Viti 2019 i ka gjetur bizneset e Spa-ve në një konkurrencë të fortë mes tyre, duke shtuar edhe ndërtimin e hoteleve të reja luksoze, të cilat e kanë pjesë të tyre ofrimin e këtij shërbimi. Stresi dhe “mania” e të qenët i shëndeteshëm po nxisin frekuentimin e tyre. Tashmë tregu është i mbingopur, ku aktorët kërkojnë monitorim dhe vlerësim të tyre…
Nga Deada Hyka
Të qenët i shëndetshëm është kaq në ‘modë’ tani. Mjaft të shikoni Instagram, ku reklamohet trendi i spikatur i ushqimit, fitness-it dhe trajtimeve për të pasur një paketë të plotë. Suksesi kryesor i qendrave të mirëqenies dhe ‘garave’ mes tyre ka krijuar një valë të re mënyrash për të shitur shërbimet e mirëqenies që ndryshe quhen ‘Wellness’.
Qendrat e Spa-ve po rriten shumë shpejt në të gjithë vendin, duke rrezikuar mbingopjen e tregut. Nga viti i shkuar, numri i tyre është rritur sërish, duke numëruar më shumë se 50 të tilla. Çfarë e ushqen këtë biznes? Aktorët kryesorë japin disa arsye: Jeta dinamike dhe nevoja për të pushuar, trendi i Instagram-it dhe mania për të ndjekur një model; një formë argëtimi, sidomos e një kategorie njerëzish që nuk tërhiqen më nga jeta e natës apo forma të ngjashme; ulja e çmimeve nga konkurrenca i ka bërë këto shërbime më të përballueshme për një pjesë të konsiderueshme. Dhe, mbi të gjitha, nevoja shpesh shëndetësore për të marrë shërbime të tilla.
Spa-të nuk janë më luks, përkundrazi! Plakja, sëmundjet nga mënyra e jetesës, mangësitë në sistemin tradicional shëndetësor në parandalimin dhe trajtimin e disa sëmundjeve janë duke nxitur më tepër njerëz drejt marrjes së shërbimeve të mirëqenies, edhe si një mënyrë parandalimi.
Frekuentimi i Spa-ve nuk konsiderohet më një luks, por nevojë
Sipas drejtuesve të disa Spa-ve në kryeqytet, rritja e frekuentimit dhe ndërgjegjësimi ndër vite për rëndësinë e shërbimeve të mirëqenies, kanë nxitur që njerëz jo profesionistë të fushës, të hapin ambiente të tilla në Tiranë, duke e çuar tregun e vogël shqiptar në një mbingopje.
Emona Begolli, administratore e Bamboo Spa & Hammam, thotë për “Monitor” se ka ardhur koha që ky sektor të monitorohet më tepër dhe të vlerësohet, sikurse ndodh në hoteleri, me yjet përkatëse për çdo qendër.
“E drejta për të bërë Spa, i lind çdokujt në treg. Sidomos vitet e fundit është rritur numri i tyre në kryeqytet, si nga profesionistë ose jo të fushës, të cilët thjesht e kanë ngritur si biznes. Mendoj se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të funksionojnë si në botë, me vlerësim me yje të qendrave të Spa-ve, që është i njohur në sektorin hotelerisë. Kjo do të ishte më e ndershme për aktorët e tregut që të vlerësoheshin sipas shërbimeve që ofrojnë dhe të gjithë komponentëve bashkë”, – thekson znj. Begolli.
Menaxheri i Nobis, Alban Hamzaj, shton se përqafimi i shërbimeve të mirëqenies ka ardhur edhe në Shqipëri, si një trend nga jashtë dhe është shumë i kërkuar. “Në fillim ka hasur vështirësi, duke qenë se një person parapëlqente të bënte vetëm një prej aktiviteteve dhe nuk e gjykonte të arsyeshme që të bënte disa njëkohësisht. Ideja ishte që njerëzit të bënin të gjitha zonat që të merrnin dhe përfitimet e tyre, për një mirëqenie më të mirë”, pohon ai duke shtuar se me kalimin e viteve, ndryshoi mendësia dhe njerëzit e kuptuan atë që me të vërtetë jep ‘wellness’. Pas viteve 2000, në të gjithë botën ndryshoi dëshira nga fitness në shërbime mirëqenie.
Fillimisht kemi punuar me trajnimet e stafit që të bindnin njerëzit që të provonin të tria zonat. Më pas, në harkun kohor të 7 viteve, kërkesat ishin aq të larta sa investohej çdo vit në përmirësimin e infrastrukturës. Këtë vit, po e lidhim këtë paketë mirëqenie edhe me ushqimin, kemi hapur një restorant me menu të shëndetshme për ta plotësuar këtë shërbim deri në fund”, – thotë z. Hamzaj. Menaxherja e AS SPA, Brikena Maloku, thotë se kultura për kujdesin ndaj vetes ka filluar të jetë pjesë e stilit të jetës së çdo individi edhe në Shqipëri, me një zgjerim sidomos dy vitet e fundit.
Ajo shprehet se kostoja e një biznesi të tillë është e lartë. Nëse do të kesh një qendër me parametra bashkëkohorë duhet të investosh që të japësh më të mirën dhe në fund, të marrësh produktin e punës tënde. Menaxheri i Diplomat Spa në Tiranë pohon se klientët e hoteleve, kryesisht të huajt, janë vizitorët kryesorë të Spa të hoteleve të tyre. Madje, ndërtimi i tyre si pjesë e aktivitetit kryesor, erdhi nga kërkesa në rritje dhe zhvillimit të këtij tregu. “Klientët tanë të huaj na pyesnin gjithnjë për një qendër të tillë, si nevojë për të pushuar pas një dite të gjatë me takime biznesi”,- pohon ai. Dy-tre vitet e fundit, një pjesë e madhe e hoteleve në vijën bregdetare të Shqipërisë kanë përfshirë qendrën Spa në ambientin e tyre, si një tërheqje për klientët.
Rritje e shpejtë
Me një jetë dinamike dhe me rritjen e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, shumë njerëz po kërkojnë mënyra për t’u kujdesur për shëndetin dhe për t’iu larguar stresit të përditshëm. Spa-të, një ndër bizneset me zhvillim të shpejtë në 5 vitet e fundit, ofrojnë një mënyrë të re për njerëzit për një jetesë të shëndetshme, me mundësi të shumta që të zgjedhin shërbimin që u duhet
Ujërat termale, si Spa natyrore
Sipas një raporti të Global Wellnes Tourism, numërohen rreth 26 mijë qendra të ndërtuara pranë ujërave termale, në 103 shtete në të gjithë botën, që ofrojnë: masazhe për mirëqenie dhe qetësi, ashtu sikurse edhe kura dhe terapi. Në total, të gjithë këto qendra në vitin 2013 fituan më shumë se 50 mld dollarë. Në mesin e këtyre qendrave, 6500 ofronin vetëm shërbime Spa si masazhe trupi dhe në fytyrë etj., pjesa më e madhe e të cilave, ndodhen në qytete të mëdha, larg burimeve termale.
Studimi i Global Wellness Tourism Economy thekson se turizmi i ashtuquajtur i mirëqenies parashikon udhëtimet që bëhen për shkak të marrjes së shërbimeve të mirëqenies në vende të tjera. Ky lloj turizmi po sheh rritje, sidomos në dekadën e fundit. Sa u përket burimeve të ujërave termale dhe “kurative” në vendin tonë, përmendim:
-Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative ndaj reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor.
-Llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku trajtohen sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.
-Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate. Këshillohen për sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.
-Ujërat termale të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës etj.
-Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Ndodhen 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku gjashtë burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.
Larg stresit
Vendimi për të shkuar në një Spa specifike mund të vijë si nevojë për t’u qetësuar nga lodhja e një jave të ngarkuar, ose për shkak të rekomandimit të mjekut. Spa-të janë një vend i mirë për të marrë një dietë të re dhe një regjim stërvitje, i cili i përshtatet një jetese të veçantë.
Tregu botëror i mirëqenies
Sipas Institutit të Wellness Global, një burim edukimi jofitimprurës për industrinë e Wellness, tregu botëror i mirëqenies u rrit 10.6% në 3.72 trilionë dollarë nga 2013 në 2015 (shifrat e fundit të cilat janë në dispozicion), ndërsa ekonomia botërore u tkurr 3.6% gjatë së njëjtës periudhë. Hulumtuesit e lartë të GWI Katherine Johnston dhe Ophelia Yeung thonë se “trajektorja e rritjes së industrisë së shëndetit duket e pandalshme”.
Tendencë
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e këtij sektori, raporti i Wellness Global përmend “interes në rritje të konsumatorit në të gjitha gjërat që lidhen me ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, të nxitur nga plakja, rritjes së sëmundjeve kronike dhe stresit, ndikimet negative të shëndetit për shkak të ndotjes atmosferike dhe dështimit të modelit mjekësor të kujdesit për të sëmurët, për të përmirësuar cilësinë e jetës”
Flet Emona Begolli, administratore e Bamboo Spa & Hammam
“Tregu i Spa ka nevojë për monitorim dhe vlerësim të qendrave”
Si i shihni kërkesat e shqiptarëve për shërbimet e mirëqenies? Cilat kategori, grupmosha e frekuentojnë më tepër?
Bamboo është një ndër Spa-të ekskluzive të Tiranës. Vendndodhja, produktet me të cilat punon, stafi që trajnohet, bashkëpunëtorët ndërkombëtarë etj., të gjitha këto e bëjnë Bamboo të konsiderohet si një spa luksoze.
Që në këtë moment, mund të themi që kemi diferencë në çmim me disa Spa të tjera, të niveleve më të ulëta apo mesatare. Sigurisht, e drejta për të marrë shërbim Spa i takon çdokujt, duke qenë se, pikë së pari, është shërbim mirëqenie, që të ndihesh më mirë, jo që të dukesh më mirë. Por, duke qenë luxury, frekuentuesit tanë janë në nivel mesatar e lart. Çmime, mund të jenë 10% më shtrenjtë se te Spa-të e tjera. Frekuentuesit janë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave, mbi 20 vjeç.
Meshkujt kanë nisur të frekuentojnë më tepër, veçanërisht masazhet dhe saunat. Ndërsa femrat kanë një gamë më të gjerë shërbimesh për të kryer, dhe shpeshherë, nuk i marrin dot të gjitha, duke qenë se buxheti i tyre copëzohet. Në të dyja gjinitë, janë njerëz që merren me sport ose jo, të cilët ndjekin një regjim ushqimor të caktuar, me shqetësime shëndetësore dhe kryejnë masazhe. Një pjesë e mirë e shërbimeve Spa janë sezonale, jo të gjitha bëhen gjatë gjithë vitit.
Kërkesat janë rritur në këto 3 vite të hapjes së qendrës. Shërbimet Spa nuk janë thjesht shërbime bukurie. Ato lidhen me shëndetin dhe ndërgjegjësimi ka qenë i madh, ndaj dhe kërkesat, të larta. Ajo çfarë kemi konstatuar është rikthimi, që do të thotë se këto shërbime nuk merren vetëm një herë, bëhen të vazhdueshme.
Si e shikoni konkurrencën?
Sigurisht, e drejta për të bërë Spa, i lind çdokujt në treg, sidomos vitet e fundit kemi parë një rritje të numrit të tyre në kryeqytet, si nga profesionistë ose jo të fushës, por që thjesht e kanë ngritur si biznes. Mendoj se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të funksionojnë si në botë, me vlerësim me yje të qendrave të Spa-ve, që është i njohur në sektorin hotelerisë. Kështu do të ishte më e ndershme për aktorët e tregut që të vlerësoheshin sipas shërbimeve që ofrojnë dhe të gjithë komponentëve bashkë.
Si e parashikoni ecurinë në një treg si i yni?
Shërbimet e mirëqenies do të vijojnë të jenë të preferuara, pasi janë shndërruar në një trend, relaksi dhe pushimi. Mendohet se do të zëvendësojnë edhe kënaqësinë e një darke. Tjetër gjë që mund të shtojmë është se me jetën dinamike dhe stresin që përjetojmë çdo ditë, spa-të do të zgjidhen si shërbim detoksifikimi. Jetojmë në një kohë ku ndotja është e lartë, siguria ushqimore është e ulët, ndaj dhe lind nevoja për t’u relaksuar. Këto kërkesa do të vijnë gjithnjë e më shumë në rritje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.