Ligji për Planifikimin hapësinor dhe urban me qëllim po pengohet nga institucionet, akuzojnë ndërtuesit. Oda e Ndërtimtarisë u ankua se mos-miratimi i këtij ligji do të ndikojë edhe në ngadalësimin e aktivitetit ndërtimor. Nga kjo Odë sot lëshuan një apel për të mos bërë korrigjime të reja në tekst, pasi kjo do të shkaktojë probleme shtesë për biznesin e ndërtimit. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarisë, Andrea Serafimovski thotë se institucionet dhe partitë politike synojnë që nëpërmjet paraqitjes së amendamenteve, të ndërhyjnë në mënyrë egoiste në ligj.
“Me siguri po pritet që ligji të kalojë në qeveri dhe të vijë në Parlament dhe të vetëdijesohen disa institucione dhe se duhet të bëjnë ndërhyrje në ligj. Apeloj, të gjitha institucionet që janë të shqetësuar për të pasur një Ligj të ri për ndërtim, tani të gjejnë vendin e tyre për të ndërhyrë në ligj”- deklaroi Andrea Serafimovski, Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve.
Ndalesa për ndërtime të reja në pjesë të Shkupit në mënyrë drastike i zhvendosi vlerat, thotë Serafimovski. Nëse nuk do kishte moratorium, parashikimet e ndërtimtarëve ishin se çmimet e banesave të reja të ndërtuara me cilësi do rriten pavarësisht në cilën komunë ndërtohen, ndërsa banesat e vjetra do shënonin ulje më të madhe të çmimeve. Moratoriume në fuqi për ndërtim ka në komunat Qendër dhe Karposh.
” Kompanitë ndërtimore gjithnjë e më pak inkurajohen të hyjnë në ndonjë investim, sidomos duke parë me sa pengesa u ballafaquam në vitin 2018, edhe nga aspekti institucional edhe nga ai operativ dhe gjithfarë pengesash. Shpresojmë se me përfundimin e moratoriumeve do inkurajohen edhe komunat edhe investitorët që sërish të hyjnë në periudhë investimi”- pohoi Andrea Serafimovski.
Megjithatë, ndërtimtarët pranojnë se këtë vit sektori i tyre është më efikas se në vitin 2018, i cili ishte cilësuar si vit katastrofal për ndërtimtarinë. Në tre muajt e para të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar ka rritje prej rreth 400% të vlerës së punëve të kontraktuara jashtë vendit. Vitin e kaluar aspak nuk ka pasur ndonjë punë të kontraktuar. Në nivel vjetor në ndërtimtari është shënuar rritje e numrit të punëtorëve prej mbi 7%, ndërsa për 6% është regjistruar edhe rritje e rrogave të punëtorëve në këtë sektor.
/ ALSAT MK