Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut vendosi që të mbajë normën e interesit të pandryshuar në nivelin e ulët prej 1.25%, pasi e sheh politikën e tanishme monetare si të përshtatshme për kushtet ekonomike dhe financiare.
Për momentin, nuk ka nevojë për një reagim monetar ndaj lëvizjeve të çmimeve, pasi ato rrjedhin nga faktorë që kanë të bëjnë më tepër me ofertën, sesa me kërkesën, tha banka qendrore në një deklaratë.
Banka qendrore gjithashtu vendosi të ofrojë 10 miliardë dinarë (187.2 milionë dollarë / 161.9 milionë euro) bono në një ankand, një shifër që mbeti e pandryshuar që në ankandin e fundit të mbajtur më 15 shtator.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Maqedonisë së Veriut, u rrit me 5.2% në bazë vjetore në gjysmën e parë të vitit 2021, më pak se rritja ekonomike prej 5.4% e parashikuar nga banka qendrore për atë periudhë. Të dhënat e disponueshme për tremujorin e tretë të vitit 2021, kryesisht tregojnë një rritje të vazhdueshme ekonomike, edhe pse më të moderuar në krahasim me tremujorin e dytë, tha banka qendrore.
Për sa i përket inflacionit, rritja mesatare vjetore e çmimeve të konsumit në periudhën janar-shtator, është 2.8%, paksa mbi normën e pritshme.
Banka qendrore tha në maj se parashikon që ekonomia e vendit të rritet me 3.9% në vitin 2021, ndërsa inflacioni në fund të vitit 2021 parashikohet të shkojë në 2.2%.
PBB-ja e Maqedonisë së Veriut ra me 4.5% në vitin 2020, sipas të dhënave paraprake nga zyra statistikore e vendit.
Banka qendrore e ndryshoi për herë të fundit normën e interesit në mars, kur e uli atë me 0.25%.