Manchester City aktualisht është në vend të parë në Premier League, me 11 pikë diferencë nga Manchester United i vendit të dytë. 17 fitore në 18 ndeshje të luajtura, një barazim dhe asnjë humbje. Nëse i shtojmë edhe vendin e parë në grupin e Champions League, ku spikatën dy fitoret ndaj Napolit, ky sezon për “Citizens” deri në këtë pikë është fantastik.
Kjo sidomos për meritë të trajnerit Pep Guardiola: Spanjolli, u bë trajner i skuadrës në verën e vitit 2016 dhe pas një sezoni të parë me ulje-ngritje, ky i dyti është i jashtëzakonshëm. Në 2016-n, Pep Guardiola firmosi një kontratë tre-vjeçare, kontratë të cilën drejtuesit e klubit tani dëshirojnë ta rinovojnë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat britanike, sipas të cilave, klubi synon t’i ofrojë teknikut katalanas rinovimin edhe me katër vjet të tjera të kontratës dhe me një rritje page të konsiderueshme: nga 16 milionë, Guardiola do të fitonte 22 milionë sterlina në vit (rreth 25 milionë euro). Kjo shifër do ta bënte trajnerin 46-vjeçar më të paguarin në botë.