Nuk ka lokacione të mjaftueshme të mira për ndërtimin e kapaciteteve industriale, nevojitet harmonizim i vazhdueshëm i dispozitave ligjore ndërsa problem serioz paraqet edhe mungesa serioze e kuadrove të kualifikuara. Këto janë tre problemet kryesore me të cilat aktualisht ballafaqohet industria. Interesim për ndërtimin e kapaciteteve të reja ka, por problem është mungesa e kapaciteteve të përshtatshme.
” Ne vlerësojmë se çmimi i lokacioneve për ndërtim të kapaciteteve të reja industriale është shumë i lartë në krahasim me nivelin e rritjes ekonomike, prandaj propozojmë çdo tremujor komunat të marrin si obligim, pra njëherë në tre muaj të publikojnë shpallje të rregullta për lokacione të reja – tha Trajan Angellovski, Oda industriale LOE.
Nga Lidhja e Odave Ekonomike apelojnë që pushteti t’i ulë kuotat për regjistrim nëpër gjimnaze dhe shkenca shoqërore me qëllim që një e treta e tyre të drejtohen në drejtimet profesionale.
” Vetëm në territorin e Gazi Babës i cili në njëfarë mënyre është një nga zonat më të mëdha industriale në Qytetin e Shkupit ka mungesë prej 650 punëtorëve të kualifikuar. Të paktën të bëhet harmonizimi i politikës së regjistrimeve me kërkesat e tregut të punës. Vlerësojmë se në këtë mënyrë kjo çështje mund të ketë zgjidhje afatgjate – u shpreh Trajan Angellovski, Oda industriale LOE.
Përkundër të dhënave të fundit nga Enti shtetëror i statistikës sipas të cilave në fund të shtatorit shënohet rritje e prodhimtarisë industriale ishte 5.6%, nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se për të qenë në garë me vendet me zhvillim të lartë teknologjik, nevojitet që përqindja minimale e rritjes të jetë prej 7 deri 9% në nivel vjetor.
/ALSAT MK