Projektet të cilat financohen nga BE-ja, siç janë : Demir Kapia – Smokvica, Stacioni për pastrim Prilep dhe Manastir – Kremenicë do të vazhdojnë me realizimin e tyre në pajtim me dinamikën e parashikuar , tha Ministri i Financave, Kirill Minoski.
Në një intervistë për televizionin Kanal 5, ministri Minoski sqaroi se vendimi për tërheqjen e 27 milionë eurove të IPA-s ka të bëjë me mjetet të cilat akoma nuk janë programuar dhe nuk janë dakorduar projekte me Komisionin Evropian.
Ai thekson se kudo ku ka projekte të mira do të shfrytëzohen mjete evropiane. “Kemi sinjale pozitive, për shembull dje nga Agjencia austriake për zhvillim kemi marrë informacion për grant dedikuar për sistemin e menaxhimit të krizave në DAP, thotë Minoski.
Lidhur me tërheqjen e përfaqësuesit të FMN-së nga vendi, ministri Minoski sqaron se bëhet fjalë për vendim intern të Fondit, që nuk ka prapavijë politike.
“Përfaqësuesi i Fondit monetar ndërkombëtar u largua për shkaqe interne. Në të gjitha shtetet të cilat nuk kanë aranzhim me FMN-në, Fondi në drejtim të racionalizimit të shpenzimeve mbyll zyra të caktuara dhe i tërheq përfaqësuesit. Edhe më tej mbetet bashkëpunimi me FMN-në. Në shtator është caktuar misioni i rregullt i Fondit në vend dhe ne i presim”, thekson Minoski.
Lidhur me ribalancin e Buxhetit, ministri sqaron se me të vjen deri te përshtatja e arkës shtetërore me projeksionet e korrigjuara për rritje në pajtim me kushtet e sapokrijuara për shkak krizës politike. Minoski potencoi se me ribalancin mbeten mjetet e nevojshme për realizimin e investimeve kapitale, për subvencionimin e bujqve, për paga dhe pensione.
Ai thekson se investimet kapitale janë në nivelin më të lartë historik deri më tani dhe se me ribalancin asnjë projekt nuk është pezulluar./ Zhurnal.mk