E ardhmja e Paul Pogba nuk dihet ende. Kontrata e mesfushorit skadon në qershor dhe disa klube të mëdha europiane, mbi të gjithë Paris Saint-Germain dhe Juventus, do të bëjnë çmos për ta pasur në klubin e tyre.
Por siç shkruan Daily Mail, drejtuesit e Manchester United i kanë propozuar futbollistit një pagë faraonike, për ta bindur që të qëndrojë në Old Trafford.
Sipas Mirror, 29-vjeçarit i është ofruar një pagë me vlerë 500.000 paund (600 mijë euro) në javë për të qëndruar te United. Kjo shifër do ta bënte futbollistin francez lojtarin më të paguar të Premier League, me pagë vjetore më të lartë se 30 milionë euro.
Nëse Pogba, paga e të cilit është pak më e ulët se 350 mijë euro në javë, do të pranonte kushtet e reja, ai do të linte pas Cristiano Ronaldo (540 mijë euro në javë), David de Gea (450 mijë euro në javë), Jadon Sancho e Raphael Varane (të dy, 360 mijë euro në javë).
Oferta duket se ka zemëruar shokët e skuadrës. “Disa prej lojtarëve mendojnë se është jashtë çdo logjike që Pogba mund të fitojë dyfishin kur ai mezi fillon një ndeshje si titullar dhe flet për largim gjatë gjithë kohës”, tha një burim për Mirror.
Pak kohë më parë Pogba ka thënë se “nuk është vendosur asgjë rreth së ardhmes sime. Mund të vendos nesër, por mund të vendos edhe gjatë merkatos. Dua vetëm që të përfundoj mirë sezonin”.
Gjatë programit televiziv francez Telefoot, Pogba nuk e fshehu zhgënjimin në këto vite te Red Davids. “Sezoni nuk është mbyllur ende, megjithatë nuk kemi për çfarë të luftojmë më. Unë dua të fitoj çmime, të luaj për diçka dhe këtë vit e në vitet e fundit nuk kemi fituar asgjë. Është e trishtë. Të luash për Francën është një fllad i freskët ajri. Kjo është e vërteta. Kam pasur momente të vështira te United dhe kisha nevojë për këtë pauzë për të rigjetur energjinë dhe besimin për t’u kthyer në formë në klub”.