Të mos rriten pensionet dhe urgjentisht të zvogëlohen shpenzimet e qeverisë. Kështu thuhet në raportin më të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtarë. FMN-ja rekomandon fillimin e menjëhershëm të konsolidimit fiskal dhe sugjeron që borxhi publik të jetë nën 50% i PBB-së pasi është i rrezikshëm.
“Nevojiten kursime, përmes racionalizimit të subvencioneve bujqësore dhe transferimeve nga pushteti lokal që nuk janë të destinuara mirë si dhe përmbajtje nga rritja ad-hoc e pensioneve”, theksojnë nga FMN-ja.
FMN rekomandon rritjen e pragut të daljes në pension, si dhe shkallës së kontributeve që paguajnë kompanitë për të punësuarit.
“Deficiti i Fondit Pensional parashihet të arrijë në 10,5% nga Prodhimi Bruto Vendor deri në vitin 2030, për shkak të zvogëlimit të popullatës së aftë për punë. Ky është rezultat i benefiteve, shkallës relativisht të ulët të kontributeve dhe fuqisë së lirë punëtore. Plakja e popullatës do të bëjë presion ndaj shpenzimeve”, thuhet në njoftimin e FMN-së.
Sipas ekonomistëve, vërejtjet e FMN-së janë të pritura.
“Në periudhë afatshkurtër, nevojitet rimëkëmbje të atij sistemi dhe me siguri rimëkëmbja do të bëhej në kombinim nga më shumë masa. Do të duhej edhe pensionistët të heqin dorë nga ato rritje ndërsa edhe punëtorët patjetër do të duhet të marrin një pjesë të barrës, gjegjësisht të ketë rritje të kontributeve me qëllim të zgjidhjes së problemit në fondin pensional”, deklaroi Marjan Petreski, profesor universitar.
Sipas parashikimeve të FMN-së, ky vit do të përfundojë me rritje ekonomike prej 2,2%. Borxhi i përgjithshëm publik për këtë vit do të jetë 47,9%, ndërsa për pesë vite do të rritet në 54,7% të PBB-së. /Alsat M