi për respektimin e masave të vendosura.
“Do të jenë 4 muaj të vështirë, do duhet të përgatitemi, të jetojmë në këtë normalitet të ri, të mundemi të vetëdijësohemi aq shumë për situatën sa të kemi mundësi të heqim dorë edhe nga ato takimet e shumta familjare që mund të bëjmë, sepse është një mundësi më shumë për të shtuar kontaktet, një mundësi më shumë për të përhapur virusin”.
Më shumë se 150 punonjës janë përfshirë në sistemin shëndetësor për të mbështetur stafet aktuale dhe për të përgatitur stafe për të shërbyer në strukturat që do të hapim, COVID3 dhe COVID4.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.