Gjatë një vizite në Shkup, nënkryetarja e Bankës Europiane të Investimeve (BEI), Lilyana Pavlova, theksoi sërish mbështetjen e bankës për rimëkëmbjen më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut dhe tranzicionin e saj të gjelbër dhe dixhital.
Nënkryetarja Pavlova mori pjesë në konferencën vjetore të Ministrisë së Financave dhe u takua me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Financave, Fatmir Besimi, ambasadorin e BE-së, David Geer, dhe bordin drejtues të Bankës për Zhvillim në Maqedoninë e Veriut. Në këto takime, ajo konfirmoi angazhimin e palëkundur të BEI ndaj Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar mbështetje për investime të reja drejt rimëkëmbjes së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, furnizimin me energji të rinovueshme, dixhitalizim dhe projekte të mëdha infrastrukturore.
Si një partner i hershëm i Maqedonisë së Veriut, BEI synon të zgjerojë investimet në një sërë sektorësh, për të rritur qëndrueshmërinë e vendit ndaj krizave të ardhshme dhe për të lehtësuar tranzicionin ekonomik, në një model më të gjelbër dhe më dixhital. Këto projekte do ta sjellin vendin më pranë arritjes së objektivave klimatike dhe do të ndihmojnë në zbutjen e problemeve të rënda mjedisore. Për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të parandaluar humbjen e vendeve të punës, BEI kërkon të mbështesë më tej sektorin privat, falë zgjidhjeve të reja të financimit me Bankën e Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut. Në fillim të këtij viti, BEI ofroi 100 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla.
Nënkryetarja e BEI, Lilyana Pavlova, e cila është përgjegjëse për Maqedoninë e Veriut, tha: “Grupi BEI është një partner i besueshëm për Maqedoninë e Veriut. Dua të konfirmoj mbështetjen e plotë të BEI për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, për t’i ndihmuar ata të arrijnë qëllimet dhe të përfundojnë reformat për anëtarësim në BE në përputhje me strategjinë e zgjerimit të Komisionit Europian. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të plotë për t’i mundësuar vendit të përfitojë plotësisht nga plani ekonomik dhe investues i Komisionit”.
Në takim, kryeministri Zaev theksoi bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me BEI në mbështetjen e investimeve kapitale në infrastrukturë dhe projekte të tjera që janë komplementare me politikat reformuese të qeverisë dhe përpjekjet e përgjithshme në lidhje me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga BEI në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe shprehu besimin se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Shefi ekzekutiv i Bankës për Zhvillim, Kire Naumov, tha: “Bashkëpunimi strategjik dhe i suksesshëm ka rezultuar në 550 milionë euro mbështetje financiare për sektorin privat në Maqedoninë e Veriut. Me huanë më të fundit prej 100 milionë eurosh, ne presim të sigurojmë mbështetje financiare për të paktën 300 projekte të ndërmarra nga Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Maqedoninë e Veriut”.