Një model i ri i subvencionimit të turizmit është i domosdoshëm, nëse duam të konkurrojmë me vendet fqinje. Shoqatat e sektorit të turizmit bashkërisht propozojnë të ndryshojnë rregulloren, për subvencionet shtetërore zbatimi i së cilës skadon në fund të këtij viti dhe që u miratua 10 vjet më parë. Lehtësimi i procedurave burokratike dhe trajtimi i barabartë i operatorëve turistikë të huaj dhe vendas janë kërkesat kryesore të shoqatave.
“Ne ofrojmë mundësinë që operatorët turistikë vendas dhe të huaj, nga të gjitha vendet të kenë mundësi të barabarta për të aplikuar për këto subvencione. Atyre u jepet mundësia nga çdo vend i botës, që të vijnë në Maqedoni dhe të nisin një çarter linjë, nëse e shohin të arsyeshme. Procedurat burokratike gjithashtu shkurtohen, është dhënë një drejtim më i drejtpërdrejtë dhe i hapur”-tha Asim Mexhedoviq, koordinator i agjencisë HOTAM.
Sipas shoqatave, futja e mundshme e një garancie bankare deri në 100.000 euro për agjencitë turistike, e cila do të garantonte përmbushjen e të drejtave të turistëve, që udhëtojnë përmes tyre, nuk do ta jepte efikasitetin e nevojshëm. Është e nevojshme të futet një polisë sigurimi e përdorur nga të gjitha vendet evropiane.
“Garancia bankare nga ana jonë nuk është një zgjidhje konkrete dhe nuk na ndihmon në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Ne duhet të bëjmë çmos së bashku për të arritur në një fazë, ku mund të dalim me një zgjidhje me sigurimin e aftësisë paguese/solvencës, që do të na ndihmojë në zhvillimin e më tejmë”-theksoi Aleksandar Kuzmanovski, Shoqata Kombëtare e Turizmit të Brendshëm.
Në grupin punues morën pjesë edhe Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili dëgjoi sugjerimet nga përfaqësuesit e sektorit të turizmit. Ai njoftoi një takim të ri, për të gjetur sa më shpejt zgjidhjen më të mirë për modelin e subvencioneve.
/ALSAT MK