Manchester City do të hyjë në finalen e Champions League të shtunën si një ekip me peshë në futbollin modern dhe në financa, krahasuar me Inter.
Kjo është një pikë kthese e re në historinë europiane të dy klubeve, që rrallë janë përballur në të njëjtin nivel, statusi përkatës i të cilëve, brenda dhe jashtë fushës, ndryshoi rreth 12 vite më parë.
Inter kishte një traditë aristokrate dhe të pasur me histori e trofe, ndësa City ishte një ekip anglez i nivelit të tretë, kur rivali Manchester United ngriti trofeun e famshëm të Kupës së Europës në vitin 1999.
“Njëri i përket njëlloj fisnikërie të vjetër”, – tha për Interin, Olivier Jarosz, konsulent i futbollit europian për “Associated Press”.
“Kurse tjetri vjen nga një familje e klasës punëtore, që ka bërë një martesë të bukur me paratë”.
Megjithatë, si City, edhe Inter, ishin shokë skuadre të projektit të dështuar të Super League në vitin 2021, edhe pse për arsye të ndryshme.
Inter, me humbje, donte të shmangte që të mbetej pas nga dominimi i Premier League angleze; gjiganti financiar City, i mbështetur nga pasuria sovrane e Abu Dhabi, nuk donte të lihej jashtë.
Paratë e Abu Dhabit janë shpenzuar me mençuri, kështu që City, pa borxhe, shkon në Stamboll për të luajtur finalen e tij të dytë të Champions League në tre vjet dhe pas titullit të shtatë të Premier League në 12 sezone.
Në të njëjtën kohë, Inter ka pasur tre pronarë, ka pësuar humbje rekord, ka fituar vetëm një herë Seria A dhe nuk ka kaluar asnjë raund me eliminim direkt të Champions League deri në këtë sezon. Inter nuk është kualifikuar për gjashtë vite me radhë.
Në anën tjetër, falë suksesit të qëndrueshëm, City ka tashmë të ardhurat më të larta të përgjithshme dhe nga sponsorizimet se çdo klub tjetër në futbollin botëror vitin e kaluar, dhe skuadrën më të kushtueshme, rreth 1.3 miliardë dollarë në total.
Inter ka fituar më pak se gjysma e të ardhurave të Manchester City, rreth 730 milionë euro (784 milionë dollarë) në 2022 dhe ka regjistruar 140 milionë euro humbje, sipas një analize të fundit të UEFA.
I gjithë formacioni i Inter përballë Milan në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale ka kushtuar më pak, në termat e kostove të transferimit total, se një lojtar i City – Jack Grealish, blerje rekord 117,5 milionë euro (126 milionë dollarë) – në skuadrën që shkatërroi Real Madridin një natë më vonë.
Kieran Maguire, autor i “The Price of Football”, deklaroi të enjten për AP: “Inter është në finalen e Champions League pavarësisht pronësisë, ndërsa Manchester City është në finale, për shkak të pronësisë”.
Në pjesën më të madhe të 68 viteve të historisë Liga e Kampionëve, që lindi si Kupa Europiane, ka qenë shumë ndryshe.
Kur Inter fitoi për herë të fundit Champions League në 2010-n, zikaltërit kanë qenë kampionë Europe më shpesh sesa ndeshje totale kishte luajtur City në kompeticion: tre tituj për Interin, dy ndeshje për City-n
Inter fitoi dy tituj me radhë në 1964 dhe në 1965 dhe arriti në dy finale të tjera, në vitin 1967 dhe 1972. Tre tituj të Kupës UEFA janë fituar edhe në vitet ‘90 kur Seria A ishte ende kampionati më i mirë, më i pasur dhe më në modë në Europë.
I zotëruar, në pjesën më të madhe të kësaj epoke, nga familja Moratti, miliarderë në industrinë e naftës, Inter theu katër herë rekordin botëror të transferimeve, duke përfshirë edhe blerjen e sulmuesit brazilian Ronaldo nga Barcelona.
Aventura e fundit e City në Kupën e Europës zgjati dy javë dhe përfundoi në Stamboll, në tetor 1968, i eliminuar nga Fenerbahce në raundin e parë. Në sezonin tjetër fitoi titullin Kupa e Kupave, por për dekada me radhë klubi nuk kishte status serioz europian.
Në vitin 2018, kur të dyja skuadrat ishin sërish në grupet e Champions League, shumë kishte ndryshuar. City sapo kishte fituar titullin e Premier League, i pari nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola, i cili u ribashkua me ish-drejtues të Barcelonës dhe ndërtoi një ekip dominues në kampionatin më të pasur në botë.
“Cilësia e vendimmarrjes së City-t është jashtëzakonisht e lartë” – tha Maguire, i cili e përshkroi Interin si “një rast klasik të pronësisë së rastësishme dhe të pastrukturuar”.
Inter u shit së pari nga Massimo Moratti tek Erick Thohir, ish-pronar në NBA. Më pas, në vitin 2018, Inter u ble nga shoqëria kineze Suning, e cila caktoi si president 26-vjeçarin pasardhës të familjes, Steven Zhang.
Suning është nën presionin fianciar global dhe në 2021 mbylli klubin e tij kinez, Jiangsu, disa muaj pasi fitoi titullin e parë në kampionatin kombëtar.
Këtë sezon, UEFA u detyrua t’i zbriste Inter 4 milionë euro (4.3 milionë dollarë) nga paratë e çmimeve. Klubi gjithashtu pagoi 6 milionë euro (6.5 milionë dollarë) në vitin 2015 për thyerjen e rregullave të “fair play financiar”.
Edhe City ka pësuar dy sanksione nga UEFA për shkak të FFP, në 30 milionë euro (32 milionë dollarë), por i ka shmangur shkeljet në Champions League për rastet që lidhen me të ardhura shumë të larta dhe jo shumë të ulëta.
Klubi aktualisht po përballet me më shumë se 100 akuza nga Premier League në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullave financiare.
“Për mua, janë vëllezër” – tha Jarosz, drejtues i shoqërisë konsulente LTT Sports, për dy finalistët. “Ekziston me të vërtetë një grup i vogël klubesh që kanë të njëjtat kapacitete financiare”.
Ndeshja e së shtunës është finalja e tretë e Champions League që nga prilli 2021 dhe të gjithë finalistët që prej atëherë – Manchester City, Chelsea, Real Madrid, Liverpool, Inter Milan – ishin anëtarë të Super League.
Për një klub që arrin finalen e Champions League jashtë buxheteve elitare prej qindra milionësh “duket e pamundur” – tha Jarosz.
“Më shumë se sa fat, do të ishte një gabim statistikor”.